Ish futbollisti i njohur i Tiranës dhe i ekipit tonë përfaqësues, sot në postin e përgjegjësit të sektorit të femrave pranë FSHF-së Florian Riza, ishte i pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi” duke ndjekur miqësoren ndërkombëtare të futbollit të femrave, Vllaznia-Mitrovica. Në përfundim të saj, Riza foli për futbollin e femrave duke e konsideruar Vllazninë favorite për kalimin e turit, ndërkohë që duke folur për futbollin e meshkujve, Vllazninë e drejtuar nga Brdariç e shikon pretendente absolute për titull.
Riza, kjo miqësore, mes dy kampioneve të Shqipërisë dhe Kosovës, sa i shërbeu Vllaznisë dhe Mitrovicës që pas pak ditësh luajnë ndeshjet zyrtare europiane?
I shërbeu shumë, ishte një test paraparak, të dyja skuadrat janë pjesë e kompeticionit të rëndësishëm Liga e Kampioneve të Europës në futboll për femra. Vllaznia, do të ndeshet me fituesen e çiftit fitues, poloka-hungarez, ndërsa Mitrovica do të luajë me datë 18 gusht ndaj Velerenges së Norvegjisë, një ekip ky shumë i fortë. Megjithatë, mendoj se të dyja skuadrat janë shumë serioze në përgatitjet e tyre. Besoj se të dyja skuadrat i kanë mundësitë ta kalojnë turin, shanset më të mëdha i ka Vllaznia sepse kundërshtari i saj mendohet të jetë relativisht më i dobët se sa ai i Mitrovicës, Valerenga. Gjithësesi, mendoj se të dy ekipet kanë një përgatitje shumë serioze dhe një të ardhme shumë të mirë.
Duke u ndalur disi më shumë tek Vllaznia, e cila vetem pak ditë më parë u përforcua me 7 futbolliste të huaja, mendoni se ka krijuar një skuadër potente?
Me atë çfar pashë edhe në miqësoren me Mitrovicën, besoj shumë se do ta kalojë finalen, sepse Vllaznia është kualifikuar në finalen e këtij grupi për shkak të shortit që në turin e parë kaloi pa pasur kundërshtar. Duke menduar se në çiftin polako-humgarez, fitues mund të jetë skuadra polake, Vllaznia i ka të gjitha shanset për ta kaluar me sukses këtë ndeshje.
Ju pamë që miqësoren, Vllaznia-Mitrovica e ndoqët së bashku me trajnerin e kombëtares së femrave, Armir Grima. Mendoni se kombëtarja e jonë ka bërë hapa përpara në drejtim të cilësisë së saj?
Mendoj se dhe në rangun e kombëtares jemi në një rrugë të mbarë. Kualifikueset për Botërorin e Australisë 2023 do të fillojnë në shtator dhe pikërisht ndeshja hapëse e grupit tonë do të jetë më 16 shtator kundër kombëtares së Kosovës. Dhe, kjo ndeshje na shërbeu për të parë edhe lojtaret e ekipit kombëtar, ku një pjesë e tyre luajnë me Vllazninë, por një pjesë e kundërshtareve të tyre lujnë me Mitrovicën. Prandaj ne i ndjekim këto ndeshje së bashku me trajnerin, ashtu siç do të ndjekim edhe dy ndeshjet europiane të Mitrovicës me datë 18 gusht dhe Vllaznisë me datë 20 gusht për të parë lojtaret e ekipit tonë kombëtar. Por, në të njëjtën kohë ndjekim edhe kundërshtarët, sepse shorti na ka vënë në një situatë shumë të mirë mund të themi sepse luajnë përballë ekipeve të Norvegjisë, Polonisë dhe Kosovës që janë kundërshtarë të kombëtares shqiptare në grup.
Kalojmë paksa tek futbolli i meshkujve ku si ish futbollist dhe analist në studiot televizive të kryeqytetit, mendoni se sezoni i ri futbollistik duket se do të jetë edhe më interesant se i vjetshmi, kur kemi parasysh edhe ardhjen e Dinamos që menjëherë është pozicionuar si pretendente?
Nëse deri dje thamë që kampionati i sezonit të kaluar prodhoi një kampionat aq agresiv, qoftë në atë të rënies nga kategoria, apo në luftën për titull, ku Vllaznia ishte pretendente deri në momentet e fundit të garës, kampionati i sivjetëm mendohet të jetë akoma më i ashpër në dy frontet. Sa vjen dhe shtohet niveli i kampionatit tonë. Vetë paraqitjet dinjitoze të ekipeve tona në Kupat e Europës, tregoi edhe një herë që neve po e rrisim shumë nivelin, dhe kampionati shqiptar, shumë shpejt do të kalojë në një stad tjetër ku koefiçienti i pjesëmarrjes në Champions League do t’i përkasin një niveli tjetër më favorizues.
Vllaznia bëri shumë mirë sezonin e kaluar, fituese e Kupës së Shqipërisë dhe nënkampione vetëm me golaverazh. Ku e shikoni skuadrën kuqeblu në sezonin e ri futbollistik?
E shikoj po në të njëjtën linjë, pra pretendente kryesore absolute gjatë të gjithë sezonit futbollistik. Pra, nëse vitin e kaluar ishte një surprizë, sot është një realitet, dhe Vllaznia do të vazhdojë të jetë një pretendente kryesore për të fituar kampionatin.