Pas një periudhë 10 mujore në drejtim të Vllaznisë, tekniku kryeqytetas, Mirel Josa, i ka dhënë fund bashkëpunimit me kuqeblutë. Periudhë kjo që është shoqëruar me ditë të mira, siç është fitimi i Kupës së Shqipërisë, por edhe me jo pak oshilacione, që në një farë mënyre i kushtuan pankinën duke u zëvendësuar nga kolegu i tij, Auron Miloti. Në një prononcim për “Panorama TV”, Josa analizon punën e tij në krye të Vllaznisë, ku ndër të tjera falenderon drejtuesit e klubit kuqeblu që i besuan pankinë si dhe objektivat, që për të, Vllaznia më mirë të mendonte fillimisht për Europën, dhe pastaj çfar të dilte rrugë për më shumë.
Më pas, Josa u ndal te eksperienca e tij te Vllaznia duke folur rreth çfarë shkoi e çfarë jo, deri në ndarjen nga kuqeblutë.
“Dua të falënderoj të gjithë drejtuesit e Vllaznisë për shansin që më dhanë për të drejtuar këtë skuadër megjithëse momenti para 10 muajsh ishte shumë i papritur për mua. Por më dhanë shansin që të kem një trofe, qoftë për skuadrën e veten time dhe pastaj të vazhdojë puna. Vazhdoi puna në mënyrë që të kishim një ecuri që edhe nga unë pritej më pozitive nga sa ka qenë deri në këto momente. Por duhet të kemi parasysh që është një kampionat i cili është zhvilluar me një rivalitet të plotë. Nuk mund të flas për të ardhmen, por të tashmen e saj, atë deri para 3-4 ditësh që kam qenë në drejtim. Mund të them që kishim oshilacione të cilat normalisht nuk u panë shumë edhe nga mënyra sepse edhe skuadrat e tjera ishin me shumë të tilla në rrugën e tyre.
Futbolli është një luftë ku njëri vritet e tjetri mbijeton. Ne këtë mbijetesë si do ta pështjellojmë? Nuk është vetëm problemi te lojtarët e stafi teknik, nuk është vetëm problemi i organizimit të skuadrës, them atij administrativ. Janë edhe probleme të tjera. Kur them është luftë, se të gjithë duan të arrijnë objektivat, në këto momente ku jemi. Skuadrat pranë fundit, Bylis e Kastrioti, janë ato të cilat e kanë dëmtuar Vllazninë se kanë qenë më të mira në ndeshjet direkte. Vllaznia duhej të kishte mendimin për Europë e para e punës, pastaj se çfarë dilte gjatë rrugës. Vllaznia ndeshjet e forta në letër ka marrë pikë më shumë se kundërshtarët direkt. Duhej të ishim shumë më të kujdesshëm në këtë momente dhe të mos fluturonim shumë për të shkuar te titulli kampion. Por duhej të shihnim ndeshjet e radhës duke parë ndeshjet që kishim.
Duhej të fitonim më tepër dhe duhej të respektonim skuadrat shumë më tepër, kam folur edhe me futbollistët. Vjen një periudhë që gjërat nuk shkojnë mirë për një arsye apo tjetër, që nuk dua t’i prek në këto momente. Ka kohë, sepse problemi është që një skuadër duhet të jetë shumë më e mbyllur brenda kupolës së saj, të qajë hallet brenda për brenda familjes dhe mos dalin në sipërfaqe problemet që ka. Unë respektoj vendimin që kanë marrë drejtuesit dhe normalisht kur nuk fiton, trajneri e paguan, apo kur nuk ke pritshmërinë e duhur.
Mendoj se skuadra ishte në këto momente në një periudhë që mund të shkonte edhe më lart. Por problemi në këto momente ishte se duheshin pikët medoemos, si skuadrave të tjera. Duhej të ishim më të kujdesshëm, e marr te vetja ime e te futbollistët, se nuk të fal njeri gjë vetë. Duhet të jesh 100% i fokusuar në të gjithë drejtimet, duhej të ishim shumë më të kujdesshëm.
Nuk kam asnjë lloj pengu, bilës drejtuesit mund të thonë apo kanë thëna gjëra të tjera po nuk ka asnjë lloj pengu. Unë edhe po të vazhdoja të drejtoja Vllazninë do të kisha përsëri parimet e mia të punës dhe këto ua kam thënë që më përpara apo kur kam filluar punë, sa u përket ndërhyrjeve qoftë në merkato, organizim e qoftë si luan. Se nuk ka mundësi që një lojtar i cili duhet marrë apo jo në lojë, të vendosë si të luajë trajneri e taktikën që do të luajë trajneri. Vetëm kaq mund të them e nuk duhet t’i hyj këtyre problemeve se te Vllaznia ka marrë gjithsecili atë që ka merituar
E ardhmja? Mos kujtoni që do të bëj si vjet. Kishte arsye të tjera vjet, e para se më erdhi Vllaznia dhe Vllazninë nuk është hera e parë por e treta që kam punuar. Ishin njerëz të ri në drejtim, kam mbetur shumë i kënaqur për mënyrën se si janë sjellë njerëzit atje. Se njeriu bën diferenca, kam punuar thuajse në të gjithë Superioren dhe ka qenë një anë pozitive që kam punuar me atë që ka drejtuar Vllazninë. Por për momentin nuk ka pasur asnjë propozim konkret për të ardhmen”, theksoi, ndër të tjera ish trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa.