Tuesday, November 26, 2024

(Intervista) Hysen Dedja: Një Vllazni e shthurur. Me largimin e Brdariç duhet të ishte larguar edhe Plori. Shpresat e Europës më shumë tek Kupa

Lexo

Hysen Dedja e konsideron shumë zhgënjyes kampionatin që ka bërë deri më tani Vllaznia. Ish-trajneri që ka fituar edhe titullin kampion në krye të kuqebluve në vitin 1998, në një intervistë dhënë gazetarit shkodran, Admir Uruçi për “Panorama Sport”, analizon ecurinë e Vllaznisë dhe krizën e rezultateve. Sipas tij, gabimet e klubit kanë nisur me merkaton, ndërsa mendon se nuk mund të pritet ndryshimi i situatës nga trajneri aktual, Elvis Plori, që deri pak javë më parë ishte bashkëpunëtori më i afërt i Tomas Brdariç. Dedja sheh një Vllazni të shthurur, edhe pse beson se do të jenë në finalen e Kupës për të dytin edicion radhazi.

Zoti Dedja, si e shikoni situatën që po kalon Vllaznia?
Vllaznia po kalon një krizë rezultatesh dhe kjo mund të jetë e lidhur me një sërë komponentësh. Megjithatë, unë vijoj që të jem i mendimit se klubi ka gabuar këtë sezon që në startin e punës. Ka bërë disa afrime cilësore, por ka marrë edhe disa lojtarëve të cilët këtë sezon kanë luajtur apo jo 10 minuta. Pra, Vllaznia ka gabuar në merkato. Asnjë ekip nuk e ka luksin që të marrë lojtarë dhe ata të luajnë vetëm 10 minuta, për më tepër Vllaznia që është një fidanishte ku prodhohen futbollistë.

Kjo krizë rezultatesh ka një shpjegim teknik?
Ato që janë brenda mund ta dinë më mirë. Unë flas për çfarë kam parë në fushën e lojës. E kam ndjekur Vllazninë në çdo takim dhe kam konstatuar oshilacione. Drejtuesit kanë thënë se ekipi ka dy muaj pa marrë rrogëm, por unë nuk mendoj se ky është shkaku. Ajo që më habit është se shikoj lojtarët që nuk janë aty ku duhet.

Më konkretisht, çfarë nuk shkon në lojën e ekipit?
Ta nisim nga mbrojtja. Ndërhyrjet e bëra në këtë repart ishin më të mirat. Në vend të Imamit erdhi Dianje, ndërsa Isaevski u zëvendësua me Hakajn. Gurishta dhe Adili ishin aty. Mirëpo, sidomos tek Adili shikoj se nuk është ai i vjetshmi. Skuadra ka luajtur në mbrojtje më e stabilizuar gjatë kampionatit të kaluar, duke pasur unitet. Ndërsa këtë sezon ka një shthurje dhe për më tepër mungon impenjimi i duhur, duke lënë shumë për të dëshiruar. Herë-herë kalohet në aventurë dhe kjo nuk më ka pëlqyer aspak.

Vllaznia largoi trajnerin Brdariç, por që prej atij vendimi ende nuk ka arritur një fitore. Si e komentoni?
Më mirë e di stafi drejtues. Ndoshta mund ta kenë bërë për të ulur koston apo kanë parë që nuk kanë çfarë të marrin më prej tij, por unë kam mendimin se me largimin e Brdariçit, duhet që të ishte larguar edhe stafi minimalisht, edhe Plori që sot drejton ekipin. Personi më i afërt i trajnerit për dy sezone dhe që ka diskutuar gjithçka me gjermanin, nuk ka se si ta ndryshojë situatën, pasi dashje pa dashje kanë marrë e kanë dhënë nga njëri-tjetri.

E rrezikon tashmë Vllaznia objektivin për Kupat e Europës?
Mundësia dhe besimi im është që Vllaznia të jetë në Europë përmes Kupës. Vllaznia e fitoi ndeshjen e parë ndaj Partizanit, por vetëm arbitri nuk mendonte kështu. Bëri më shumë se kundërshtari në atë ndeshje dhe ka tashmë një eksperiencë, që është ajo e vjetshmja si fituese e Kupës në fuqi. E shikoj Vllazninë në finale dhe ky do të jetë një plus i madh për të qenë sërish në Kupat e Europës.

Po përmes kampionatit a mund të kapë vendin e tretë?
Mendoj se është një rrugë më e gjatë. Do ta ketë të vështirë, pasi në luftë janë edhe dy skuadra që kanë cilësi, pa përjashtuar faktin që tani këtë vend e kërkon edhe Partizani. Por, nuk është e pamundur.

E keni drejtuar Vllazninë në momentet më të vështira, por gjithashtu si trajner keni fituar edhe titullin. Si mund të ndryshojë kjo situatë sipas jush?
Më vjen keq që kjo skuadër bëri regres. Kishim 10 vite që vuanim nën drejtimin e bashkisë, ndërsa sezonin që shkoi, kjo Vllazni ishte solide në të gjitha drejtimet. Bëri atë që ne të ndiheshim shumë krenar për të. Ishte kampionia morale e kampionatit dhe bëri realitet fitimin e Kupës, prandaj dhe për këtë nuk na munguan lëvdatat. Këtë sezon pritshmëritë tona ishim më të larta, por zhgënjimi deri tani është i madh. Edhe në kohën kur Vllaznia përpëlitej për mbijetesë, nuk ka pasur një diferencë 21 pikë me vendin e parë. Sot është në vendin e katërt dhe ka këtë diferencë. Këtë sezon ne prisnim një Vllazni që të ishte me pretendime serioze, më të disiplinuar në të gjitha aspektet, pasi edhe eksperienca te drejtuesit, stafi teknik dhe vetë lojtarët, duhet të kishte ndikimin e vetë për mirë. Këtë nuk e kemi parë deri më tani. Për mua, stafi drejtues dhe ai teknik, duhet që të bëjë një analizë të thellë për të nxjerrë të gjitha mësimet. Kjo analizë duhet që të jetë në detaje, pa anashkaluar asgjë.

Admir Uruçi

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img