Saturday, July 27, 2024

(Intervista) Analiza e Astrit Premçit. Ish kapiteni kuqeblu i pakënaqur me lojën e Vllaznisë, por beson se nesër, kuqeblutë e mundin Partizanin

Lexo

Astrit Premçi është nga ata ish-futbollistë të Vllaznisë që ka lënë gjurmë me fanellën kuqeblu. Ish-kapiteni kampion i sezonit 1997-1998, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka analizuar startin e sezonit të shkodranëve, ndërsa ka folur edhe për ndeshjen e radhës me Partizanin, që do të luhet nesër në orën 17:45 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Ish-qendërmbrojtësi ka pritur më tepër nga skuadra në këto gjashtë javë të para, ndërsa nuk ngurron të kritikojë lojën sulmuese të ekipit. Sipas tij, duhet të hiqet dorë nga aktivizimi i një numri 9 “fals”, por të luhet me qendërsulmues të mirëfilltë. Premçi i referohet aktivizimit të Ardit Hoxhajt në majë, në një kohë që lojtarët tipikë të ofensivës Kaina dhe Aralica kanë qëndruar në stol.

Astrit, çfarë përshtypjeje ju ka lënë Vllaznia pas gjashtë javësh kampionat?

Kam pritur ndoshta më tepër. Me këtë grup lojtarësh cilësorë, investimin dhe korrektësinë që kam mësuar se ka nga ana e klubit, sigurisht pritshmëritë janë për më tepër. Megjithatë, për çfarë kanë dhënë lojtarët në fushë deri më tani, mendoj se është marrë më e mira.

Çfarë nuk ka shkuar sipas jush sa u përket oshilacioneve që ka pasur skuadra?

Më vjen keq që ekipi nuk po tregon lojën që ne presim. Çfarë nuk shkon, unë nuk di, por që kanë mundësi të japin më tepër këta lojtarë, e di mirë. Po të njëjtit lojtarë kanë treguar kohë më parë se çfarë janë në gjendje të bëjnë, prandaj dhe presim më tepër.

Si një ish-qendërmbrojtës, por edhe trajner, ku mendoni se duhet të përmirësohet Vllaznia për të mos pasur luhatje?

Skuadra duhet të bëjë më mirë në fazën sulmuese. Pra, të shfrytëzojë mundësitë e krijuara. Ka probleme në lojën që po zhvillon deri më tani. Megjithatë, duhet të jesh më në brendësi të ekipit, që të japësh një mendim të saktë, edhe pse këto oshilacione njihen në një kampionat të gjatë. Unë shpresoj që të lihen pas që në takimin e radhës me Partizanin.

Theksuat lojën në sulm, pse e ka kaq të vështirë të shënojë ekipi?

Të vjen keq, aq më tepër që janë bërë disa afrime dhe duke shtuar edhe faktin se drejtuesit kanë qenë totalisht korrektë me gjithçka. Në organikë janë disa sulmues kryesorë dhe po luhet me një lojtarë gjysmësulmues, prandaj nuk më duket e arsyeshme. Loja në sulm e Vllaznisë nuk është në nivelin e duhur dhe mesa shikoj, po luhet me një gjysmësulmues si Hoxhaj në majë dhe jo me një të mirëfilltë.

Të premten Vllaznia përballet me Partizanin kryesues. Çfarë ndeshjeje prisni?

Një përballje rivalësh. Dy emra që kanë treguar se dinë të jenë rivalë të njëri-tjetrit ndër vite. E shikoj tepër të vështirë për ne si ndeshje. Partizani është një kundërshtar shumë i fortë dhe pavarësisht humbjes në derbi, mendoj se ka bërë një start të mirë. Gjithsesi, Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për të bërë maksimumin në këtë takim delikat.

Me një fitore i parakalon “demat”, sa shanse ka të ndodhë diçka e tillë?

Unë e shikoj Vllazninë fituese, pavarësisht vlerave të kundërshtarit, por duhet që lojtarët në të tilla përballje, të tregojnë edhe forcë karakteri. Për mua fiton skuadra që ka më shumë dëshirë dhe lufton fort për të arritur te suksesi. Besoj se mund të marrin tri pikë.

Çfarë duhet të bëjë ndryshe skuadra në këtë takim?

Në çdo repart duhet kujdes. Në mbrojtje sa më pak gabime. Mesfusha duhet që të luajë më shpejt dhe të bëjë sa më shumë vertikalizime të topit. Kryesorja për mua është që të luhet me sulmues kryesor. Skuadra të vërë shpirtin në fushë, mbi të gjitha.

Duke parë edhe rivalët, e mendoni Vllazninë si një prej kandidateve potenciale në luftën për titull?

Unë gjithmonë jam optimist. Mendoj se minimumi i objektivave për këtë sezon do të jenë Kupat e Europës. Mendoj se skuadra do të ketë rritje dhe me siguri që do të jemi pretendentë për titull. Gjithsesi, rruga është shumë e gjatë, por për mua cilësitë janë. Nuk ka diferenca mes skuadrave pretendente për titull. Dallimi mes ekipeve deri më tani është i papërfillshëm. Vllaznia ka forcë për të pretenduar edhe për titullin deri në fund, por duhet të korrigjojë disa gjëra.

Admir Uruçi

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img