Wednesday, December 24, 2025

(Intervista) Flet ish-futbollisti kampion me Vllazninë Erjon Hoti: “Vllaznia në minikrizë, rikthehet fuqishëm. Ndaj Tiranës dhe Flamurtarit mund të shpëtojmë fundvitin”

Lexo

- Reklamë -spot_img

Erjon Hoti, ish-futbollist kampion me Vllazninë ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ishmbrojtësi ka analizuar në detaje barazimin e fundit të kuqebluve ndaj Bylis, duke dalluar edhe defektet që po paraqet skuadra.

Shkodrani gjithashtu ndalet edhe tek momenti i krizës së 9 herë kampionëve të vendit tonë, duke theksuar se është diçka që e kalon çdo skuadër, por duhet gjetur reagimi i menjëhershëm. Ndër të tjera ai ndalet edhe tek performanca individuale e disa futbollistëve e po ashtu edhe ndeshjet e fundvitit kundër Tiranës dhe Flamurtarit që do zhvillojnë kuqeblutë.

Hoti, sërish një ndalesë e Vllaznisë përballë Bylis, zhgënjyes ky barazim?

Të them të drejtën prisja kthesën e Vllaznisë në ndeshjen me Bylis sepse mendova se në këtë takim kuqeblutë do ktheheshin tek ndeshjet e mira që ishim mësuar t’i shihnim. Por, duke se problematik vijojnë ndoshta edhe nga forma jo e mirë e disa futbollistëve si shkak i dëmtimeve. Dhe duket sikur skuadra ka humbur besimin dhe po kalon një “ngërç”.

Duhej ta zgjidhte ndryshe skuadra duelin me ballshiotët, dukej shumë e lexueshme në lojë…

Mendimi im është se Vllaznia duhej të ishte treguar më këmbëngulëse për të treguar vlerat e saj, por në totalin e ndeshjes nuk ishte edhe aq këmbëngulëse dhe bindëse. Kishte mungesë kombinimesh dhe shumë topa të humbur sidomos në 30 metrat e fundit, ku duhej të ishin më të përqendruar dhe saktë për të shënuar. Dhe nga dëshira e madhe për të shënuar kalonin në individualitet dhe ky them se ishte një gabim që i kushtoi Vllaznisë 2 pikë të humbura në këtë ndeshje.

Mund të themi se ky duel konfirmoi krizën e Vllaznisë?

Çdo ekip gjatë kampionatit kalon një mini-krizë dhe e kam fjalën edhe për ekipet pretendente për të dalë kampion. Egnatia dhe Dinamo e kaluan në fillim e ndërsa Vllaznia po e kalon tani, por shpresoj të mos zgjasin shumë. Sepse u bënë 5 ndeshje radhazi pa fitore dhe këto janë shumë për një ekip që kërkon titullin kampion.

Pse kjo rënie e skuadrës në këtë moment sipas jush?

Për mua shkaku kryesor i kësaj rënie janë dëmtimet e shumta që ka pasur skuadra, por edhe mund të them mungesa e marrjes së përgjegjësisë nga futbollistët kryesorë të skuadrës, të cilët janë afruar me një bujë të madhe tek Vllaznia.

Para disa kohësh kam folur pikërisht për gazetën tuaj dhe më keni pyetur nëse mendoja se Kastrati dhe Kallaku do ishin liderë të ekipit. Përgjigja ime ka qenë se ata kërkojnë kohën e tyre për t’u përshtatur dhe sot jemi në një pikë ku vetëm Kallaku po jep pak shenja pozitive. E ndërsa Kastrati është shumë larg pritshmërive që ne kishim. Pra, gjithë këto që përmenda ndikojnë në këtë rënie dhe formë të ekipit.

Si dilet nga një situatë e tillë?

Nga kjo situatë dilet me qetësi dhe besim te njëri tjetri, t’i harrojnë këto ndeshje që kaluan dhe të mendojnë sikur kampionati fillon me Tiranën. Dhe ta rindezin kampionatin me vrullin e fillimit! Mendoj se këtë krizë do dinë ta kalojnë sepse aty janë Martini dhe Sinani. Janë dy persona që unë i vlerësoj shumë dhe kam besim te aftësia e tyre.

Ndikon ana fizike që nuk është në 100% tek disa futbollistë?

Normalisht që ana fizike ndikon shumë, sepse është parë qartë që lojtarët që kanë kaluar dëmtime kanë pasur mungesë të theksuar fizike dhe teknike. Pasi kur nuk je mirë fizikisht nuk mund të jesh mirë as teknikisht dhe këtë gjë po e shohim nga ndeshja në ndeshje.

Keni ende besim se Vllaznia mund të rikthehet në krye?

Patjetër që kam besim se Vllaznia mund të kthehet në krye, pasi janë këta futbollistë që udhëhoqën kampionatin për disa javë edhe fituan me ekipet pretendente. Shpresoj që ky moment të kalohet që në ndeshjen e radhës me Tiranën.

Mbyllet viti me Tiranën dhe Flamurtarin në Shkodër, janë vetëm 6 pikë të vlefshme për kuqeblutë në këto dy duele?

Duhet ta vlerësojnë në maksimum dhe si një finale ndeshjen me Tiranën pasi nuk duhet të shkojnë në Tirane me idenë se po luajnë me ekipin e fundit dhe me ekipin që po e mundin të gjithë. Pasi ne si shkodranë e kemi pas një si zakon të keq mund të them, sa herë që ekipeve tjera i janë dashur pikët, i kanë marrë me ne.

Por, shpresoj shumë që këtë herë mos të ndodhë kështu dhe të kthehen te fitorja dhe pastaj me një moral të ngritur ta mbyllin me fitore në ndeshjen e fundit me Flamurtarin. Pastaj pushimi do t’i vlejë për një analizë të saktë për të bërë edhe përmirësime pse jo edhe për ndonjë lëvizje në merkato.

Panorama SPORT.AL

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img