Ish-kampioni i vendit me Vllazninë, Elvin Beqiri ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Nga Kanadaja ku ndodhet i transferuar prej disa vitesh, ish-mbrojtësi edhe i kombëtares shqiptare ka analizuar fitoren e fundit kundër Tiranës. Sipas tij, skuadra shfaqi dy fytyra dhe ende nuk bind 100%, e ndërsa thekson se reparti i prapavijës po shfaq sërish pasiguri. Në fjalët e tij po ashtu 44-vjeçari është optimist për kuqeblutë, pavarësisht disa gjërave që duhen rregulluar.
Një Vllazni që bindi apo jo me Tiranën?
Nuk mund ta cilësoj se bindi plotësisht për mendimin tim. E them këtë se skuadra u paraqit me dy fytyra gjatë 90 minutave. Pa asnjë rrezikshmëri në pjesën e parë e shumë ndryshe në të dytën ku edhe përmbysi me meritë sipas meje. Por ende mungon ajo bindja totale tek ky ekip.
Ekipi vijon të pësojë, është ky një fakt që shqetëson sipas jush?
Ç’është e vërteta, Vllaznia ka pësuar shumë gola deri më tani në këtë edicion. Ku tregohet qartë që faza mbrojtëse e ekipit nuk ka qenë në nivelin e duhur. Ky është një shqetësim jo i vogël për një ekip pretendent për kampion.
Endri ÇINARI