Për zv.trajnerin e Vllaznisë, Elvis Plori, edhe pse kushtet stervitore për shkak të shirave të shumtë të rënë në Shkodër nuk kanë qenë aspak normale, skuadra nuk është marrë me këto probleme, por ka qënë e përqëndruar në përgatitjet intensive në kalçeto. Dhe, përpos kësaj, problem jo i vogël është mungesa për arsye kartonash e dyshes potente, kapitenit Gurishta dhe mesfushorit Krymi. Megjithatë, sipas Plorit, futbolistët kuqeblu janë shumë të motivuar për të marrë fitores e radhës, të dielen ndaj Skënderbeut.
Profesor, problem për skuadrën ndryshimi i programit stërvitor duke kaluar nga fusha në terren të hapur e Golemit, në kalçeto për shkak të reshjeve?
Kuptohet që është pak problem, por nuk jemi marrur më këto probleme por duhet të vazhdojmë të punojmë maksimalisht në pjesën e kampionatit. Këto ditë jemi spostuar këtu por na kanë ndihmuar edhe ndeshjet që i kemi pasur çdo tre ditë dhe duke i pasur kaq afër normalisht ngarkesat kanë qenë të plota dhe më pas jemi marrur më shumë me pjesën e rikuperimit. Taktikisht nesër(të mërkurën) na duhet të punojmë në stadium që të jemi gati për ndeshjen me Skënderbeun.
Sa ndikon mungesa e stervitjes në fushën e madhe?
Ndikon më shumë tek lojtarët që kanë pasur minuta më pak.
Një tjetër problem për stafin tuaj teknik, mungesat e Gurishtës dhe Krymit në sfidën e radhës.
Po, do i kemi këto dy mungesa. Ato janë lojtarë bazë të skuadrës, por ne asnjëherë nuk i kemi përmendur problemet e mungesave sepse kemi ndërtuar një skuadër në të cilën të gjithë lojtarët duhet të zevëndësohen dhe i kemi gati. Shpresoj që lojtarët që do të futen do të japin më të mirën, ne kemi shumë besim tek ato që janë në stol.
Natyrisht fitorja me ekipin e Partizanit ka krijuar në klimë shumë pozitive, gjithashtu edhe vazhdimësia e javëve të fundit është pozitive për skuadrën.
Atmosfera në skuadër është shumë pozitive, jemi optimist për mënyrën se si po ecim javët e fundit por duhet të jemi të përqëndruar tek prag ndeshja me Skëndërbeun. Ka shumë seriozitet në punë dhe kjo gjithmonë për trajnerin është një plus i madh.
Është folur shumë javët e fundit për mungesën e tifozëve, por duket që në ndeshjen me Partizanin u dha një sinjal shumë pozitiv.
Kanë të bëjnë shumë oraret dhe dita e ndeshjes. Sa më lart të jetë gjendja e Vllaznisë aq më shumë tifoza do të kemi.
Zevëndësimet e Gurishtës dhe Krymit, problem për t’u zëvendësuar?
Normalisht janë lojtarë kryesor të skuadrës, por nuk është një problem duke ditur se kush i zevëndëson. Kemi një stol shumë të mirë dhe lojtarë të mbushur me energji që presin të hidhen në fushë.
Vllaznia është shumë pranë kreut duke kërkuar të papë Tiranën.
Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të jemi serioz çdo ditë në seancat stërvitore, në çdo ndeshje dhe të mos merremi fare me skuadrat e tjera. Them se duke i marrur ndeshjet siç i kemi marrur javët e fundit dhe të korigjojmë gabimet e fillimit të sezonit, do të jemi aty ku e mendojmë.
Një mesazh për tifozët?
Ato janë shumë të domossdoshëm për ne, ashtu siç ishin edhe në minutat e fundit të ndeshjes me Partizanin kur mbetëm me 10 lojtarë. Ishin një ndihmesë shumë e madhe. Energjia pozitive që japin tifozët tek ne është shumë e madhe.
Plori faleminderit!
Faleminderit ju!