Një nga protagonistët absolut të kësaj sfidë ka qenë pa diskutim edhe Hamdi Salihi, ish sulmuesi i famshëm i Vllaznisë dhe Tiranës. Ndihmës trajneri i ekipit përfaqësues, në një intervistë ekskluzive për “Neës24”, rrëfeu emocionet e kësaj përballje, momentet më të bukura që ka kaluar me të dy ekipet. I ftuar në “Sport Neës”, përballë moderatores Trevisa Tufa, Salihi analizoi takimet, analizoi dy ekipet, por preku edhe shumë tema të tjera të rëndësishme:
-Salihi, të ka marrë malli për Shkodrën, për “klasiken”, çfarë do të thotë për ty kjo sfidë?
Për Shkodrën më merr malli gjithmonë, kjo është një arsye pse shkoj shpesh në Shkodër sa herë vijë në Shqipëri pasi aty kam familjen, nënën, vëllezërit. Për klasiken, sa herë vjen momenti për t’u luajtur kam nostalgji, jo vetëm unë, por çdo lojtarë që i ka provuar ato emocione. Të gjithë ne kemi që kemi provuar ato emocione, kemi dëshirë t’i rikthehemi atyre emocione.
-Pse përjetohet kaq shumë kjo sfidë në Shkodër? Çfarë ka të veçantë?
Besoj vetë historia e këtyre dy klubeve e bën këtë përballje të veçantë, rivaliteti që kanë pasur që në fillimet e tyre. Përballja e legjendave të këtyre klubeve, tifozetitë e zjarrta, janë ekipe që janë historia e futbollit shqiptar. Kjo sfidë i ka të gjithë komponentët që duhet të ketë ndeshje e këtij niveli.
-Nëse do të bënim një krahasim, kë preferon një klasike Vllaznia-Tirana, apo një derbi Partizani-Tirana?
Gjithmonë Vllaznia-Tirana. Për mua është shumë më speciale se sa një derbi
-Salihi, cili është kujtimi më i bukur që ke nga kjo ndeshje? Apo goli më bukur?
Më thënë të drejtën kam shumë kujtime të bukura. Një ndër golat më të bukur është një gol me rrafishat kundër Tiranës në Shkodër, stadiumi ishte plot. Kjo është një arsye pse Tirana pas atij goli më kërkoi gjithnjë me insistim. Ka momente shumë të bukura të tjera. Një tjetër ishte goli që shënova në Shkodër, kur isha pjesë e Tiranës, fitonim 1-0 atë ndeshje, ndërkohë që stadiumi më duartrokiste. Këto janë momente që të prekin shumë dhe të bëjnë të kuptosh shenjën e mirë që ke lënë. Edhe pse luan me një ekip kundërshtar, tifozët e ekipit ku ti je rritur, je formuar, të duan, kjo është një gjë që e kanë vetëm tifozët shkodran, është diçka shumë e veçantë.
-Ke fituar gjithçka në futbollin shqiptar, por cili është pengu juaj më i madh?
Pengu më i madh do të mbetet gjithnjë fakti që nuk arrita të dilja kampion me Vllazinë, është një peng që do të ndjekë gjithnjë, por mqs i janë futur botës se treningut mbase në të ardhmen do të kem mundësinë të dal kampion si trajner. Akoma nuk kam hequr dorë nga kjo ëndërr e bukur për të dalë kampion me Vllazninë.
-Kur do të vijë dita që do ta shohim Hamdi Salihin në krye të një ekipi si trajner? A ke menduar ndonjë herë të jesh trajneri i Vllaznisë, Tiranës apo i Skënderbeut, ekipe ku ke lënë gjurmë?
Përderisa i kam hyrë kësaj rruge, besoj se herët apo vonë rrugët tona do të kryqëzohen. Për momentin kam angazhime të tjera, ndoshta nuk ka qenë momenti i duhur për të marrë përsipër drejtimin e një prej këtyre që t’i përmende, ose mbase edhe ndonjë ekipi tjetër. Por besoj se do të jetë e afërt dita që do të kem shansin për të drejtuar një prej këtyre ekipeve.
