Në prononcimin e dhënë menjërë pas ndeshjes miqësore, Vllaznia-Dinamo, e mbyllur në barazim 0 me 0, trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli ka folur për mediat e pranishme. Ndër të tjera, ai shprehet i kënaqur për paraqitjen e skuadrës, ndërkohë që pranon edhe disa defekte që paraqiti skuadra, sidomos në prapavijë. Sa i përket sezonit të ri futbollistik që starton fundjavën e ardhshme, Memelli u shpreh se Vllaznia është gati, ndërkohë sa i përket merkatos, la të kuptohet se sulmuesi nga Ekuadorio, Frank Obando do të largohet pasi është larg pritshmërisë së stafit, ndërkohë që komentoi edhe lakimin e brazilianit Viktor Da Silva si mundësi e rikthimit në Shkodër.
Profesor, i kënaqur për mënyrën se si luajti skuadra e tij në miqësoren ndaj Dinamos?
Trajneri i Vllaznisë, në prononcimin pas ndeshjes së djeshme, konfirmoi se sulmuesi i ardhur në provë nga Ekuadori, Frank Obando, nuk është i profilit që i intereson atij. Memelli komentoi edhe atë që pret ende nga merkatoja, si dhe zërat për një rikthim të mundshëm të brazilianit Viktor da Silva në Shkodër.
Për sulmuesin nga Ekuadori, Frank Obando, kjo miqësore është thënë nga ana e juaj se do të jetë prova vendimtare për të qëndruar apo jot e Vllaznia?
Me atë që kemi parë deri më tani, duke futur këtu edhe ndeshjen me Dinamon, kemi arritur në konkluzionin se nuk është profili i duhur për skuadrën tonë. Kampionati shqiptar është shumë i vështirë dhe në atë pozicion ku kemi nevojë, na duhet një sulmues që të bëjë metra shumë. Obando ka ardhur jashtë kondicionit të duhur fizik, ndërsa në këtë moment ne kemi nevojë për lojtarë që janë gati. Do të shohim në vazhdimësi se çfarë do të bëhet, do të flas edhe me drejtorin.
Në lidhje me merkaton ka zëra për një rikthim në Shkodër të brazilianit Viktor Da Silva, gjithnjë nëse largohet nga Partizani
Unë di që Da Silva ka një proces disiplinor te Partizani. Bëhet fjalë për një lojtar që ka dhënë për Vllazninë. Mirëpo, në këtë moment unë nuk e di nëse është profili i duhur si futbollist për skuadrën tonë. Për sa kohë ai është lojtar i Partizanit, mua nuk më takon të them asnjë fjalë, përveçse të kem respekt për atë që ka dhënë për Vllazninë. Nuk është profesionale të komentoj në këtë moment.
Duket se Dinamo e këtij sezoni do të ndryshe
Te Dinamo kishte cilësi, por në krahun tjetër edhe ne bëmë gjëra të mira. Ata na rrezikuan, duke goditur edhe shtyllën, por edhe ne bëmë të njëjtën gjë dy herë. Duhet të konkludojmë më tepër në manovrën sulmuese, pra të përmirësohemi në 30 metrat e fundit. Në javën e parë luajmë me Kukësin, por sot në kampionatin shqiptar nuk ka skuadra të vogla apo të mëdha. Të gjitha dinë të mbrohen dhe të sulmojnë. Më vjen mirë që skuadra ka freskinë e duhur dhe deri në minutën e 90-të luan me të njëjtin intensitet. Duke qenë se me rregullat e reja që na ka sinjalizuar FSHF-ja, fokusi është që të ketë sa më shumë lojë efektive dhe ndeshjet mund të shkojnë edhe 100 minuta, mendoj se në këtë këndvështrim jemi OK.