Sunday, November 24, 2024

(Intervista) Besnik Ndoj, portjeri titullar i Adës që shënoi golin e fitores në minutën e 94’(Ada-Shënkolli 3:2)

Lexo

Quhet Besnik Ndoj. Është mbi 40 vjeç, luan titullar me ekipin e Adës së Velipojës duke mbrojtur me shumë cilësi portën e ekipit të tij, por në ndeshjen e fundit, Ada-Shënkolli për javën e 19-të të Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e dytë shfaqet si golashënues. Ishte minuta e 94-tërt kur rezultati ishte i barabartë 2-2, dhe portjeri velipojak lë portën duke shkuar në ndihmë të sulmit në kërkim të golit të fitores. Dhe, ndodh çudia. Është pikërisht ai, portjeri Besnik Ndoj që e dërgon topin në rrjetën e portjerit mik të Shënkollit. 3 me 2 për Adën e  Velipojës, dhe nuk ka më kohë, sepse këtu përfundon e gjithë ndeshja ku Ada merr tre pikë shumë të rëndësishme dhe portjeri Ndoj futet në histori.

Besnik, urime për golin, diçka krejt e veçantë në futbollin shqiptar që një portjer të shënojë golin e fitores në minutat shtesë, 94’. Ndaj me të drejtë jeni konsideruar “heroi” i takimit. Si e përjetuat një gjë të tillë?  

Ishte me të vertët një emocion i veçantë, pasi vinim mbas një ndeshje me Gramshin që përfundoi 1 me 1 dhe në një farë mënyrë për golin e pësuar në Gramsh e kisha si përgjegjësi personale që t’ia shbërblej skuadrës në ndeshjet e tjera. Ishin minutat e fundit dhe po luhej koha shtesë, pyeta arbitrin dhe më tha se ka edhe një minutë lojë. Lashë portën dhe shkova në portën kundërshtare për të marrë pjesë në një krosim në zonë. Erdhi topi nga lart, e stopova me gjoks, e ula poshtë duke e dërguar në rrjetë. I gëzuar shumë që ndihmova ekipin për të marrë tre pikë, dhe kënaqësi individuale pasi e ndjeja si përgjegjësi për ta bërë një gjë të tillë.

Patjetër që pas këtij goli tre pikëshi të realizuar në kohën shtesë duke u futur në histori keni marrë urime të shumta nga sportdashësit dhe miqtë tuaj, pëfshirë edhe ato në rrjetet sociale.

Faleminderit prej të gjithëve, por historia tashmë për mua po përfundon sepse jam 40 vjeç dhe karrierën sportive jam duke e mbyllur, por rëndësi ka ekipi dhe jo historia për mua. Sepse jemi një grup sportistësh shumë të motivuar për lojë me çuna shumë të mirë duke filluar tek trajneri Adi Mehja, i cili po bën dy punë të mrekullueshme, edhe lojtarin në fushë por edhe trajnerin, sepse është një sakrificë e madhe të kryesh dy detyra njëkohësisht. I uroj të gjithë çunave shumë respekte dhe faleminderit për sakrificat dhe kontributin që po japin për këtë ekip. E nisëm në fillim një grup krejt i thjeshtë, u ofruan çunat, respekte për të gjithë, dhe ja ku jemi me vetem një pikë larg pozicionit në tabelë për fazën Play-Off.

Rikthehemi përsëri tek fusha e lojës. Ju e thatë vetë që jeni 40 vjeç, madje diçka edhe më shumë por luani në formacion si djalë i ri, si e përballoni kampionatin?

E përballoj me shumë suskes për shumë arsye. Në radhë të parë më japin kurajo çunat e mrekullueshëm, në radhë të dytë është stervitja e një jete, sepse për çfar do lloj arsye apo dëmtimi që mund të kem pasur, nuk e kam lënë për asnjë çast dhe asnjë minut stervitjen. Karriera sportive në Greqi më ka ndihmuar jashtëzakonisht sepse atje jam aktivizuar prej 18 vitesh pa u shkëputur qoftë edhe një ditë nga sporti. Dhe, kjo më ka ndihmuar edhe për sivjet, sepse nuk e kisha fare në planet e mija, por grupi dhe kryesisht presidenti Alfred Pjetri që e falenderoj shumë, më riktheu, dhe besoj që do të jetë viti i fundit për ta mbyllur karrieren time si portjer në fushën e lojës, por ndihma e ime për sportin do të jetë gjithë jeten.

18 vite pra në Greqi dhe me një karrierë të pasur në futbollit grek. Diçka të veçantë nga aktiviteti juaj i atjeshëm?

Edhe tani që po flas kam shumë emocione. Kam shkuar 13 vjeç në Greqi duke kaluar për dy javë përmes maleve, edhe unë nuk e di se si kam mbërritur në Athinë. E falenderoj atë vend pa masë, jam shumë mirënjohës ndaj tyre dhe tashti që po flas më duket vetja sikur jam akoma atje. Kam emocione të papërshkrueshme në 6 ekipe futbolli që kam kaluar në Greqi në karrieren time si portjer. Tre herë kampion dhe falenderoj zotin që isha pjesë e atij vendi. Por, me rikthimin në Shqipëri kam edhe një falenderim këtu për ekipin tim Ada që është një ekip me traditë, me histori, kënaqësi e madhe që jam pjesë e grupit për momentin.

Por, krahas kësaj, ju jeni edhe trajner me ekipet e moshave në Akademinë e Futbollit Ada përkrah kolegut tuaj, Etrit Nika.

Mund ta quaj, si koleg, si ndihmës, sepse ai djalë është shumë i veçantë, Velipoja nuk mund të ketë djalë tjetër si ky, një kulturë sportive e mirëfilltë, ka sakrifikuar gjithë jetën për ekipin e tij, Ada. Është veterani i sportit velipojak, dhe me këtë rast i bëj thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi, biznesmenë dhe pushtetarë që ta ndihmojnë atë djalë, dhe po ashtu edhe Alfred Pjetrin, drejtuesin e Adës së Velipojës, sepse ka nevojë ky ekip për mbështetje, për ndihmë. Edhe politika të afrohet nga sporti, dhe ta ndihmojë atë, sepse sporti dhe fukaraja janë në këtë jetë gjëja më e bukur që kemi.

Dhe, në mbyllje Besnik, cili është mesazhi juaj për brezin e ri, pikërisht nga ju, nga një 40 vjeçar që vazhdon të luajë me sukses si portjer titullar, por edhe të shënojë, siç është goli i javës së fundit në shtesë ndaj Shënkollit që i dha fitoren Adës 3-2?

Nuk them të marrin shembull tek unë sepse jam 40 vjeç, sepse unë kam edhe dy çunat e mi portjerë me ekipet zinxhir, dhe don Zoti që ëndrra ime të realizohet tek ato, sepse unë po e lë. Jam madje edhe trajner portjerësh, po e ripërsëris prapë, mos të marrin shembull tek unë, por tek sporti, sepse ka breza shumë të mirë Velipoja, Shqipëria, në veçanti Shkodra, sepse unë e kam ndjekur në vite, kemi nxjerrë edhe ekipin U-17 kampion, po vazhdojnë të dalin kampionë edhe U-9, U-11 dhe U-13. Ka një gjë të veçantë Velipoja, ka edhe ca njerëz shumë të mirë, por janë edhe pak indiferentë karshi sportit. Dhe, gjej rastin t’i përshëndes përsëri çunat e Adës, me kontributin dhe sakrificat që po bëjnë, besoj se do t’i shpërblehet.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img