Astrit Premçi, ish-kapiteni kampion me Vllazninë, u ka bërë një analizë 7 javëve të para të kuqebluve. Në intervistën për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi ka vënë theksin te merkatoja e zhvilluar, përzgjedhja që është bërë dhe ulja e kostove.
Sipas Premçit, asgjë nuk ka rezultuar deri tani e suksesshme. Për ish-kapitenin, pesha pritet që të bjerë te lojtarët, të cilët ishin pjesë e sezonit të shkuar. Sa i përket ndeshjes me bardheblutë që do të luhet të shtunën në Kukës, për Premçin, Vllaznia ka për ta pasur të vështirë, pavarësisht se të tilla takime i nxisin lojtarët për të dhënë më të mirën.
Astrit, si e keni parë Vllazninë e këtyre javëve?
Nuk jam aspak i kënaqur. Për mua është larg pritshmërive. Lojë me oshilacione dhe pa grintën e duhur.
Çfarë nuk po shkon sipas jush?
Mendoj se duhet ta shikojmë këtë që në nisje. Kam përshtypjen se lojtarët e ardhur në merkato nuk janë për të qenë te Vllaznia. Unë e di që presidenti ka vënë gjithçka për të ndërtuar një ekip pretendent, por afrimet që fliten se janë bërë për të ulur shpenzimet marrin më shumë nga sa do të kishin marrë në çdo klub tjetër. Kur flitet për të ulur shpenzimet duhet të flitet që emrat e titullarëve siç janë Balaj, Mala, Hakaj e të tjerë, të sakrifikojnë për klubin. Apo afrimet e bëra të tregojnë se janë të zotë për të mbajtur peshën e Vllaznisë, gjë që s’po rezulton e tillë.
Sa kanë ndikuar dëmtimet e shumta në javët e fundit?
Vetëm tri janë dëmtime, sepse të tjerat nuk i quaj të tilla.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Hakaj, Smajli dhe Qarri janë lojtarë të rëndësishëm, ndërsa të tjerët që kanë munguar, nuk mendoj se ndikojnë.
Ndaj Dinamos skuadra kaloi e para në avantazh, por nuk e mbrojti dot rezultatin…
Ekipit po i mungon grinta dhe dëshira. Disa bëjnë shumë dhe disa krejt pak. Nuk është se Vllaznia ka dhënë gjë më shumë edhe në fushën e vet.
Të shtunën do të luajnë ndaj Tiranës, por jo në Shkodër. Çfarë ndeshje prisni?
Të vështirë. Të dyja nuk janë aty ku priteshin. Mendoj se në të tilla takime edhe lojtarët motivohen vetë. Shpresoj që Vllaznia të marrë më të mirën.
Admir URUÇI