-Në Shkodër, kanë nisur edhe një herë të ëndërrojnë titullin. Si ka mundësi, një qytet që e dashuron futbollin, një qytet që prodhon talente pafund, si ka mundësi 23 vite pa fituar një titull? E shpjegon dot?
Më thënë të drejtën është shumë e vështirë për t’u shpjeguar pasi në këto vite nuk është se nuk ka pasur ekip, ka pasur ekipe shumë të mira, trajner shumë të mirë, ka nxjerr lojtarë pa fund, por nuk e di, duhen edhe komponentët të tjerë për të dalë kampion. Ndoshta duhet edhe pak fat siç ishte tre vite më parë kur rivalizoi deri në fund. Besoja realisht se aty mund të dilnin kampion, sepse ishin edhe shumë javë të shkëputur, por siç e thashë duhet edhe pak fat. Thjesht shpresoj që të mos duhen edhe 23 vite të tjera për të dalë kampion, shpresoj që ta fitojmë shumë më shpejt, sepse e kanë merituar për gjithë atë që kanë dhënë në këto vite, për lojtarët që kanë nxjerr, për tifozët, për gjithçka, e meritojnë një trofe të tillë.
-A mundet ky ekip të realizojë këtë objektiv, si e ke parë Vllazninë këtë sezon?
Ekipi u ndërtua për të synuar kupat e Evropës, u larguan disa lojtarë që kishin rroga të larta, u mundua të mos shpenzonin shumë, për t’i dhënë shanse edhe lojtarëve të akademisë. Për të qenë i sinqertë mua më pëlqen kjo gjë. Pastaj, kur duhet të bësh një proces të tillë, për ekipe si Vllaznia është pak e vështirë pasi presioni për rezultat është i lartë. U bë ndryshimi i trajnerit dhe drejtorit, që kanë ardhur me këmbë të mbarë. Objektivi për të arritur Evropën dhe për të afruar lojtar të rinj është arritur, tani besoj se ky ekip i ka shanset të synojë edhe titullin kampion, besoj se duhet ta synojnë deri në fund këtë objektiv.
-Tani në Shkodër ka ardhur edhe një mik i juaji, Tefik Osmani…
Është e vërtetë. Ne kemi vite që jemi tërhequr, por brezi që ne kemi luajtur bashkë tani janë një poste drejtuesve. Me Osmanin kam miqësi të afërt, më vjen mirë që po lë gjurmë në një qytet që e dashuron futbollin. Është një djalë që punon shumë fort, ka intuitë, ka guxim, nuk ka frikë të marrë përsipër, më vjen mirë që po ecën mirë, shpresoj që ta mbyll me sukses.
-I ndryshëm është diskutimi te Tirana, nuk arrin kurrë të ndërtojë një cikël fitues, nuk e bën dot Tiranën e kohës tuaj, nuk bën dot as Skënderbeun e dikurshëm…
Unë kam qenë gjithnjë i mendimit, se nëse ka një ekip që mund të bëjë atë që ka bërë Skënderbeu, ai ekip është Tirana. Tirana ka pasur gjithnjë lojtarë të mirë. Lojtarët e afirmuar gjithnjë kanë dëshirë të shkojnë te Tirana. Kanë një president që i qëndron afër ekipit prej vitesh, që shpenzon shumë. Tirana ka emër, ka histori, ka tifozeri, ka gjithçka duhet për ta bërë këtë. Ndonjëherë më duket sikur futen në rrugë të mirë, pastaj plani ndryshon rrugës. Më vjen keq sepse po ndërtonin diçka shumë të mirë me Shehin dhe Osmanin, por më pas gjërat nuk shkuan mirë. Tani kanë filluar një cikël të ri, shpresoj tii japin kohën e duhur, sepse gjërat duhen kohën e duhur, por Tirana i ka të gjitha mundësitë.
-Si e sheh këtë sfidë të shtunën Salihi, kë sheh favorit në këtë përballje Vllaznia-Tirana?
