Për gazetarin e mirënjohur sportiv, Irfan Rama, Vllaznia është një skuadër e madhe, e cila luan futbollin më modern në Shqipëri. Opinionet e tij për Vllazninë, Rama i shprehu në emisionin sportiv, “Sport Show” TV1 Channel të drejtuar nga gazetarja Silvi Kastrati.
“Vllaznia është një skuadër e madhe, ka një ekip shumë esencial, ka një ekip që bën një futboll modern. Për mua është ekipi që bën futbollin më modern në Shqipëri. Mund të flasim edhe për ekipet e tjera, si për Tiranën, Kukësin, Laçin, por futbollin më modern në Shqipëri e bën Vllaznia.
Me alternimet e sulmuesve që bëri në ndeshjen me Partizanin në Tiranë, luajti 4-3-3, sepse më përpara kishte formulë tjetër Bërdariç, dhuroi spektakël. Treshja sulmuese që paraqiti Vllaznia në këtë ndeshje, mund t’i bëjë vetëm kombëtarja e Francës, e Anglisë, etj. Lëvizjet nga njëri krah në tjetrin dhe në qëndër nga ana e sulmuesve kuqeblu ishin lëvizje për t’u pasur zili, plot harmoni, teknike dhe elegancë si askush tjetër në futbollin shqiptar.
Vllaznia, faktikisht, po t’i bësh një analizë të shkurtër të zhvillimit të ndeshjeve, ajo tenton tek barazimet. Pra, ka 8 fitore, 10 barazime dhe 3 humbje. Është java e 21-të ka edhe 15 javë kampionat. Unë gjykoj që Vllaznia nuk do të bie poshtë, ajo do të ngrihet. Pse do të ngrihet? Do të ngrihet sepse në të gjitha pikpamjet ka lojtarë shumë të mirë duke përfshirë edhe rezervat që aktivizon gjatë lojës, sepse gjithçka është stoli. Një skuadër e dubluar jo vetëm në aspektin e stolit por edhe të lojës. Po të bësh një analize taktike, 3-4-3, të luash me tre sulmues brenda në Tiranë ndaj Partizanit nuk është pak, e bën vetëm Brdariç atë lojë. Të luash edhe me tre qëndërmbrojtës tregon se ke një skuadër që luan futboll modern.
Vllazninë e shikoj patjetër në Europë, mund ta fitojë edhe Kupën, por për mua është ndër katër skuadrat e para që të çojnë në Europë.” – u shpreh gazetari sportiv, Irfan Rama në panelin e Sport Show-TV1 Channel në fillim të kësaj jave.
Ndër të tjera, gjatë këtij emisioni, Rama si pjesë e një familje të vjetër shkodrane, i lindur në Lezhë dhe që jeton prej vitesh në Tiranë, foli me shumë konsideratë për tifozërinë Shkodrane, të cilën e përgëzoi së tepërmi për mbështetjen që i dha skuadrës gjatë të gjithë ndeshjes, por edhe për vizionin e përgatitjes së atij baneri gjigand që ato kishin shpalosur në tribunën e “Air Albania” dedikuar 117 vjetorit të historisë së futbollit shkodran.
Gaspër MARKU