Quhet Gleart Golemi, një djalosh shumë i pasionuar pas sportit, dhe kryesisht futbollit, me të cilin ka vendosur që të bashkëjetojë gjatë. Pjesë e një familje të njohur intelektuale shkodrane, prindërit e tij, synonin që Glearti të vazhdonte traditën e tyre duke u shkolluar në specialitetetin e inxhinierisë, ndaj edhe ia privuan vazhdimësinë e aktivitetit futbollistik që nisi me ekipet e moshave. Megjithatë, këmbëngulja e tij për të qënë sa më pranë futbollit bëri që ai t’ia arrinte qëllimit, por në një profil tjetër, atij të trajnerit dhe të studiuesit të futbollit. Dhe, falë këtij pasioni, vullneti , sakrifice dhe këmbëngulje, mbërriti aty ku është sot, student në Universitetin më të madh sportiv të Gjermanisë, si dhe t’i besohet detyra e trajnerit dhe vidioanalistit në klubin Bayer Leverkusen, si dhe stafin e kombëtares gjermane. Dhe, të gjitha këto, Gleart Golemi i ka arritur kur nuk është më shumë se 21 vjeç.
Për t’u njohur më gjërësisht me historinë interesante të këtij djaloshi të talentuar shkodran, lexoni ndiqni intervistën ekskluzive që Veriu Sport zhvilloi me Gleart Golemin, e ardhja e të cilit është e garantuar se do të jetë në nivelet më të larta të futbollit gjerman, por gjithmonë pa harruar edhe Shqipërinë dhe Shkodrën e tij të dashur.
Është kënaqësi dhe nder për Shkodrën dhe shkodranët që emri juaj figuron në stafin teknik të disa klubeve të njohura të futbollit gjerman, dhe po ashtu edhe në stafin e kombëtares gjermane. Konkretisht, ku jeni i sistemuar, dhe me cilin klub gjerman po bashkëpunoni?
Unë momentalisht, po bëj një specializim (si detyrim shkollor) tek Akademia e Bayer Leverkusen në rolin e dyfishtë të zv trajnerit- video analistit. Personalisht jetoj në Këln, 30 min larg Leverkusen.
Përpara se të vijojmë më tej me pyetjet tonë rreth karrieres tuaj të atjeshme në futbollin gjerman, është me interes, të dimë sesi u bë zhvendosja e juaj, nga Shkodra në Gjermani?
Un pata një shkëputje nga futbolli i luajtur që nga vitet e para të adoleshences, për shkak edhe të imponimit të prindërve që këmbëngulnin se unë duhet të fokusoheja tek shkolla, aty ku kisha edhe rezultate të larta. Por pasioni im për futbollin ishte&është shumë i madh dhe nuk e imagjinoja veten që në të ardhmen të bëja diçka tjeter larg futbollit. Kështu nga mosha 15-16 vjeçare më erdhi si ide profesioni i trajnerit. Që në vit të parë gjimnaz, fillova të studioja, të shikoja shumë video në YouTube apo të lexoja shumë libra që të përgatitesha sa më shumë të jetë e mundur. Prindërit, fillimisht nuk ishin dakord me atë që kisha zgjedhur unë, por me kalimin e kohes u binden duke parë edhe përkushtimin tim, madje duke sakrifikuar edhe pushimet verore apo daljet me shokë. Në tetor të vitit 2019, u largova nga Shkodra për në Gjermani, për të filluar studimet në shkollën sportive të Këlnit.
Me sa jemi të informuar, fillimet tuaja ishin me futbollin në ekipet amatore të Shkodrës. Aq sa keni qëndruar deri në moshën 14 vjeçare, me cilët trajnerë të moshave keni bashkëpunuar?
Unë kam pasur një bashkëpunim të shkurtër me trajnerin Taip Piraniqi dhe më të gjatë tek Akademia e Vllaznisë me prof. Gjon Kolen.
Babai juaj, Admir Golemi, është ndër inxhinierët elektrikë më të njohur të Rajonit e më tej, përse nuk zgjodhët traditën e babait, por kaluat në fushën e sportit?
Dëshira e familjes ka qënë të vazhdoja rrugën e babit. Babai këmbngulte në këtë gjë, deri në momentin që ne të dy- si shokë të mirë folem me njëri-tjetrin dhe i thashë me sinqeritet: “Bab, nëse ka një profesion që unë mund të jap ma t’miren dhe t’la shenje, atëhere asht futbolli. Do punoj fort vazhdimisht derisa të arrij qëllimet e mia. Aty ishte edhe pika e ktheses. Nuk mund t’marrë frymë pa futboll, futbolli asht jeta ime.
Mesa di unë, ju keni edhe një motër më të vogël gjimnaste e talentuar, çka tregon se sporti në familjen tuaj është kthyer në passion.
E vertete. Motra ka qënë shumë e talentuar, por fatkeqësisht nuk e vazhdon më gjimnastiken. Une personalisht kam këmngulur ta vazhdonte duke parë që ishte rregullisht kampione kombëtare. Duke parë që sporti i Gjimnastikes nuk të ofron një të ardhme, motra hoqi dorë.
Rikthehemi në Gjermani, aktualisht ju vazhdoni të studioni për sportin në Universitet?
