Melos Bajrami ishte nismëtari i përmbysjes së Vllaznisë ndaj Vikingur. Mbrojtësi u aktivizua në pjesën e dytë në takimin ndaj islandezëve dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 67-të, që do t’u jepte kuqebluve një moral dhe ritëm tjetër më pas.
Për “Panorama Sport” ai ka folur për suksesin e skuadrës shkodrane, ku thekson se ende gjithçka ngelet e hapur për kualifikimin. Ndër të tjera ai komenton edhe paraqitjen e tij individuale dhe sezonin e tij të dytë në radhët e shkodranëve.
Bajrami, një fitore plot emocione ajo e së enjtes përballë Vikingur apo jo?
Absolutisht që po, ishte një fitore “zjarr” siç mund të thuhet në gjuhën e futbollit. Besoj se e merituam, pasi në pjesën më të madhe të lojës e dominuam kundërshtarin. Pavarësisht se kemi bërë vetëm “gjysmën” e rrugës dhe duhet ende të përfundojmë “misionin”, pasi akoma s’kemi arritur diçka konkrete.
Pra, kjo do të thotë se keni besim për kalimin e këtij raundi?
Patjetër që besojmë në kualifikim dhe për këtë nuk ka arsye të trembemi. Ne i kemi treguar vlerat tona besoj dhe prandaj nisemi besimplotë për ndeshjen e së enjtes. Udhëtojmë në Islandë për fitore sërish dhe për të treguar edhe njëherë fytyrën tonë të vërtetë.
Endri ÇINARI