Vllaznia është në pikun e saj, po kalon formën më të mirë nga të gjithë ekipet. Kanë fituar besim, lojtarët kanë fituar besim se mund të fitojnë kundër çdo ekipi, mund të shënojnë nga çdo pozicion. Javë pas javë shohim që lojtarë të ndryshëm po bëhen të rëndësishëm, po shënojnë gola deciziv, kjo është diçka pozitive që duhet ta shfrytëzojnë. Vllaznia është në momentin më të mirë, por në ndeshja të tilla nuk ka rëndësi as pozicioni asgjë, këto janë gjithnjë ndeshje të paparashikueshme, si në Shkodër ashtu edhe në Tiranë.
-Më shumë se çdo gjë tjetër futbollit shqiptar në këto kohë i mungon një “Salihi”, janë zhdukur “bomberat”…
Është e vërtetë që vitet e fundit nuk ka më sulmues që shënojnë mbi 20 gola në sezon. Unë e kam thënë, përveç sulmuesve, janë zhdukur edhe lojtarët që dhurojnë asiste, lojtarë si Muka, Duro, Bylykbashi, Shkëmbi etj. Një tjetër detaj që ndikon te kjo është fakti që tregu është hapur shumë. Lojtarë që shënojë, lojtarë të talentuar, nuk rrinë shumë vite në kampionatin shqiptar, ikin direkte, lojtarë si Muçi, Hasani, Xhixha. Tani është shumë e thjeshtë për t’u larguar. Më përpara kishte lojtarë si Sinani, Furtuzi që shënonin mbi 20-30 gola, por tregu nuk ishte i hapur, nuk largoheshin dot, ata qëndronin këtu dhe ishin pasuri për kampionatin shqiptar. Tani këto lojtarë largohen lehtë, mjafton të shënojnë 4-5 gola largohen dhe nuk arrijnë ta bëjnë dot atë cikël që ne shpresojmë, të shënojnë mbi 20 gola .
-Golshënuesi më i mirë është Bekim Balaj me 13 gola, ke një koment për Balaj?
Balaj nuk shquhet për të bërë shumë gola, por bën një volum dhe një punë të jashtëzakonshme, një lojtar që jep aq shumë për ekipin se e kalon edhe këtë pjesën e golave. Ka gjetur pozicionin e duhur, rolin e liderit te Vllaznia, ka bërë shumë mirë. Vllaznia ka gjetur gjithashtu njeriun e duhur këtë periudhë, pikë referimi për lojtarët e rinj, një shembull. Shpresoj që të vazhdojë deri në fund me këtë formë që po kalon, sepse është njeriu i duhur për Vllazninë dhe Vllaznia është ekipi i duhur për të, po fitojnë të dy nga kjo marrëdhënie.
-Balaj është një aset, kjo dihet, por pyetja që shtrohet, nga ndonjë lojtar të ri që mund të ngrihet në nivele të tilla? Ka ndonjë lojtar që mund të jetë potencial për ekipin kombëtar?
Lojtarë të rinj ka shumë, po dalin shumë, por është përhapur mania për t’u larguar sa më shpejt nga Shqipëria, për këtë më vjen keq. Do të doja që lojtarët të luanin 2-3 vite këtu, të jenë pasuri, ta rrisin cilësinë e kampionatit, pastaj të largoheshin. Tani nuk e di, nga familja, nga menaxherët kërkohet direkte që të largohen, të vazhdojnë karrierën jashtë. Kjo ka pasur një efekt negativ për kampionatin shqiptar, por historia ka treguar se kur nxitohesh nuk dal mirë. Mesazhi im është që të kenë më shumë durim, sepse edhe lojtarët kanë nevojë për kampionatin shqiptar, por dhe kampionati ka nevojë për ta.
-Si transferimi i Skukës, apo shumë lojtarëve të tjerë, që janë rikthyer më shpejt se sa pritej?
Është një proces që duhet kaluar, çdo gjë do kohën e vet. Do të kisha dëshira që të mos nguteshin, sepse do t’i rrisnin cilësinë kampionatit, por dhe nga ana tjetër lojtarët formohen dhe janë më të gatshëm për të luajtur në Evropë në nivele më të larta.
