Një jetë të tërë tek Vllaznia për Armir Grimën. Fillimisht si portier për vite me radhë dhe kapiten i kuqebluve, fitues të Kupës në vitin 2008, më pas edhe në detyrën e trajnerit, por edhe të drejtuesit të KF Vllaznia, ndërkohë që aktualisht është në cilësinë e trajnerit të kombëtares së kombëtareës së Shqipërisë për femra. Një karriere e gjatë dhe e suksesshme, e cila vazhdon ta mabjë vazhdimisht pranë skuadrës së zemrës, Vllaznia, për të cilën ka bërë një përmbledhje kuqebluve në prag të fillimit të sezonit të ri futbollistik.
Në një intervistë dhënë për gazetarin shkodran të “Panorama Sport”, Armir Grima ka vlerësuar idenë që klubi ka, te mbështetja që po kërkohet t’u jepet të rinjve. Madje këtë e nis nga pozicioni që ai njeh dhe më mirë, pikërisht te porta. Ish-kapiteni kuqeblu është i mendimit se skuadrës duhet t’i jepet kohë për të dhënë një vlerësim të drejtë. Megjithatë, ai ka besim se edhe këtë sezon Vllaznia do të jetë konkurruese.
Pak ditë para startit të kampionatit, si e shikoni Vllazninë?
Mund të them se është herët për të dalë në konkluzione. Drejtuesit janë munduar që të bëjnë më të mirën e tyre për të afruar ata lojtarë që do t’i vlejnë për vazhdimësinë. Nuk duhet që të themi nëse është bërë merkato e mirë apo e keqe. Vetë koha do ta vërtetojë. Të presim që të japim një vlerësim konkret. Për mua ka shumë rëndësi që ekipi të funksionojë si i tillë. Pra, të ketë frymë grupi.
Janë larguar shumë nga grupi i dy viteve të fundit?
Për disa të vjen keq, por ata e dinë më mirë për të ardhmen e tyre. E thashë edhe më lart nuk duhet të jemi skeptikë për lojtarët që janë në përbërje.
Po flitet për projekte afatgjata?
Kjo do të ishte shumë pozitive, sidomos për Vllazninë, ku elementët nuk mungojnë. Shpresoj që menaxhimi të jetë më i miri i mundshëm. Kjo ka shumë rëndësi.
Porta tani i besohet një shkodrani?
Më vjen mirë që drejtuesit kanë vendosur të besojnë te vlerat e atij djali, por edhe te të tjerë portierë të dalë nga akademia. Po nuk i dhe besim s’ka se si të bëhet portier i parë. Mendoj se Qarri do ta justifikojë këtë besim dhe do të arrijë të jetë i padiskutueshëm në mbrojtje të katërkëndorit. Të gjithë duhet ta mbështesim atë ashtu si çdo të ri që është pjesë e ekipit të parë. Qarri kërkon vetëm mbështetje e besim nga të gjithë, pasi vlerat i ka.
Drejtuesit po kërkojnë vetëm për një dublues për Balajn në majë të sulmit, ju mendoni se ka nevojë edhe ndonjë afrim tjetër?
Unë nuk dua që të flas ku ka nevojë skuadra. Ka një staf dhe një trajner. Nëse ata ndihen të plotësuar çdokush që flet prej jashtë e ka gabim. Se sa do të jenë të drejta pastaj vendimet e tyre kjo i mbetet kohës.
Ku e shikoni Vllazninë në fund të sezonit me këtë grup?
E theksova, jemi shumë herët për të dalë në konkluzione. Unë jam ai i përhershmi që besoj se Vllaznia edhe këtë sezon do të jetë konkurruese deri në fund. Formula e re lë gjithçka të hapur deri në ndeshjet e fundit. Unë vijoj të jem optimist dhe të besoj se Vllaznia edhe këtë sezon do të jetë ndër pretendentet.
Admir URUÇI