Sunday, September 8, 2024

(Intervista) Akordoi 25 mijë Euro premio për kualifikimin ndaj Ferencvarosh, presidenti Matija premton një shumë jashtëzakonisht të madhe për kualifikim ndaj Juventusit

Lexo

25 mijë Euro u shpërblyen futbollistet e Vllaznisë nga presidenti i tyre, Lazër Matija për eleminimin që i bënë skuadrës hungareze, Ferencvarosh duke u kualifikuar në Turin e Dytë të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll për femra. Një shifër kjo jo e vogël kur bëhet fjalë për futbollin e femrave, i cili në ndryshim nga meshkuj nuk e ka atë forcën dhe potencialin financiar të markentingut. Ndërkohë, sa i përket turit të dytë, ku kundërshtar këtë herë do të jetë kampionia e Italisë, Juventus, shifra e premios do të jetë akoma edhe më e madhe në rast kualifikimi. Një gjë të tillë e deklaroi vetë presidenti Matija në prononcimin e dhënë për median, teksa ndiqte prej së afërmi stervitjet anti-Juventus të skuadrës që ai financon prej vitesh.

Premio ekstra për të mundur Juventusin

“25 mijë Euro, normalisht që ishte një shumë e konsiderueshme për futbollin e femrave, sepse niveli ku ne luajmë e kërkon një mbështetje të tillë financiare. Këtë premio vajzat kuqeblu patjetër që e meritojnë, sepse kanë dhënë gjithçka në këtë takim, në këtë kompeticion. Patjetër, nëse kalimi i turit bëhet i mundur, sepse në fakt është shumë e vështirë, ekipi do të ketë një premio shumë më të madhe se kjo, sepse shumës tonë si ekip do t’i bashkohen edhe sponsorë të tjerë për ta mbështetë ekipin, gjë që na e kanë premtu një gjë të tillë. Por, nuk është ky qëllimi i jonë si dhe i ekipit se sa do të marrin nga financat, por qëllimi kryesor është se çfar do të japim ne në këtë ndeshje. Ekipi i jonë ka për të dhënë shumë në këtë përballje, sepse është një përvojë mjaft e madhe për ne. Përballja dhe vlerësimi i këtyre  ndeshjeve të tilla do të ishte gjëja më e mirë për këto vajza dhe mbështetja më e madhe që ne japin për futbollin e femrave. Por, gjithësesi, në rast të kalimit të turit, ekipi do të ketë një premio jashtëzakonisht të madhe”, u shpreh presidenti i Vllaznisë në futboll femra, Lazër Matija.

Kundërshtari

Juventusi i turit të dytë, natyrisht që është një skuadër shumë më e fortë se sa kundërshtari i turit të parë. Një gjë të tillë e pranon edhe vete presidenti i skuadrës kuqeblu, Lazër Matija, i cili përcjell vlerësime shumë positive për nivelin e futbollit Italian në tërësi, përfshirë edhe Juventusin për femra.

“Patjetër që janë emra të ndryshëm. Juventus, Italia, futbollin e kanë jetik, e kanë pjesë të AND-së së tyre, aq më teëpr që janë një shtet që kanë kontribuar në futbollin botëror. Dhe, konkretisht Juventus është klubi më i mirë në Itali, me shumë tituj, si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat. Ne e dimë se cilin kundërshtar kemi përballë, është kombëtarja e Italisë pothuajse në këtë skuadër, plus lojtare të tjera cilësore nga Europa. Por, ajo që është për t’u theksuar, Vllaznia nuk do të futet në këtë ndeshje sa për të shkruar emrin, Vllaznia futet në fushën e lojës për të dhënë më të mirën. Nuk do të fukosohemi tek emri, sepse për nga madhësia e emrit jemi inferior, por mendoj se përbërja e ekipit, puna e bërë në vite, grupi i mirë i lojtareve, përbërja cilësore edhe në stafitn teknik, mendoj se këto diferenca do të zbehin disi dhe besoj se ekipi do të tregoj një përformancë shumë të mirë edhe në përballjen që kemi me Juventusin. Pastaj për kualifikim, ne do të flasim pasi ta analizojmë edhe përbërjen e ekipit tonë, sepse presim edhe një përforcim cilësor në momentet e fundit, dhe më pas do të dalim me një vendim akoma më të saktë”, theksoi presidenti Matija.

Tifozëria

Tifozëria shkodranë ka qënë vazhdimisht në mbështetje të ekipit Vllaznia në futboll për femra, disa vite radhazi kampion i Shqipërisë. Edhe mbrëmjen e 1 shtatorit, në sfidën ndaj Juventusit pritet rekord spektatorësh në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi. I pyetur për rolin e tifozërisë kuqeblu, Matija, përgjigjet:

”Kur luhen ndeshje të tilla në Shkodër, opinioni, tifozët e Vllaznisë, shkodranët në tërësi, dashamirët e futbollit, nuk kanë nevojë për thirrje. Thirrja e vetme, është luajtja e kësaj ndeshje dhe caktimi i orarit, i cili është 19.00 e datës 1 shtator. Mendoj, se tifozët e kanë thirrjen në mënyrë të vazhdueshme, sepse ne e kemi provu edhe në përballjen e dy viteve më parë me ekipin Fortuna Hjorring, ku ishte një pjesëmarrje jashtëzakonisht e madhe tifozësh. Mendoj se ardhja e Juventusit dhe niveli ku luajmë dhe përballja me këtë skuadër të madhe, do të sjellë një numër rekord tifozësh për futbollin e femrave në stadium. Dhe, nuk është thjeshtë për me ardhë me pa Juventusin, por kjo është një thirrje që u bëj tifozëve që të vijnë të mbështesin Vllazninë, sepse këto vajza kanë nevojë për mbështetjen e tifozëve.”, përfundoi njëshi i presidencës kuqeblu, Lazër Matija.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img