-Meqënëses jemi tek ekipi Kombëtar, na keni munguar shumë Salihi, mezi presim të shohim përfaqësuesin kuqezi, sa do të na shërbejnë dy miqësoret e muajit mars kundër Kilit dhe Suedisë, duhet thënë se janë të teste luksi..
Më vjen mirë që arritëm të siguronin dy ndeshje me kundërshtarë të fortë, ku t’i mundësh të shohësh forcën reale. Kjo është periudhë shumë intensive, në të njëjtën kohë duhet të bëjmë miqësoret tona, duhet të shohim miqësoret e rivalëve tanë që do të kemi në Evropian. Do të jetë një punë shumë e madhe, kërkohet një organizim i jashtëzakonshëm. Për ne këto ndeshje janë shumë të rëndësishme sepse grupi bashkohet, rikthehet edhe atmosfera e cila bie pak pas kualifikimit, duhet të ri ndezim edhe një herë këtë atmosferë, të bëhemi gati
-Po kalojnë një formë të shkëlqyer disa legjionarë si ReI Manaj dhe Ernest Muçi. E prisje Salihi një shpërthim të tillë nga Manaj, besoj vendos pak në siklet edhe stafin e Kombëtares…
Cilësitë dhe aftësitë e Rey Manaj i kemi ditur gjithnjë, pasi ka qenë pjesë e rëndësishme e Kombëtares, lojtar kryesor përpara dëmtimit. Tek ekipi Kombëtar ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Gjëja e vetme që kam shpresuar, edhe kur kam folur më të, ka qenë që të rikthehet edhe një herë mirë fizikisht, atë kam pasur merak, pasi kur të kishte këtë pjesë herët apo vonë dihej që do të rikthehej te golat, nuk kisha asnjë dyshim për këtë, por kisha frike pasi kishte një dëmtim shumë të vështirë. Më vjen mirë që tani po shënon, lë të jetë një dhimbje koke për trajnerin
-A mund të jetë Manaj potencial për “Euro2024”?
Patjetër, si Manaj apo çdo lojtar tjetër që po kalon një formë të mirë, janë lojtarë potencial për ekipin kombëtar. Janë forcë e shtuar për grupin aktual. Shpresoj vetëm që kur të vijë Evropiani, të jenë të gjithë në 100% e tyre, më pas të zgjedh trajneri, shpresoj vetëm që në ato momente të jenë gati, të jenë 100%
-Ashtu si Manaj edhe Muçi po shkëlqen me Beshiktash, çfarë pret Silvinjo nga ky lojtar, çfarë prisni nga Muçi Salihi, tani po luan titullar në çdo ndeshje?
Cilësia dhe talenti i Muçit është i padiskutueshëm, është e kotë të flasin për këtë. Shpresoj që duke kaluar te një ekip akoma më i madh, te një ekip që e bleu për të qenë lojtar kryesor, përgjegjësia është më e madhe, presioni është më i madh, kjo do ta rrisë akoma më shumë për të përballuar ndeshje ku ka presion më të lartë. Shpresoj që ky transferim ta ndihmojë edhe për t’u kompletuar akoma më shumë si lojtar, pasi cilësitë dhe ana tekniku e tij nuk kemi pse t’i diskutojmë. Shpresoj që ta ndihmojë në anën psikologjike, pasi kjo është shumë e rëndësishme
-Në fund, një pyetje për shkodranin tënd, Brojën, duket sikur ky lojtar ka të gjithë botën kundër, nuk po i ecën as te Fulhem…
Është i njëjti diskutim si për Manaj. Unë jam shumë i lumtur që fizikisht është mirë, pasi cilësitë, aftësitë ata i kanë, nuk e vendos askush në diskutim. Golat dhe gjërat e tjera do të vijnë me kohën, e rëndësishme është të jetë mirë fizikisht, të jetë i qetë, pasi nga pas ka një familje që e mbështet shumë, ka tifozë që e duan shumë, e respektojnë. Besoj është thjesht çështje kohë të që rikthehet te goli, te minutat, pasi këto janë pjesë e futbollit, e rëndësishme është të jesh fizikisht gati.