Mes një grupi futbollistësh veteranë të Vllaznisë në vite që shijuan fitoren dhe kualifikimin ndaj boshnjakëve të Shiroki Brijeg ishte edhe ish bomberi kuqeblu, Vioresin Sinani. I kënaqur për kalimin në Turin e Dytë të Conference League, Sinani përgëzon skuadrën kuqeblu për lojën që zhvilloi në ndeshjen e dytë duke arritur përmbysjen e rezultatit, ndërkohë që beson se kjo Vllazni do të ketë një vazhdimësi pozitiv, pasi sipas tij, kjo skuadër është e denjë të kalojë çdo kundërshtar.
A e prisnit, duke u nisur nga ndeshja e parë, që Vllaznia të kualifikohej?
Padyshim që e prisja, pasi Vllaznia në ndeshjen e parë është penalizuar shumë nga arbitri. Në të kundërt, nuk do të humbte me atë rezultat. Në ndeshjen e kthimit, sidomos pjesa e dytë ishte spektakolare dhe tregoi se Vllazninë në atë takim e mundën Shiroki bashkë me arbitrin.
Si i përjetuat këto përballje kur dihet se Vllaznia kthehet në Europë pas 10 vitesh?
Me shumë emocione, sepse Vllaznia e vitit të fundit ka qenë shumë e bukur. Ka qenë mëkat që spektatorët të mos e shijonin në stadium atë ekip. Besoj se të gjithë janë kënaqur dhe emocionuar me Vllazninë në stadium kundër ekipit të Shirokit.
Ku ndryshoi, sipas jush, ekipi nga ndeshja e parë në atë që tregoi në sfidën e kthimit?
Në Shkodër kam parë një Vllazni me shumë grintë. Kam parë një Vllazni spektakolare, sidomos në pjesën e dytë. Kam parë një Vllazni sulmuese, siç e duan tifozët shkodranë.
A ju kishte marrë malli që të shikonit pas afro 18 muajsh një entuziazëm të tillë në “Loro Boriçi”?
Shumë! Por jo vetëm mua, por besoj të gjithë shkodranët. Në Shkodër e dashurojnë futbollin dhe emocionet ishin fantastike. Vllaznia ka bërë një mrekulli, pasi ta përmbysësh rezultatin nga 3 me 1, nuk është e lehtë.
Ka forcë kjo skuadër që të vazhdojë edhe më tej në këtë kompeticion?
Pse jo?! Do të luajmë kundër një ekipi qipriot, që jam i bindur se me besim e entuziazëm mund t’ia dalim. Ndeshja e dytë është në Shkodër dhe me publikun shkodran ne krahë, futbollistët e dinë se mund të arrijnë çdo rezultat.
Duke u nisur nga kundërshtari, a mund të jetë, sipas jush, një raund i kalueshëm?
Po, me plot gojën unë besoj se Vllaznia ka forca ta kalojë këtë kundërshtar. E them këtë sepse Vllaznia e sotme ka fituar besim e siguri dhe nuk e tremb askush.
Ku duhet të ndërhyjë, sipas jush, Vllaznia në merkato për të qenë sërish pretendente edhe në sezonin e ardhshëm?
Mendoj se përveç një sulmuesi, që do duhet pasi sezoni është i gjatë, në repartet e tjera e shoh një skuadër të kompletuar, pa shumë nevoja për ndërhyrje.
ADMIR URUÇI