Thursday, May 30, 2024

(Intervista) Prag Vllaznia-Egnatia. Luan Zmijani: Sulmi shkodran ka forcë për të goditur. Egnatia e thyeshme, Vllaznia mund ta eleminojë!

Lexo

Ish-mbrojtësi, njëkohësisht ish-kapiteni i Vllaznisë, Luan Zmijani, në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet optimist se Vllaznia e tij mund t’ia dalë për të qenë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Sipas tij, rezultati i përballjes së parë ka lënë gjithçka të hapur. Zmijani ka besim të plotë se Vllaznia do të jetë mes katër më të mirave në fund të katër javëve të mbetura të sezonit. Ai u shpreh edhe në lidhje me çiftin tjetër gjysmëfinalist.

Zmijani, si e shikoni gjysmëfinalen e dytë mes Vllaznisë dhe Egnatias?

E shikoj si një ndeshje shumë të fortë, ndaj një kundërshtari si Egnatia, që vjen pas një fitoreje ndaj Laçit dhe për më tepër që është ekipi kryesues i kampionatit. Padyshim, një kundërshtar i vështirë për tu mundur.

Sa janë shanset e Vllaznisë për kualifikim?

Mendoj se kemi shanse më shumë se kundërshtari, pasi luajmë në fushën tonë dhe rezultati i ndeshjes së parë është me diferencë minimale në gola. Prandaj, asgjë nuk e shoh si të pamundur që Vllaznia të jetë në finale.

Vllaznia ka dy mungesa të rëndësishme në mbrojtje si Hakaj dhe Stojanoviç. Sa do të ndikojnë këto mungesa?

Si Hakaj, edhe Stojanoviç janë mungesa të mëdha dhe padiskutim që ndikojnë. Megjithatë me kontigjentin që ka skuadra duhen bërë ndërhyrjet e duhura në formacion, stafi teknik do të gjejë me sukses lojtarët që do t’i bëjnë ballë sulmit të rrezikshëm të kundërshtarit.

Vllaznia në javët e fundit ka vuajtur për gjetjen e golit. Çfarë duhet të ndryshojë për të shkuar te goli në këtë takim?

Duhet të punohet më shumë dhe të besohet se kundërshtari nuk është i pathyeshëm dhe mund të ndëshkohet në çdo moment. Unë mendoj se Vllaznia do të dijë të gjejë forca që të godasë kundërshtarin. Mendoj se duhet që sulmuesit të kenë më shumë besim te vlerat e tyre.

Si e shikoni përballjen tjetër mes Tiranës dhe Kukësit, kë shihni në finale?

Diferenca e dy golave favorizon Kukësin, por ashtu siç i kanë shënuar, edhe mund t’i pësojnë dy gola. E shikoj si një sfidë të barabartë dhe shumë interesante.

Vllaznia në fundjave luan sërish ndaj Egnatias. A mund të ketë ndikim rezultati i Kupës me atë të kampionatit?

Po. Patjetër që do të ketë ndikimin e vet. Ajo skuadër që do të kualifikohet do të jetë me e favorizuar edhe në takimin tjetër, pavarësisht se kemi të bëjmë me dy ndeshje që nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

Nisur nga rezultatet e fundit, a rrezikon Vllaznia katërshen e parë kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi?

Nuk e besoj që mund ta diskutojmë vendin e katërt. Megjithatë, duhet pasur kujdes deri në takimin e fundit, kur ta sigurojmë gjithçka matematikisht.

Admir  URUÇI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img