Laçi arriti të fitonte me rezultatin 3-0 përballë Kastriotit, por që nuk shërbeu për të shkuar në Kupat e Europës. Zv. trajneri Klevis Hima u shpreh i zhgënjyer dhe e quajti këtë sezon të dështuar:
“Është një keqardhje shumë e madhe. Kishim disa vite radhazi në Europë. Kishim bërë disa hapa të mirë sa i përket Europës. Duhet t’i kërkojmë falje presidencës, tifozët, pasi mund ta quajmë një vit të dështuar.
Shpresojmë që vitin tjetër Laçi të jetë aty ku i takon dhe ku ka investuar gjithë këto vite dhe ka dhënë tonin kampionatit shqiptar për garat europiane”, u shpreh Hima për “Ovesport”.
Kastrioti e mbylli me humbje sezonin 2022/23 me rezultatin 3-0 nga Laçi. Trajneri i krutanëve, Emiljano Çela foli pas ndeshjes:
“Keqardhje shumë e madhe që ky grup të përfundonte me këtë lloj dështimi, qoftë në fazën e ndërtimit të ekipit, qoftë në mënyrën si punuam, si u futëm në kampionat, patëm shumë probleme. Duke marrë shkas që nga bllokimi i merkatos, te problemet me lojtarët, te dëmtimet.
Ishte një sezon shumë i gjatë. E mendonim që do ishte një sezon me probleme”, u shpreh Çela.