Thursday, April 25, 2024

Superliga e 21 vjeçarëve. Vllaznia likuidon Turbinën 4-0. Shënojnë Amir Osmani, Uheid Hoxha dhe Ritvan Aliu

Lexo

Kampionati Kombëtar i futbollit për Superligën e 21 vjeçarëve është rikthyer këtë mesjavë me çiftin Vllaznia-Turbina. Ndeshja e luajtur në Kompleksin Sportiv “Zmijani” është dominuar tërësisht nga skuadra kuqeblu. Të drejtuar nga trajnerët, anglezi Paul Sibson dhe kolegu i tij Ergi Borshi, futbollistët shkodranë e zgjidhën që në pjesën e parë fatin e ndeshjes.

Kanë qënë dy golat e njëpasnjëshëm të Amir Osmanit që i kanë dhënë Vllaznisë avantazhin në këtë ndeshje. Goli i parë i Osmanit shënohet në minutën e 17-të dhe pasi kanë kaluar vetëm katër minuta është i njëjti futbollist, Amir Osmani që në minutën e 21-të tund për herë të dytë rrjetën e portës cërrikase.

Me avantazhin e dy golave në epërsi, Vllaznia e ka më të lehtë të komandojë ndeshjen. Megjithatë, për t’i dhënë një tjetër goditje skuadrës kundërshtare përpara se arbitri t’i çonte në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve, ka menduar mesfushi i njohur shkodran, Uheid Hoxha, i cili duke realizuar golin e tretë në minutën e 45-të bën që pjesa e parë të mbyllet me avantazhin e pastër, tre me zero për Vllazninë.

Vete avantazhi me tre gola diferencë në favor të Vllaznisë duket se sa i përket rezultatit, 45 minutëshi i dytë e kthen në një formalitet pjesën e dytë. Megjithatë, edhe në këtë pjesë loje nuk mungojnë aksionet e rrezikshme në të dy portat respektive, miqtë në kërkim të golit për të rihapur ndeshjen dhe kuqeblutë për të shënuar një tjetër gol tjetër.

Dhe, ndodhë pikërisht kjo e dyta, pasi është përsëri Vllaznia që tund rrjetën e Turbinës. Kjo ndodhë në minutën e 82-të, gol që ka për autor futbollistin kuqeblu, Ritvan Aliu. Përfundimisht, e gjithë ndeshja mbyllet me rezultatin e thellë 4 me 0 në favor të Vllaznisë.

Tre pikë këto, që duke i shtuar edhe ato të fazës së parë ku Vllaznia ishte e treta pas Dinamos dhe Tiranës në renditje me 18 pikë, bëjnë që Vllaznia U-19 të mbërrijë në kuotën e 21 pikëve. Për të parë konkretisht pozitat e tabelës së klasifikimit pas javës së parë të fazës së dytë, e njëmbëdhjeta sipas radhës, duhen pritur rezultatet e dy rivalëve të kreut, Dinamo dhe Tirana, ndeshjet e të cilave do të luhen këtë fundjavë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img