Sunday, November 24, 2024

Ish trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, komenton pragndeshjen, Vllaznia-Tirana:Bardheblutë me më shumë presion!

Lexo

Mirel Josa është ndër të paktët që jo vetëm i ka drejtuar të dyja, por edhe ka fituar me të dyja, madje edhe ka vuajtur me këto skuadra. Por kur e pyet se kush e fiton ndeshjen Vllaznia-Tirana, atëherë ai është i qartë: “Skuadra që është më e qetë në aspektin psikologjik. Kur drejtoja shkodranët Tiranës i morëm 7 pikë në tri ndeshje, por futbolli nuk është shkencë ekzakte”, thotë në prononcimin e dhënë për Panarama Sport, trajneri Mirel Josa

Si një ish-futbollist, si një njeri që jeton me futbollin, çfarë është për historinë e sportit në Shqipëri, Vllaznia-Tirana?

Është një nga përballjet që ka prodhuar gjithmonë futboll të mirë, futboll kërkues, futboll kreativ. Dhe, kjo sepse të dyja skuadrat kanë pasur shumë cilësi brenda tyre, si individuale dhe kolektive. Madje, jo vetëm në këtë periudhë, por edhe gjatë kohës që unë kam luajtur futboll.

Vazhdon kështu edhe tani, apo jemi pak nostalgjikë dhe mendojmë se atëherë ishte më ekzaltuese dhe më e ndier…?

Për mendimin tim kanë ndryshuar pak gjërat me kohën kur kam luajtur unë. Atëherë ka qenë cilësia brenda skuadrave, sepse luaje me një tjetër dëshirë, luaje me një tjetër impenjim. Në atë kohë, skuadrat kanë pasur më shumë lojtarë që përfaqësonin qytetin e tyre. Për Vllazninë luanin shkodranë dhe për Tiranën, tiranas, pra lojtarë që kanë dalë nga akademitë e këtyre dy skuadrave. Ndërsa tani, situatat kanë ndryshuar. Mund të them se lojtarët janë të fokusuar më shumë te të mirat që do të marrin nga klubet e tyre. Një gjë që më bën përshtypje është se kanë ndryshuar tifozëritë e të dyja skuadrave. Këto, në kohën që ne kemi luajtur, kanë pasur marrëdhënie shumë më miqësore sesa në këto 4 – 5 vitet e fundit. Gjatë këtyre viteve ka ndryshuar shumë raporti i këtyre dy tifozërive, qoftë Tiranës apo Vllaznisë.

Mos ndoshta ka ndryshuar dhe Shqipëria në tërësi…?

Po, po, Shqipëria ka ndryshuar. Ka ndryshuar shumë Shqipëria, por jo futbolli. Futbolli nuk ndryshon…(qesh).

Si e shihni këtë ndeshje? Për cilën skuadër është më e rrezikshme?

Kur unë kam drejtuar Vllazninë jemi ndeshur tri herë me Tiranën. Kemi luajtur në të tjera kushte nga këto që do të luajnë tani, por ama i kemi marrë 7 pikë dhe nuk na kanë mundur asnjëherë.

Për çfar kushtesh e keni fjalën?

E kam fjalën për klasifikimin. Domethënë varet varet për çfarë iduhet Tiranës dhe për çfarë Vllaznisë, ndeshja. Tiranës I duhet për të konsiliduar vendin e parëdhe për të ruajtur diferencen me Partizanin për të mos vënë në diskutim kampionatin, ndërsa Vllanzisë i duhet për të siguruar Europën. Kështu që rrezikshmëria është e dyanshme, sepse edhe Tirana nuk do të lejojë që të fitojë Partizani duke e bërë të mirëqënë trepikëshin e këtij të fundit. Pasi gjithmonë, kështu mendojnë skuadrat tre javë përpara mbylljes, ndërsa, normalisht, Vllaznia duhet të sigurojë Europën, sepse nuk sigurohet ajo vetem me Kupën. Pa ka dhe Kupën, por në përballjen në Kupë ka një skuadër shumë të fortë, siç është Egnatia.