Po, unë vazhdoj të jem akoma student. Punën si video analist- zv trajner e bëj në part time.
Fillimet tuaja në Gjermani kanë qënë padyshim të vështira, ka kaluar tashmë ajo fazë në një farë mënyre?
Veshtirësitë kanë qënë, janë dhe do vazhdojnë të jenë. Edhe pse jam akoma i ri- 22 vjeç, kam kaluar shumë peripeci dhe ka pas pengesa të mëdha gjatë rrugës. E kam filluar karrieren time si trajner i një ekipi amator U-10. Kam punuar ditë-natë, dimër-vere fort për tu përmirësuar në mënyrë që puna ime të bie në sy. Një emigrant që të ketë sukses, duhet të punojë 10-here më shumë se një vendas. Vitin e kaluar arrita të bëhem Zv.Trajner i një ekipi U-17 në Ligën e dytë Gjermane për të rinj. Deri në ndeshjen e fundit luftuam për ngjitjen në Bundeslige, arritje që do ishte e para në histori të klubit, por fatkeqësisht e mbyllëm kampionatin me 2 pikë më pak se vendi i parë. Në shtator të këtij viti duke parë edhe punen time pozitive, profesori i futbollit në shkollë më sugjeroj tek Bayer Leverkusen, aty ku momentalisht po bëj specializimin.
Ju jeni i vetmi shqiptar, apo ka edhe të tjerë që studiuoni dhe punoni në Gjermani në këtë profil, apo ka edhe të tjerë?
Të jem i sinqertë, në shkollen ku studioj nuk kam takuar akoma një Shqiptar. Kam pyetur dhe jam interesuar, por mesa duket jam shqiptari i vetem që studioj aty. Drejtuesit e klubit tek Leverkusen janë shumë të respektueshëm. Unë, me punen time mundohem të përfaqesoj edhe kombin tim- një komb që ka vuajtur, por punëtor që nuk heq dorë për pasionet/idealet e tij.
Interesante është prezenca dhe roli juaj në stafin e kombëtares Gjermane. Si është bërë e mundur të mbërrinit deri në atë pozicion?
Pas fillimit të studimeve, dhe kualifikimeve shtese që unë personalisht bëja, hyra në një sistem testimi në federaten Gjermane të futbollit ku duhej t’i nënshtroheshim trajnimeve dhe në fund 2 testeve, para se të zgjidheshim si video analistë në ndihmese të kombëtares. Nga 130, 32 analistë ia dolëm me sukses dhe që 2 vite i shërbejmë kombëtares gjermane. Stafi i kombëtares përbehet nga trajneri, 2 zv.trajnerë, 1 përgatites atletik dhe 3 videoanaliste. Prapa kuintave jemi edhe 30 analistë nga e gjithë Gjermania që mbështesim kombëtaren në analizen e kundërshtarëve. Një “Highlight” për mua ka qënë analiza e ekipit të Spanjes, ku unë isha përgjegjës për 6 lojtarë individuale, po ashtu edhe për fazen defensive të ekipit Spanjoll.
Me aq sa keni përvojën e marrë në Gjermani, si e vlerësoni situatën e futbollit në Shqipëri, jo vetem të Superiores dhe kombëtares, por edhe të kategorive të tjera, përfshirë edhe ato të moshave?
Të jem i drejtpërdrejtë, Shqipëria është akoma shumë shumë larg futbollit profesionist. Filloj këtu me ekipet më të mira të Superiores. Nuk ka pothujse aspak zhvillim me 10 vitet e mëparshme. Bota po ecen me hapa gjigande, po zhvillohet dita-dites. Në Shqipëri nuk ekzistojnë kushtet minimale profesionale. Përsa i përket moshave, çdo her që vij në Shkodër shkoj t’i ndjek ekipet, si në stërvitje apo edhe ndeshje. Ka shumë punë për tu bërë. E them që nga zhvillimi i një projekti për zhvillimin e fëmijëve tek Akademia, ku duhet të ketë ide dhe koncepte të qarta që duhet të ndiqen nga të gjithë deri tek dizenjimi i seancave stërvitore- të cilat duhet të jenë me koherente. Fatkeqësisht nuk shoh shumë fytyra tëe lumtura fëmijësh, kur dalin nga stërvitja.
Diçka, edhe për Vllazninë, skuadrën e qytetit tuaj të lindjes. Sa e ndiqni dhe sa dhe si është mundësia e bashkëpunimit me strukturat teknike kuqeblu?
Vllazninë mundohem ta ndjek sa më shumë të jetë e mundur në varësi të kohës që kam në dispozicion. Vllaznia asht në zemren teme, sepse vete jam një djale i rritur tek stadiumi. Por objektivi im është karriera në Europen Perendimore, momentalisht në Gjermani. Po punoj fort që të ngjis shkallët dalengadalë, lart e më lart. Gjithsesi, nëse dikush kishte pas nevojë për ndonjë këshillë apo përvojë timen, si tek kombëtarja gjermane, ashtu edhe te Bayer Leverkusen, padyshim që jam i hapur ti ndihmoj. Dua edhe unë me gjithë zemer që futbolli në Shqipëri të zhvillohet, veçanërisht në Shkodër.
Gaspër MARKU