Saturday, September 21, 2024

(Intervista) Prag Skënderbeu, kapiteni Gurishta: Korçarët kanë një ekip dhe trajner të mirë, e treguan edhe në finalen e Kupës, por Vllaznia kërkon tre pikëshin në këtë ndeshje

Lexo

Pesë pikë ka Vllaznia në tre javë kampionat. Fitore në transfertë me Laçin dhe më pas dy barazime radhazi, fillimisht me kampionen Teuta dhe më pas me Partizanin. Ndërkohë, për javën e katërt kuqeblutë do të jenë mysafirë në Korçë për tu ndeshur me Skënderbeun vendas duke rikthyer në vemendje duelin e finales së Kupës së Shqipërisë, ku falë golit të shënuar nga Viktor Da Silva, Vllaznia fitoi trofeun në fjalë. Pikërisht për atmosferën në prag të kësaj sfide që po pritet me shumë interes nga të dy kampet respektive bën fjalë edhe intervista me kapitenin e Vllaznisë, Erdenis Gurishta.

Gurishta, vini në këtë ndeshje të javës së katërt me një fitore  dhe dy barazime që pak a shumë kanë qënë të diskutuara por edhe të kontestuara nga specialistët e futbollit si një lojë me oshilacione e skuadrës tuaj. Ju vetë, sa e keni ndjerë një gjë të tillë?

Ne kemi pasë tre ndeshje nshumë të vështira, me tre rivalë direkt. Po ta kishim menduar përpara fillimit të kampionatit, dhe po të na kishin thënë 5 pikë, ndoshta mund të kishim qënë të kënaqur, por tani që kanë mbaruar ndeshjet, kur mendojmë, them që normalisht që nuk jemi të kënaqur, mund të kishim marrë minimum 7 pikë dhe maksimumi 9 pikë, sepse e kemi pasë në dorë. Por, kështu është futbolli, ndonjëherë nuk merr atë që duhet të marrësh në fushën e lojës. Por, gjithësesi, ne jemi shumë të motivuar, shumë të karikuar për të shkuar në Korçë dhe për të dalë me sukses duke kërkuar tre pikëshin. Kjo nuk do të thotë se Skënderbeu është një ekip i kalueshëm, dmth i lehtë, por është një ekip shumë i mirë, ka të njëjtën grup si vitin e kaluar, ka një trajner shumë të mirë, pra e ka ruajtur boshtin kryesor dhe do të jetë një sfidë shumë e fortë.

Rikthehet dueli i Kupës së Shqipërisë, ato emocione kur ju fituat trofeun e sezonit të kaluar. Në një farë mënyrë dukeni të barabartë në fushën e lojës, edhe pse në fakt Vllaznia aktuale ka një imazh tjetër, më pozitiv se sa Skënderbeu.

Ajo ndeshje ishte tjetër, kjo është ndeshje tjetër, por nuk e kishim të lehtë edhe finalen e Kuëps, sepse siç thashë më herët, Skënderbeu ka lojtarë të mirë. Kjo do të jetë një ndeshje tjetër normalisht, por besoj shumë tek ekipi i jonë, kemi kualitete për ta mposhtur Skënderbeun, dhe besoj vetëm tek triumfi.

Është folur shumë në këtë fillim kampionati nga specialistët e futbollit, ku Vllazninë e sezonit të kaluar e vlerësojnë si më pozitive ndaj një Vllaznie të këtij sezoni që sipas tyre është paksa me probleme në tre javat e para të kampionatit.

Gjithkush mund të dalë me përfundime, por unë mendoj se është herët të dalësh me këto përfundime. Unë jam i mendimit se këtë vitë janë afruar shumë lojtarë cilësorë dhe mendoj se Vllaznia e këtij sezoni është më e mirë se sa ajo e vitit të kaluar. Kjo do të thotë se do kohë për ta parë Vllazninë aty ku duhet të jetë, sepse lojtarët e afruar dojnë pak kohë për ambientimin me pjesën tjetër të skuadrës. Por dita-ditës lojtarët po rikthehen në formën më të mirë dhe besoj se Vllaznia do të rikthehet shumë shpejt tek rezultatet pozitive.

Një Gurishtë që pozicioni natyral është krahu i djathtë i mbrojtjes, por që për nevoja të skuadrës po luan në javët e para të kampionatit në qëndër të mbrojtjes. E keni pasur të vështirë, sa e keni vuajtur një gjë të tillë?

Normalisht që rolim im është në krahun e djathtë, këtë e dinë të gjithë, por, për derisa ekipi ka nevojë, unë do të luaj aty ku e kërkon trajneri dhe e bëj pa ndonjë problem, pastaj të shohim.

Gjithësesi, me çfar po shikohet në seancat stervitore mund të riktheheni që këtë javë në pozicionin tuaj të krahut të djathtë.

Po, Fallou Diagne është rikthyer pak a shumë në formën e tij sportive dhe besoj se do të jetë në qëndër të mbrojtjes dhe unë do të luaj në krahun tim të djathtë.

Vllaznia e ka shpalosur hapur objektivin për fitimin e trofeut këtë sezon futbollistik. Nga skuadrat e tjera, kë shikoni si rival në luftën për titull?

Është shumë herët për të dalë me përfundime se kush është rival, por unë kam thënë edhe më përpara që sivjet do të jetë një kampionat i fortë, të gjitha ekipet janë pretendente, të gjitha janë forcuar. Pa diskutim, Dinamo është një ekip i fortë, Teuta po ashtu është ajo skuadër e vitit të kaluar, Partizani  dhe Tirana ekipe të forta, Laçi dihet. Pra, janë shumë rival dhe do të jetë një kampionat interesant deri në javën e fundit të kalendarit.

Rritja e formës tuaj sportive është shoqëruar me komente të tilla që Gurishta është i denjë për kombëtaren e Shqipërisë. Ju e prisni një ftesë të tillë nga tekniku Reja?

Normalisht, unë gjithmonë mundohem të përmirësohem, të punoj fort dhe të jap maksimumin tek ekipi i Vllanzisë. Të them, që nuk e mendoj kombëtaren, them se ndoshta kisha gabuar, sepse çdo lojtar e dëshiron fanelën e kombëtares së vendit të tij, por gjithësesi, në qoftëse do të jetë e shkruar ajo do të vij. Unë do të jap maksimumin për këtë fanelë.

Dhe, së fundmi, Gurishta, në lidhje me presidencen. Deri vonë, Vllaznia ishte nën ndrejtimin e një presidenti-sponsor që bashkëpunonte me Bashkinë. Tashmë, me privatizimin zyrtarisht të klubit kuqeblu sa e dalloni ndryshimin, mendoni se do të jetë më mirë për ecurinë e skuadrës tuaj në përgjithësi?

Besoj që do të jetë pozitive, se do të jetë korrekt me pagesat, me ato vonesat që ndoshta i kishim me Bashkinë, jo se kishim probleme, por vetëm vonesa, kam besim të plotë se do të jetë krejt ndryshe, nuk do të na mungojë asgjë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img