A shihni ndonjëren favorite për cilësitë që kanë, për mënyrën sesi vijnë në këtë takim?

Unë nuk shoh favorite. Konsideroja favoritë Tiranën kur kemi luajtur ndeshjen e fundit, por kemi fituar në Shkodër, 1-0, kur unë kam qënë trajner i Vllaznisë. Atëherë e shihja Tiranën më të avantazhuar në stabilitetin që kishte si skuadër, ndërkohë që Vllanzia kishte problemet e ndërtimeve, problem të luhatjeve, etj. Ndërsa tani nuk shoh favorite, sepse nuk jam brenda një skuadre që të flas konkretisht sesi mund të zhvillohet një ndeshje.

Si përcaktohet rezultati i “klasikes”: vetëm nga episode apo nga skuadra që është më mirë psikologjikisht apo fizikisht?

Unë them më mirë nga skuadra që është më mirë psikologjikisht. Në tri ndeshjet që unë kam drejtuar Vllazninë përballë Tiranës, kemi marrë rezultate pozitive në fushë. Kemi marrë 7 pikë. Të mos harrojmë që dy nga këto ndeshje janë luajtur në Tiranë.

Si e karikonit skuadrën para Tiranës? Çfarë u thoshit futbollistëve, si e përgatisnit ndeshjen? I injektonit qetësi, apo grintë?

Në ato momente më shumë se gjithçka duhet  qetësia, por duhet tu kujtosh lojtarëve edhe aftësinë e tyre, pra se çfarë kanë bërë lojtarët që kanë luajtur kundër kësaj skuadre një ndeshje që e ke fituar. Ne përshëmbull shikonim të gjitha rezultatet e mira që kishim bërë gjatë të gjithë kampionatit me këtë skuadër. Dhe, fakti më nxirrte Superiore skuadrën e Vllaznisë.

Ju i keni drejtuar të dyja skuadrat, Tiranën dhe Vllazninë që e keni më të freskët. Cili nga këto ambiente ka më shumë presion në tërësi?

Unë Tiranën e kam drejtuar në momente shumë të këqija. Nuk besoj se te Vllaznia ka shumë presion, ndërsa te Tirana ky është më i madh, sepse Tirana do të fitojë çdo ndeshje. Jo se Vllaznia nuk ka dashur t’i fitojë ndeshjet. Unë e kam drejtuar edhe në një moment shumë të keq Tiranën, madje atë peëriudhë të dyja skuadrat ishin në situata të njëjta të këqija, sepse u “përplasen” në luftën e mbijeteses në Superiore. Ajo ka qënë ndeshja më e padëshiruar për mua. Që më parë se rastësia të përballke këto dy skuadra, ishte gjëja nuk do të doja kurrë ta përjetoja.

Po të ishit trajner i Tiranës sot, cilin lojtar do t’i hiqnit Vllaznisë për ta fituar ndeshjen?

Unë nuk e bazoj shumë ndeshjen në lojtarë të veçantë.

Në aspektin, një lojtar që ka forcën dhe lidërshipin në fushë…

Nëse do të isha trajner i Tiranës, do t’i hiqja Jonuzin kundërshtarit dhe nëse do të isha i Vllaznisë do t’u hiqja Hasanin Tiranës.

Si del ndeshja?

Nuk kam dëshirë të bëj parashikime, thjesht përfitoj nga rasti që doja t’u uroja të dyja ekipeve suksese në plotësimin e objektivave të tyre. Ndeshjen do ta ndjek me shumë interes..

Ju jeni lakuar edhe si një kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin e Dritës në kampionatin kosovar, Si është e verteta me këtë klub?

Nuk kam asnjë koment për këtë rast. Ndoshta do të flas në një moment tjetër, por jo tani.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img