Sunday, November 24, 2024

(Intervista) Lika: Për Vllazninë është “treni” i fundit për titull, prandaj duhet patjetër fitore në transfertë me Tiranën

Lexo

Sa herë vjen klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana, apo Tirana-Vllaznia që është edhe dueli i kësaj fundjave, në skenë del Gilman Lika, futbollisti që ka luajtur me shumë sukses me të dyja skuadrat.

Gilman, një supersfidë mbrëmjen e së shtunës në “Air Albania”, padyshim emocione edhe për ju, apo jo?

Në radhë të parë ndihem shumë krenar që kam qënë protagonist i këtyre dy skuadrave, absolutisht më të mëdhatë e futbollit shqiptar. Tirana është ekipi më i titulluar në Shqipëri, dhe për këtë nuk mundet t’ia mohojë askush dhe nga ana tjetër Vllaznia që me plot gojën është legjenda e futbollit shqiptar, aty ku lindi vetë futbolli për herë të parë në vendin tonë. Pra, atë që thashë në fillim, e ripërs që ndihem shumë krenar që kam qënë pjesë e këtyre dy ekipeve.

Ndryshe nga ballafaqimet e vitit të kaluar, në këtë pjesë të kampionatit, Tirana është kryesuese me 8 pikë shumë sesa Vllaznia e vendit të katërt.

Prandaj, kjo është një ndeshje shumë delikate, më shumë për Vllazninë sesa për Tiranën. Në renditje duket se është pak më komod Tirana, ndërsa për Vllazninë mendoj se e ka më delikate situatën, sepse fitorja është i vetmi rezultat, në qoftëse duam që Vllaznia të pretendojë për fitimin e titullit kampion. Kurse rezultatet e tjera, OK, edhe barazimi ndoshta mund të ishte i pranueshëm, kurse humbja, kam frikë se do ta nxirrte jashtë garës për titullin kampion.

Pas testimit në miqësore me Tërbunin, Vllaznia po e përgatit ndeshjen me Tiranën duke qënë e akomoduar në Durrës. Mendoni se është një element pozitiv i kuqebluve në këtë pragndeshje?

Sigurisht që janë elementë që ndikojnë pozitivisht, sidomos duke shmangur problematiken e terreneve sportive që ekziston në Shkodër, por edhe në vënien e kushteve optimale me këtë grumbullim në Durrës. Shikohet qartë, interesi apo rëndësia që janë duke i dhënë kësaj ndeshje. Kuptohet që një sfidë e tillë është shumë e rëndësishme, dhe mobilizimi i të gjithëve, përfshirë drejtuesit, stafin teknik dhe vetë futbollistët, kanë përqëndrimin maksimal për t’i marrë maksimumin kësaj ndeshje.

Sa i përket merkatos, Vllaznia ka preferuar të ruajë grupin dhe përpos francezit Panos që është stervitur prej katër muajsh me kuqeblutë, deri më tani nuk ka bërë lëvizje të tjera.

Nuk do ta shikojë këtë si një disavantazh të Vllaznisë, sepse për mendimin tim Vllaznia e ka pasë grupin. Ndoshta ka çaluar në disa aspekte të tjera, kurse grupin e ka pasë dhe është dashtë të merrte maksimumin prej tyre për të pasë rezultate më të mira. Ok, ndoshta ishte dashtë të ndërhyjë në një apo dy pozicione, por e përsëris, për mendimin tim grupi ka qënë. Ndoshta është dashtë të konsilidohej pak më tepër për të pasë rezultate edhe më të mira.

Si njohës i mirë i të dyja skuadrave, ku i shikoni avantazhet që ato mund të kenë ato përballë njëra tjetrës?

Tirana ka avantazh diferencën e pikëve që ka ndaj Vllaznisë. Duhet me e kuptu që kjo diferencë të jep pak qetësi, dhe të jep më shumë avantazh në zhvillimin e lojës. Ndërsa, Vllaznia mendoj unë se do ta ketë si gjysëmfinale, apo si një finale më mirë me thënë sepse është “treni i fundit” për me pretendu për titullin kampion, sepse imagjino që nëse do të ishte një humbje në kryeqytet, atëherë do ta kishte shumë të vështirë për luftën e titullit.

Të flasim pak edhe për tifozëritë dypalëshe, ku vitet e fundit ka pasur një lloj ashpërsie mes tyre.

Kjo është një temë, që me thënë të drejtën kam dashtë të ndërhyj me kohë, sepse mendoj që është ekzagjeru shumë më tepër se duhet. Duke ditur atë incidentin që ka ndodhë pak vite më parë, mendoj se është turp për t’i diskutuar më këto gjëra, sepse janë dy ekipet më të mira të kampionatit shqiptar. Mendoj se gjithësecila tifozëri duhet me e ba atë hapin e parë, sepse fundja e fundit jemi të gjithë shqiptar dhe nuk shkon një gjë e tillë për vete qytetarinë dhe traditën që kanë dy palët përkatëse. Pra, është moment që thjesht duhet të jemi tek ajo gara sportive. Kjo shtë një thirrje që do t’i kisha bërë të dy palëve që të përqëndrohen tek gara sportive dhe në fund t’i japin dorën njëri tjetrit. Me dy tifozëritë që janë më të mirat në Shqipëri, dëshira e imja ështe që në 90-të minutat e lojë ta shikojmë stadiumin të shpërthejë në ovacione duke mos pushuar asnjë second nga secila tifozëri. Kjo është gjëja më bukur që mund ta shijojmë futbollin.

Për të kaluar tek parashikimi i rezultatit, kë shikoni më afër fitores në këtë ndeshje?

Të them të drejtën, këtu jam pak në siklet, sepse nuk di të flasë si realist apo si tifoz. Realisht, unë mendoj se janë 50 me 50 shanset për të dyja skuadrat. Tirana duket pak më e avantazhuar duke pasur qetësinë e pikëve që ka, kurse Vllaznia mendoj se duhet të ketë më shumë atë shpirtin e garës. Ka shumë raste që shpirti i garës, dëshira e madhe për fitore, kalon edhe jashtë limiteve tuaja dhe e fiton ndeshjen. Por, gjithësesi mendoj se do të jetë një ndeshje krejt e hapur.

Një barazim, cilin favorizon më tepër?

Mendoj se nuk favorizon asnjërën prej skuadrave, sepse edhe Tirana, nuk e ka luftën vetem më Vllazninë, por edhe me ekipet e tjera, Laçin dhe Kukësin. Po ashtu, edhe për Vllazninë, nuk mendoj se e favorizon barazimi pasi e lën aty ku është.

Dhe e fundit. Sot, Gilman Lika ka ditëlindjen, dhe përfitojmë nga rasti për një urim publik: Edhe 100 të tjera Lika! Mendoni se kjo ditëlindje e juaja në pragndeshje me bardheblutë mund të jetë një shans më shumë për kuqeblutë?

Ju falenderoj për urimim. Tashti, kjo është diçka tjetër. Ne shpresojmë që Vllaznia të rikthehet tek fitorja dhe tek ato lojrat të mira që ka zhvillu, që padyshim çdo shkodran e pret me kënaqësi për ta riparë sërishmi atë ekip.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img