Tuesday, March 10, 2026

(Intervista-Video) Xhevdet Zekaj: Nuk e kemi fshehur asnjëherë që synojmë të dy trofetë, fokusimi për të premten në përballjen me Vllazninë në “Arena Egnatia”

Lexo

- Reklamë -spot_img

Për përgjegjësin e marrëdhënieve me mediat në KF Egnatia Xhevdet Zekaj, klubi rrogozhinas nuk e ka fshehur asnjëherë që synon fitimin e dy trofeve të sezonit, Kupë dhe Kampionat.  I pranishëm si përfaqësues i klubit në shortin e hedhur për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë Egnatia,  teksa vlerëson Elbasanin si kundërshtar, beson në kualifikim dhe fitimin e trofeut. Por, për momentin, Zekaj pohon se përqëndrimi kryesor është tek kjo e premte, ku kalendari i Superiores e përballë me Vllazninë kryesuese.

Peshkuat skuadrën e Elbasanit, një skuadër që Egnatia, pavarësisht se është me pikë barabarta në kampionat, nuk e keni mundur asnjëherë në Abissnet Superiore. Ju kënaq fakti që është pikërisht Elbasani?
Natyrisht që ne nuk erdhëm për të peshkuar, po e dinim që ky short do ishte i vështirë për këdo që të jetë, çdo skuadër. Janë katër skuadrat më të mira, të paktën nga ato që kanë treguar. Është e vërtetë që me Elbasanin ne kemi dy humbje dhe një barazim. Këto janë gjëra që ndodhin në futboll, ndeshjet e Kupës kanë tjetër përgjegjësi, tjetër variant, tjetër angazhim dhe janë ndeshje me eliminim direkt, kështu që duhet me trajnerët që bëjnë zgjedhjet e tyre dhe strategjitë që nuk përshtaten me strategjitë e kampionatit. Të gjitha skuadrat janë aty-aty edhe në pikë. Edhe ne kemi bërë një ecje të barabartë me Elbasanin. Nuk është se Elbasani ne na ka dominuar, po të shikojmë ndeshjet me kujdes. Kemi qenë po aty, kemi qenë me futbollin tonë, kemi zotëruar topin, por ka ditur të marrë më të mirën me atë mënyrë loje me prakticitetin që treguan dhe ambientin realist.

Referuar sezonit që po shkon, a e shikoni fitimin e Kupës apo shkuarjen deri në fund të këtij kompeticioni si shpëtim për Egnatian?
Ne jemi brenda objektivave, kemi objektiva “Final Four”, të shkojmë deri në “Final Four”. Pastaj objektivat e tjera janë në vijueshmëri të rezultateve. Synojmë, nuk e kemi fshehur asnjëherë që synojmë trofetë, por që tani për tani jemi te objektivi jonë, ai që është më i afërt është “Final Four”. Pastaj vjen Kupa e Shqipërisë.

Trofeu i parë i madh që ka fituar Egnatia ka qenë Kupa. Është synimi prapë që të riktheheni atje?
Me së të drejtën, pas një humbje me Dinamon do të ishte shumë mirë për t’u rikthyer edhe te Kupa, sepse skuadra është aty, grupi është aty. Kemi 25 lojtarë me të vërtetë të mirë me një stol shumë, shumë të mirë. Rikthimi i Xhemailit që nuk u largua. Po rikthehet në formë Sota, i cili do të luajë që këtë javë. Gjithë grupi është rikthyer, s’kemi asnjë të dëmtuar e as të dënuar. Aleksi kthehet dhe kjo na jep mundësinë që të jemi të përgatitur për vazhdimësinë në kampionat me grupin që kemi. Dhe me financimet që kemi bërë me stadiumin dhe fushën shumë të mirë, nuk kemi asnjë frikë të themi që nuk kemi frikë njeri, por i respektojmë në maksimum kundërshtarin, se futbolli është i bukur që nuk fiton gjithmonë më i miri dhe më i forti.

Referuar spekulimeve, mendohet që mund të afrohet një lojtar si Regi Lushkja, që nuk është pjesë e kampionatit në Iran për shkak të luftës atje. Është thjesht një aludim apo një tentativë që mund të preferojë skuadra e Egnatias, për një futbollist që ishte ai që spikati sezonin e shkuar kur u shpallët kampionë?
Personalisht nuk kam asnjë informacion. Thjesht aludim, ta quajmë legjendat urbane që ndodhin në futboll. Këto janë gjëra që ndodhin, por ne nuk kemi, aq më shumë që në Federatën Shqiptare të Futbollit është mbyllur merkato zyrtarisht dhe nuk besoj të ketë hapësirë më. Ne e kemi të plotësuar dhe numrin e lojtarëve.

Përtej Kupës që është më vonë, revanshi i Egnatias është të premten. Kërkon vendin e parë me Vllazninë…
Po më mirë le të thotë Sinani se çfarë do të ndodhë. Ne do të vazhdojmë. Është një kundërshtar që e respektojmë, por ka një gjë shumë të mirë. Vllaznia luan futboll dhe të lë të luash futboll. Themi që jemi në këtë gjendje që është grupi tani, që është pak më mirë se sa në ndeshjet e tjera. Por Vllaznia është një skuadër që me të vërtetë me blerje, me prurjet që ka bërë, ka krijuar probleme çdo lloj skuadre, ashtu si edhe neve mund të na krijojë.

(Video) Prononcimin e plotë të Xhevdet Zekajt, përgjegjës për marrëdhëniet me mediat në klubin e Egnatias, për shortin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img