Monday, November 25, 2024

(Intervista) Ish futbollisti shkodran që jeton në Kanada, Ilir Dibra, analizon startin e Vllaznisë, dhe pritshmëritë për vazhdimësimë

Lexo

Ilir Dibra, një kampion me Vllazninë, pavarësisht se është shumë larg Shkodrës, në Kanadanë përtej Atlantikut, sërish e mban një vesh te ekipi i tij i zemrës. Ai e ka ndjekur skuadrën e tij edhe gjatë përgatitjeve të saj për sezonin e ri, por edhe ka mbetur jo pak i zhgënjyer nga starti i skuadrës kuqeblu. Gjithsesi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai shpreh besimin e plotë se skuadra do të arrijë të dalë në lojën e saj dhe do të arrijë që në takimin e kësaj jave fitoren e parë të sezonit. Ai ka folur për afrimet dhe po ashtu edhe për besimin që ka se ky mund të jetë sezoni i Vllaznisë.

Ilir, larg Shkodrës fizikisht, por jo me shpirt e zemër. Apo jo?

Edhe pse u bënë disa vite që jetoj jashtë Shqipërisë, nuk e harroj kollaj Shkodrën e sidomos Vllazninë, të cilën vazhdoj ta ndjek me zemër, me shpirt dhe me dëshirën e madhe që ta shikoj sërish kampione.

Sa e keni ndjekur Vllazninë në përgatitjet për këtë sezon të ri?

Jam munduar ta ndjek nëpërmjet rrjeteve sociale, me bisedat që bëj me disa prej drejtuesve të saj, nëpërmjet jush gazetarëve dhe lajmeve sportive, si dhe përmes emisioneve sportive. Kam informacion që kanë bërë një fazë përgatitore të mirë, kanë afruar disa lojtarë cilësorë dhe mendoj se janë gati për të luftuar për titullin kampion.

Çfarë ju pëlqen deri tani dhe çfarë jo?

Më pëlqen mënyra e organizimit që ka bërë presidenti Alban Xhaferi me stafin e tij, ku në dy vite e ngriti emrin e Vllaznisë aty ku i takon, pra në majat e kampionatit shqiptar në vitin e parë dhe për dy vite nën drejtimin e tij, si asnjëherë më parë, Vllaznia mori dy Kupa të Shqipërisë radhazi. E vetmja gjë që nuk më pëlqen janë kontratat afatshkurtra. Ato duhen bërë me afat të gjatë që një ekip që ndërtohet, të mos prishet vitin tjetër.

Ku duhet të ishte bërë më shumë në merkato?

Unë mendoj se në repartin e sulmit duhet të ishte bërë më mirë nga ana cilësore, jo se nuk është bërë, por Vllaznisë i duhet një golashënues, apo lojtari “gol”, siç thuhet shpesh.

Si e shikoni në krahasim me ekipin e një sezoni më parë?

Unë mendoj se sezonin që kaloi ka qenë një Vllazni stabël, ku arriti që të fitojë për të dytin vit Kupën e Shqipërisë. Ndërsa sa i përket këtij viti, duhet ta shikoj në disa ndeshje që të kem një përgjigje më të saktë ndaj pyetjes suaj. Megjithatë, nga sa shikojmë nga emrat, janë bërë shume lëvizje. Kanë ikur lojtarë dhe kanë ardhur të tjerë, që flitet se kanë cilësi. Ardhja e teknikut Josa në krye të ekipit, ashtu siç dha frytin e saj me fitimin e Kupës, do të japë të njëjtën gjë edhe kësaj here. Tekniku Josa është një njohës i mirë i Vllaznisë dhe i Shkodrës, por edhe i kampionatit tonë në përgjithësi. Ky është një favor që duhet shfrytëzuar.

A është ndërtuar kjo skuadër për fitimin e titullit kampion?

Mendoj se është ndërtuar për titullin kampion dhe duhet që të bëjnë të gjithë më të mirën se ka kohë që i mungon Shkodrës një titull. Unë edhe këtë vit e shikoj një prej skuadrave pretendente për titull.

Megjithatë, starti nuk ishte ai që pritej, nisi me një humbje ndaj Erzenit?

.Ai takim la shumë për të dëshiruar. Skuadra nuk tregoi asgjë nga çfarë realisht prisnim. Megjithatë, unë sërish besoj se fytyra e Vllaznisë nuk do të jetë ajo e takimit të parë. Madje këtë gjë e pres të ndodhë që në takimin e radhës ndaj Kukësit. Kam besim se që në këtë takim ne do të kthehemi te fitorja.

Në kaq pak ditë të mbetura nga merkatoja, a duhet të forcohet sipas jush më shumë kjo skuadër? Nëse po, në çfarë pozicioni?

Mendoj se nga drejtuesit është bërë maksimumi dhe nuk kanë nevojë për forcime të tjera, me përjashtim nëse gjendet një lojtar tipik goli. Tani pritet që këta lojtarë të shprehin në fushë aftësitë e tyre.

Po merreni me trajnim në Kanada?

Për sa më përket mua, këtu në Kanada po merrem me trajnimin e djalit tim, Reit, i cili merret me futboll dhe para dy javësh ishte në Gjermani për provë. Roli i djalit është qendërmbrojtës, ashtu siç kam luajtur edhe unë në të shkuarën. Shpresoj që të ketë një karrierë të suksesshme këtu, por edhe një ditë ta shikoj duke luajtur edhe për ekipin e zemrës, Vllazninë. Si çdo shkodran, edhe im bir ka ëndërr të veshë fanellën e Vllaznisë e të ekipit tonë kombëtar. Dhe në fund të kësaj interviste dua t’ju falënderoj që më dhatë mundësinë të jap një opinion në lidhje me Vllazninë e këtij sezoni. Kam një falënderim të veçantë për tifozët e zjarrtë të saj, të cilët janë të jashtëzakonshëm, si dhe një tifoz shumë të veçantë, që e ndjek Vllazninë gjithmonë në heshtje, doktor Ormir Bushatin.

Admir Uruçi

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img