Dy fitoreve radhazi në ndeshjet gjysëmfinale të fazës Play-Off ndaj Vllaznisë, 3-0 dhe 0-3 dhe Partizani është skuadra e parë finaliste që do të diskutojë fitoren e titullit kampion me fituesin e çiftit tjetër, Tirana-Erzeni, gjysëmfinale kjo që ka shkuar në një ndeshje të tretë. Pas suksesit të arritur në Shkodër, trajneri i Partizanit, Ylli Tomorri dha një prononcim për Veriu Sport.
Profesor Tomorri, urime për fitoren, e dyta radhazi dhe kualifikim në finale.
Faleminderit për urimin, natyrisht që ne e kishim vlerësuar maksimalisht ndeshjen pothuajse njëlloj si në Tiranë. Vllaznia është një sukadër shumë e mirë, luan një volejboll të mirë, të pastër, ka lojtarë me përvojë, ka lojtarë me perspektivë, dhe kështu që unë mendoj se mund të ketë një të ardhme të mirë më vonë. Sepse po të gërshtohen lojtarët me përvojë me ato të rinj do të jetë shumë mirë, ashtu siç i kemi gërshëtuar edhe ne që sot kemi një skuadër komplet të re nga ajo çfarë ka qënë parvjet dhe vjet, dhe jep frytet e veta.
Tashmë në finale, dhe patjetër objektivi është për trofe?
Objektivi është për në finale, trofeja vjen më mbrapa, mbas lojës, mbas asaj në qoftëse i bën detyrat mirë, dhe në qoftëse luan pa gabime, vlerëson kundërshtarin. Natyrisht, ne përderisa jemi në finale jemi me meritë, sot kemi ndeshjen e dhjetë radhazi që fitojmë, nuk kemi asnjë ndeshje të humbur, dhe natyrisht kjo është një tregues i mirë për skuadrën tonë. Kështu që në finale do të shkojmë për të pretenduar, por sporti është sport, topi është i rrumbullakët dhe natyrisht do të fitojë ai që është më i miri.
Ndërsa në Shkodër, Partizani duke mundur dy herë radhazi Vllazninë është finalisti i parë, çifti tjetër, Tirana-Erzeni do të luajnë një ndeshje të tretë për të përcaktuar finalistin tjetër. Cilin prej këtyre dy skuadrave do të preferonit ta kishit kundërshtar në finale?
Ne nuk kemi preferencë në këtë drejtim. Me të gjitha skuadrat e kampionatit shqiptar kemi luajtur dhe natyrisht që kemi dalur fitues me të gjitha. Unë gëzohem që arritëm objektivin që kjo skuadër e re shkoi në finale, ashtu siç u gëzova kur shkuam në Kupën e Shqipërisë. Natyrisht, që edhe në Kupë luajtëm më mirë dhe fituam trofenë përkatës. Shpresoj që edhe këtu të luajmë më mirë, ajo është një diçka që do të ndodhë nga gjendja e lojtarëve, ana psikologjike, ajo morale, natyrisht janë lojtarë që po rriten nga dita ditës dhe lojtarë që po mësohen të luajnë në finale.