Thursday, May 2, 2024

(Intervista) Kapiteni shkodran Gurishta flet për pragndeshjen, Laçi-Vllaznia(E shtunë ora 16.00)

Lexo

Java e 27-të e Superligës rezervon një sfidë shumë interesante, atë Laçi-Vllaznia, takim që do të luhet të shtunën në stadiumin e Laçit duke filluar nga ora 16.00. Në prononcimin e tij për këtë pragndeshje, kapiteni kuqeblu Erdenis Gurishta shprehet optimist që këtë herë është Vllaznia ajo që do të dalë fituese e ndeshjes.

Kapiten, ta nisim nga ndeshja e së shtunës së kaluar, Vllaznia- Partizani që ju munguat për arsye kartonësh. Si e përjetuat këtë ndeshje nga jashtë fushës së lojës?

Ndeshjen me Partizanin e kishim parashikuar një ndeshje të vështirë. Por, unë e kisha theksuar dhe biseduar edhe me trajnerin që Partizani do të vinte në Shkodër që të mos e humbiste ndeshjen, sepse pas nesh ai ka tre ndeshje në shtëpi. Për pjesën se si shkoi ndeshja, mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë, megjithatë ne kishim shanse për ta fituar ndeshjen, por futbolli kështu është. Gjithsesi duhet ta lëmë pas krahëve atë ndeshje dhe të përqëndrohemi tek ndeshja e së shtunës.

E parë në kompleks në përballjen me Partizanin, Vllaznia humbi dy pikë apo mori një pikë?

Në këtë moment se si ka ardhur rrjedha e kampionatit, ndeshja duhej të ishte fituar për të mos i ndërlikuar gjërat, por e rëndësishme është që duke pasur parasysh edhe mungesat që kishim si dhe nivelin e kundërshtarit që kishim përballë nuk ishte keq edhe një pikë.

Të kalojmë tek ndeshja e radhës, pas dy ditëve pushim, sot keni filluar përgatitjet anti-Laçi, si duket gjendja e skuadrës?

Situata është e mirë, gjendja e futbollistëve është e mirë, përpos Imamit që akoma ka një dëmtim, tani grupi është më i plotë dhe trajneri ka kohë që ta përgatisë ndeshjen për të zgjedhur 11 lojtarët më të mirë për ndeshjen e së shtunës. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, një ndeshje shumë e dyluftuar, por besoj se kemi shumë shanse për ta fituar këtë ndeshje.

Faktikisht, Laçi është skuadra që ju ka mundur dy herë në këtë sezon, mendoni se është momenti i duhur për t’i marrë pikët e plota dhe të marshohet drejt titullit kampion?

Është e vertetë që Laçi na ka mundur dy herë në këtë sezon, por besoj se kjo ndeshje do të jetë krejt ndryshe. Do të jetë një ndeshje që besoj se do të vendoset nga episodet, ai që do të gabojë më pak do të fitojë. Unë besoj se do të jetë një ndeshje e mirë e jona dhe shpresoj se do të dalë me rezultat pozitiv për ne.

Fillimisht, kjo ndeshje ishte planifikuar të luhej në orën 13.00, por më pas u spostua në orën 16.00, mendoni kjo orë është më e përshtatshme për një sfidë të tillë?

Besoj se është mirë, pasi në orën 16.00 është disi me fresk, sepse në 13.00 temperaturat mund të jenë më të larta. Kam mendimin se është më mirë për të dy ekipet.

Është folur shpesh herë që fusha e Laçit është një “fushë e nxehtë”, ka ndonjë problem për ju në këtë transfertë?

Faktikisht, fusha e Laçit është më e vogël se sa fusha e jonë, është një fushë që gjithë kohës je në dyluftime dhe duele dhe Laçi në fushën e tij është një ekip shumë agresiv, por besoj se në këtë ndeshje ne do t’i përgjigjemi me të njëjtin agresivitet, pastaj të shofim.

Në këtë ndeshje do të keni përballë në portën kundërshtare portjerin Alen Sherri që e keni pasur koleg të skuadrës tek Vllaznia, keni ndonjë mesazh për të?

Aleni është shoku dhe miku im, unë kontaktoi shpesh me të, por i kam thënë se këtë herë do të vij në Laç dhe do të mund.

Për tu theksuar është që me Laçin do të përballeni dy herë radhazi, të shtunën në transfertë për kampionat dhe menjëherë të mërkurën e ardhshme në “Loro Boriçi” për Kupë. Sa lidhje kanë këto ndeshje me njëra tjetrën sipas jush?

Normalisht që janë dy ndeshje shumë të forta, por ntë ndryshme nga njëra tjetra. Ne jemi të përqëndruar tek ndeshja e së shtunës për kampionat, pastaj do të kemi kohë të mendojmë për ndeshjen e së mërkurës për Kupë. E mira e kësaj gjysëmfinale është që na ra të luajmë në fushën tonë. Ne nuk është se kishim ndonjë preferencë për kundërshtarin, thjeshtë preferenca jonë ishte që ndeshja të luhej në Shkodër. Ndeshja tashë do të luhet në Shkodër dhe them se të dyja skuadrat kanë shanset e hapura për të shkuar në finale. Por, e theksoj edhe një herë që vemendja e jona është për ndeshjen e së shtunës në kampionat.

Në opinion po flitet me entuziasëm që Vllaznia do të fitojë dy trofetë, Kupë dhe Kampionat, por, si mendon Gurishta për një gjë të tillë kur skuadra lufton në të dy frontet?

Unë mendoj se deri në javën e fundit, 3-4 ekipe do të jenë në valle për titullin kampion, ai ekip që gabon më pak, ai ekip do të shpallet kampion. Pra, e theksoj, ashtu si ne, Teuta, Laçi, dhe Partizani ka shumë shanse që të dalin kampionë, ndërsa Kupa është një specifikë tjetër, është një ndeshje teke me Laçin, shpresojmë të shkojmë në finale, pastaj kemi kohë të mendojmë edhe për ndeshjen finale.

Në kampionat, cilin ekip shikoni si rival kryesor për titull?

Për mua, që të gjithë ekipet që përmenda më lart janë rival, përderisa një pikë dhe dy pikë na ndajnë nga njëra tjetra, ky kampionat tregon se është një kampionat i fortë. Tani në valle ndoshta është futur edhe Tirana, por ne duhet të shohim ndeshjet tona dhe nuk duhet të merremi me kundërshtarët.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img