Që me ardhjen e tij në krye të Vllaznisë, klubi kuqeblu nën drejtimin e presidentit Alban Xhaferi, ka shënuar një transformim rrënjësor, jo vetëm me ekipin e parë, i cili nga një skuadër mbijetese, fitoi dy herë radhazi Kupën e Shqipërisë, por edhe në të gjithë strukturën e klubit, duke i dhënë prioritet futbollit të moshave.
Fitorja e javës së 20-të natyrisht që e ka gëzuar zotin Xhaferi, edhe për faktin se vinte pas dy humbjeve radhazi në kampionat. Ndaj, kjo fitore kuksiane, i jep më shumë bsim dhe moral që Vllaznia do të ecë përpara. “Kemi bërë më parë dy ndeshje jo të mira, nuk ishim përgatitur për ato rezultate dhe na ka trishtuar. Fitorja sot na jep më shumë siguri, nuk mund të them se na fut në lojë, se do të pretendojmë deri në fund objektivat. Por na bën më të fortë dhe përballja me Tiranën do të na japë një dimension tjetër nëse e arrijmë fitoren. Mendoj që kryesisht kemi pasur probleme në anën e dëmtimeve, se e kanë penalizuar ekipin në disa ndeshje të caktuara. Pastaj nuk duhet të nënvlerësojmë ekipet e tjera. Kemi ekip për objektiva, pro nuk duhen anashkaluar skuadrat e tjera. Kampionati është i vështirë dhe skuadrat kanë pak diferencë, çdokush mund të bëjë surprizë. Kryesorja është gara e fortë, kanë ndikuar dëmtimet, por edhe paraqitja e lojtarëve në momente të caktuara nuk ka qenë e duhura. Ky është futbolli, kur hyn në lojë ka gjithmonë tre rezultate.”, tha Xhaferi.
Duke folur për ndeshjen e radhës, atë që do të luhet përsëri në “Loro Boriçi” ndaj kampiones në fuqi dhe kryesueses aktuale, Tirana, Xhaferi, shprehet: “Jam shumë optimist që me Tiranën e në vijimësi, tifozeria do të rritet edhe në stadium. Ne e ndjejmë atmosferën në qytet, e ndjekin edhe nëpërmjet televizorit dhe ka interes të jashtëzakonshëm në Shkodër nga tifozeria dhe një përgjegjësi nga ana jonë për t’i plotësuar dëshirat. Thjesht dua t’i falënderoj se ata janë pjesë e jona dhe ne pjesë e tyre. Në këtë këndvështrim, të dielen pres një stadium plot në mbështetje të çunave kuqeblu për një fitore ndaj Tiranë.
Ndërsa, sa i takon së ardhmes, vizioni I Alban Xhaferit është për të pasur një Vllazni të madhe që i kalon përmasat kombëtare. ” Ëndërroj të arrij një ditë që të jetë një nga skuadrat që mbërrin grupet e Europë. Por duhet të punojmë, ulim kokën e vlerësojmë çdo ndeshje, se në kampionatin tonë duhet të jemi me këmbë në tokë e punojmë fort. Në merkaton e janarit, e kam thënë që do të ruajmë grupin e përforcojmë në pozicion që kemi nevojë. Ardhja e Balajt e kofirmoi dhe na ka dhënë më shumë siguri. Kemi lojtarë cilësorë, grup të mirë e djem të mirë, luftojnë e stërviten në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne mundohemi të plotësojmë kushtet maksimalisht. Tifozeria është e mrekullueshme. Duhet të ecim të gjithë bashkë këtë rrugë, të arrijmë objektivat që kemi në kampionat e Kupë, pastaj të ecim drejt asaj ëndrrës që do të ishte qershia mbi tortë.”, tha ndër të tjera, njëshi i klubit, Alban Xhaferi.