A fillon nesër për Partizanin lufta për vendin e dytë?
Patjetër që është një ndeshje përballë një rivali direkt, duke parë që distanca është vetëm 3 pikë. Kërkojmë të bëjmë maksimumin, kjo pasi edhe pak ndeshje kanë mbetur për t’u luajtur. Kjo periudhë përkon edhe me përballje direkte të ekipeve rivale. Mendoj që ndaj Vllaznisë është një ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare që mund të na fusë në trysni.
Si e prisni Vllazninë?
E përmenda edhe më parë, Vllaznia është rivali ynë direkt, jo vetëm për shkak të pozitave, por edhe për vetë emrat që kanë këto dy ekipe. Është një përballje midis dy pretendentëve dhe shpresojmë që ne të japim më të mirën dhe të gabojmë sa më pak, sepse në futboll dihet që në shumicën e rasteve fiton ai që gabon më pak.
Si është kontingjenti i skuadrës për ndeshjen me Vllazninë?
Gjendja nuk është optimale. Mehmeti ende nuk është rikuperuar pas atij dëmtimi i cili e ka lënë jashtë prej gati 4 javësh. Na është shtuar Cara i cili për efekt kartonësh i skualifikuar nuk do të jetë i gatshëm. Hadroj nuk e ka kaluar akoma shqetësimin që kishte në Laç. Këto janë pra mungesat që do të kemi për nesër.
Sa mendoni se do t’ju ndihmojë tifozeria për faktin që do të luani në stadiumin “Air Albania”?
Si “Arena e Demave”, ashtu edhe “Air Albania”, janë të dy stadiume të kryeqytetit. Nuk besoj se përbën problem ndryshimi i vendit ku luhet në kryeqytet. Ne nga tifozët nuk kemi se çfarë të kërkojmë, pasi realisht ata e kanë bërë pjesën e vet dhe ne i jemi borxhlinj që mund të bënim akoma më mirë. Gjej rastin t’i falënderoj për mbështetjen që i japin klubit si në momente të mira, ashtu edhe në momente të vështira. Mendoj që është një fazë e rëndësishme por jo determinante sepse dihet që ky kampionat nuk është si gjithë të tjerët është një kampionat që vendoset në maj për titullin kampion. Sigurisht që gjatë kësaj periudhe ne kërkojmë të bëjmë më mirë dhe të renditemi më lart. Jam i sigurt që prezenca e tifozëve do të jetë dhe do të na ndihmoj shumë.