Rudi Vata, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka analizuar nisjen e dobët të Vllaznisë në kampionatin 2026-2027, duke theksuar se ndryshimet në pankinë ishin të parashikuara pas rezultateve negative. Sipas ish-kapitenit të kombëtares shqiptare, me ardhjen e trajnerit Csaba Lazslo, skuadra ka fituar më shumë ekuilibër dhe disiplinë taktike, ndërsa pavarësisht humbjes së fundit, meritonte një rezultat më të mirë.
Vata beson se shkodranët kanë potencialin të luftojnë për vendet e para, duke parë Egnatian , Teutën dhe Dinamon si kundërshtarët e vetëm më të fortë. Teksa për klasiken e së shtunës ndaj Tiranës thekson se Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për të fituar.
Vata, si është dukur situata tek Vllaznia në këto 7 javë të para të edicionit?
Të themi të drejtën dhe ajo shihet qartazi në fushë, Vllaznia ka qenë shumë larg pritshmërive. Sidomos duke parë sezonin e kaluar, ku ekipi e mbylli mes kryesuesve dhe tashmë ndodhet në zonat e ulëta të tabelës. Starti s’ka qenë aspak i mirë dhe kjo është reflektuar edhe me largimin e trajnerit dhe ardhjen e një trajneri të ri. Që duket se ka sjellë një mentalitet të tijin tek Vllaznia, që ka reaguar disi së fundmi, por prapë theksoj se ende ekipi duhet të tregojë shumë çka sepse nuk është për atë vend dhe meriton shumë e shumë më tepër.
Një mendim për ndërrimin e trajnerëve?
Shiko, gjithmonë ndërrohen trajnerët kur nuk shkon mirë gjendja, por kjo nuk do thotë që trajneri është i vetmi fajtor. Aty ka shumë gjëra që duhen rregulluar, por trajnerët bëhen “koka turku”. Megjithatë shpresoj që trajneri i ri i ardhur të shprehë në 100% mendimet e tij pasi eksperienca që ai zotëron është luks për kampionatin shqiptar e tani në këto çaste delikate edhe për Vllazninë.
Skuadra u duk se reagoi nën drejtimin e Lazslos, me një sukses me Dinamon…
Ekipi u duk shumë mirë me Dinamon, u duk dora e trajnerit që në fillim dhe mori një fitore më shumë se të merituar. Skuadra në syrin tim u duk shumë më shumë entuziaste, më e vendosur në fushë dhe po ashtu e dispilinuar. Elementë që kishin munguar së fundmi, por Vllaznia u shpreh siç duhet dhe ajo fitore që besoj se është shumë e rëndësishme tregoi se ky ekip ka cilësi. Di të luajë futboll dhe duhen gjetur mekanizmat e duhur që të funksionojë, tashmë edhe Lazslo po merr kohën e tij dhe kam besim se ekipi do ketë një ngritje me të në krye nga java në javë.
Por, ekipi u “godit” shpejt me një humbje në Rrogozhinë, mund të kishte një rezultat tjetër ai takim?
Vllaznia bëri një ndeshje shumë të mirë në Rrogozhinë, duke pasur disa deficite në cilësi me kundërshtarin, që ishin thelbësore për fatet e takimit. Por vetëm Egnatia, që është edhe pjesë e Conference League, Teuta dhe deri diku Dinamo mund të jenë më lart se Vllaznia përsa i përket cilësisë së futbollistëve. Ndërsa me skuadrat e tjera kuqeblutë i shoh të barabartë ose edhe superiorë, ndaj ekipi duhet të jetë pjesë e luftës për 4-5 vendet e para të klasifikimit. Këto dy ndeshje kanë treguar ndryshim dhe tashmë ky ndryshim duhet të përkthehet në pikë, në mënyrë që ekipi të lërë pas startin e dobët të edicionit.
Si e parashikon “klasiken” e kësaj fundjave kundër Tiranës? Duel i veçantë si gjithmonë, Tirana ka një formë pozitive, por nuk i shoh aq lart dhe larg Vllaznisë. Këtë ndeshje them se Vllaznia do dhe duhet t’a fitojë, kjo është prova reale edhe për trajnerin pasi besoj se tashmë është momenti që ekipi të shprehet siç do ai, brenda mundësive nga futbollistët që ka nën dispozicion. Them se janë bërë disa ndryshime në rreshtim apo edhe përbërje të titullarëve që do ndikojnë për mirë edhe kundër bardhebluve.
Sa e rëndësishme mund të jetë tifozeria në një duel e moment të tillë?
Tifozët historikisht janë një pjesë e forcës së Vllaznisë dhe kësaj rradhe uroj të jenë të shumtë në “Loro Boriçi”. Edhe ata janë të zgjuar dhe kuptojnë situatën, e dinë që ekipi ka nevojë për mbështetje dhe moral. E duke qenë të gjithë të bashkuar mund të kalohet momenti negativ e skuadra të hyjë në shinat e duhura.
(Video) Prononcimin e plotë të trajneri të Vllaznisë Csaba Lazslo në pragndeshjen me Tiranën.
Endri ÇINARI


