Wednesday, November 27, 2024

(Intervista) Hysen Zmijani, analizon Vllazninë: Oshilacionet, shqetësimi kryesor tek kuqeblutë!

Lexo

Ish futbollisti i njohur shkodran, Hysen Zmijani, që krahas Vllaznisë dhe kombëtares kuqezi, ka luajtur edhe për disa skuadra të huaja, që nga Franca deri në Arabinë Saudite analizon ecurinë e Vllaznisë në këtë sezon. Duke u ndalur edhe në dështimet e fundit, gjatë intervistës dhënë për “Panorama Sport”, ndalet tek oshilacionet dhe luhajet e kuqebluve.

Çfarë po ngjet me këtë Vllazni, ku dukej se me fillimin e vitit situata kishte ndryshuar, por në dy ndeshjet e fundit ekipi sërish u kthye te humbjet?
Është diçka shumë e habitshme, se si prej atij takimi shumë të mirë, nga më të mirët e luajtur deri tani ndaj Partizanit, dhe po ashtu asaj fitoreje bindëse ndaj Laçit, skuadra humb dy ndeshje rresht, duke mos treguar sërish një stabilitet në lojë e rezultate. Ajo që vë re unë është se fjala oshilacion ka sërish vend te ky ekip. Nuk arrij që të kuptoj se çfarë po ngjet në skuadër. Goditemi lehtë dhe shënojmë me shumë vështirësi.

Nisur nga takimi i fundit, si e vlerësoni lojën e Vllaznisë?
Të them të drejtën nuk mund të thuash se Vllaznia nuk luajti mirë. Loja nisi me një gol të shpejtë, gjë që edhe ndikoi. Skuadra luajti mirë, por sërish në një moment shpërqendrimi ndëshkohemi. Goli i anuluar mendoj se ndikoi në rezultat. Por mund të them se ne me të vërtetë luajtëm mirë, por kundërshtari luajti më mirë se ne. Erzeni ka një skuadër të mirë që pa frikë i nxjerr punë çdo kundërshtari, i cili do të kërkojë që të luftojë për titull.

Sa kanë ndikim mungesat?
Normalisht që ndihen, dhe madje shumë, e sidomos në repartin e mbrojtjes. Çdo lojtar ka ndikimin e vet. Janë mungesa të rëndësishme.

Si e shikoni Vllazninë me një sulmues si Balaj?
Dihen vlerat e Balajt, por ndoshta në këtë takim të parë si titullar ishte herët që të ishte në ritmin e lojës. Këtë ndoshta shikova unë në takimin e parë. Ndërsa s’e vë në dyshim se do të jetë një pikë e fortë referimi në sulm.

Çfarë duhet që të rregullojë Vllaznia, sipas jush?
Duhet që sulmi dhe mesfusha të tërheqin më shumë përpara dhe duhet që Vllaznia t’u ikë lojërave me topa të gjatë. Aty ka lojtarë që dinë të luajnë mirë topin dhe ta qarkullojnë më shumë atë. E kemi shikuar edhe në Shkodër, madje dhe jashtë saj, që kanë ekip, i cili e dominon Vllazninë në mbajtjen e topit apo qarkullimin e tij. Vllaznia duhet që të luajë lojën e saj. Nëse e bën këtë e ka treguar se arrin rezultatin që dëshiron.

Në fundjavë Kukësi, si e shikoni këtë takim?
Nëse duhet thënë fjalët më të mira për atë që ka paraqitur deri tani Erzeni apo edhe ndonjë skuadër tjetër, Kukësi është skuadra që deri tani s’ka bërë asgjë. Vllaznia duhet që të fitojë me çdo kusht këtë takim. Në të kundërt mund të them se e shikoj shumë larg atij objektivi që i ka vënë vetes për të dalë kampion.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img