Vllaznia e futbollit femra ka mësuar mesditen e djeshme kundërshtarin e Turit të Dytë të “UEFA Women’s Europa Cup”, ku përballë do të ketë skuadrën italiane, Inter. Dy sfida këto, e para në Milano dhe e dyta në Shkodër, pas të cilave do të vendoset ekipi kualifikues që shkon në Turin e Tretë të “Europa Cup”.
Veriu Sport, kontaktoi sot me trajnerin e Vllaznisë së futbollit femra, Nikolin Leka, i cili vlerëson kundërshtarin por nga ana tjetër shpreh hapur objektivin e kalimit të turit.
Profesor Leka, si e pritet kur goglat ju vunë përballë Interit?
Çdo short është i vështirë, seose janë ekipe elitare në Europë, ekipe me emër. E pritëm si çdo short tjetër, normalisht që ekipi është duke u përgatitur që të përballojmë edhe Interin, sepse e kemi thënë edhe herët e tjera që objektivi jonë është që të ecim sa më përparë. Në fakt, ne nuk kemi luajtur ndonjëherë me këtë ekip, do të studiojmë Interin se si e ka mënyrën e lojës, pasi është një ekip cilësor. Por, në fund të fundit, ne do të bëjmë punën tonë, do të mundohemi të shkojmë drejt atij objektivit tonë që ta kalojmë turin e dytë.
Profesor, Vllaznia e futbollit të femrave ka sjellë në stadiumin “Loro Boriçi” si kundërshtar, emra të mëdhenj të futbollit Europian dhe Botëror, si Real Madrid, Chelsea, PSG, Juventus, dhe tashmë edhe Interin e Milanos. Ky është një realitet fantastik, kjo është merita e juaj, e skuadrës dhe Presidentit Lazër Matija.
Me të vertetë është një kënaqësi e madhe kur luan përballë këtyre emrave dhe arrin të sjellësh në stadiumin “Loro Boriçi” ekipe të tilla, siç kanë qënë Reali, PSG, Chelsea, Juventusi dhe Interi së fundmi, por siç e thatë edhe ju, kjo është Vllaznia e femrave, falë të gjithë ekipit, si dhe menaxhimit dhe investimeve që bën presidenti Matija për këtë ekip, i kemi arrit këto suksese në vazhdimësi.
Shorti ka përcaktuar që sfida e parë e turit të dytë ndaj Interit të luhet në Milano, ndërkohë që ndeshja e kthimit në Shkodër. E shikoni si avantazh luajtjen e ndeshjes së parë në transfertë, në mënyrë që pas një jave, me mbështetjen e tifozërisë shkodrane, të luftoni fort për kualifikimin në turin e tretë?
Ka edhe kjo pjesën e vet të favorit brenda, por këto janë ekipe që nuk pyesin fort për fushën ku luajnë, por gjithësesi, ka një pjesë të favorit brenda, sepse të luash ndeshjen e parë jashtë të jep mundësinë ta studiosh më mirë kundërshtarin për ta shfrytëzuar këtë në momentin e ndeshjes së kthimit në Shkodër.
Një barazim në transfertën e Milanos do të ishte fantastike, ndoshta një avantazh më shumë për Vllazninë në ndeshjen e kthimit.
Çdo rezultat, përveç humbjes është pozitiv për ekipin tonë, por siç e thashë më herët, objektivat tona si skuadër janë që të ecim sa më përpara dhe ne do të punojmë fort në këto ditë që kemi në dispozicion. Nga ana tjetër Presidenti Matija, do të ndërhyjë përsëri në merkato, në mënyrë që të forcohet ekipi, në ato pika ku është parë e domosdoshme, në mënyrë që të kalohet me sukses edhe ky tur.
13 bjerje ka realizuar deri më tani Presidenti Lazër Matija për ndeshjet Europiane, dhe përsëri në merkato?
Patjetër që presidenti Matija kërkon ta forcojë edhe më shumë ekipin me lojtare të huaja, sepse me lojtaret që kemi në dispozicion, për momentin e kemi të vështirë të luftojmë kalimin në turin e tretë, sepse sa më shumë ture të kalosh, aq më shumë shtohet koeficienti i vështirësise. Kështu, që me punë, me afrimin e lojtareve të reja si dhe me grupin që kemi në dispozicion, besojmë të ecim sa më përpara drejt realizimit të objektivit.
(Video) Prononcimin e plotë në video të trajnerit të Vllaznisë futboll femra Nikolin Leka, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar: Veriu Sport-YOUTUBE.
Intervistoi: Gaspër MARKU



