Saturday, May 11, 2024

Pragndeshja, Vllaznia-Tirana. Trajneri kuqeblu Sedloski: Kemi përballë kundërshtar të fortë, por besoj te fitorja!

Lexo

Me seancën e sotme stërvitore, Vllaznia I ka dhënë fund përgatitjeve anti-Tirana, ndeshje kjo që do të luhet nesër në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 18:00. Duke folur në konferencën e zakonshme të shtypit, një ditë përpara ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Goce Sedloski e pranon se përballë do të ketë një kundërshtar të fortë, por nga ana tjetër  thekson se skuadra e tij është në formën e duhur dhe me besim për të marrë fitoren tre pikëshe.

“Është një ndeshje që kërkon shumë. Kundërshtari është shumë i fortë, por ne duhet të jemi të kujdesshëm, të guximshëm, të vrapojmë shumë në fushë, mendoj se lojtarët e dinë se çfarë kërkoj tani prej tyre. Puna ka shkuar mjaft mirë çdo ditë. Jetojmë të gjithë bashkë si një familje dhe mendoj se nesër do të luajmë një ndeshje shumë të mirë dhe do të fitojë më i miri. E dimë që Tirana është e para në tabelë, i respektojmë. Natyrisht dhe unë si trajner insistoj që duhet të bëjmë një futboll sulmues. Tirana nuk është rastësisht e para. Bëjnë shumë gola, por ne duhet të pozicionohemi në mënyrë të tillë që t’ia dalim. Është e rëndësishme të jemi të përgatitur fizikisht. Mendoj se dhe ata që do të jenë në fushë do të bëjnë një lojë mjaft të mirë. I bëj thirrje dhe tifozëve të na ndihmojnë, pasi kanë një domethënie të madhe për skuadrën tonë.”, u shpreh fillimisht Sedloski.

I pyetur për titullin kampion, Sedloski e shikon të vështirë mundësinë e Vllaznisë për këtë objektiv nisur nga diferenca e madhe prej 11 pikësh që Tirana ka me Vllazninë.

“E kam thënë dhe radhën që kaloi, ecim ndeshje pas ndeshje. Është herët për të folur se ka dhe shumë ndeshje për të luajtur, por jemi të fokusuar vetëm te ndeshja e nesërme. Për ndeshjen e nesërme nuk ka nevojë për një motivacion të madh, sepse ata e dinë se çfarë kërkojnë, çfarë duan të bëjnë. Është ende larg për fitimin e kampionatit. Mendoj se çdo ndeshje e radhës do të jetë si një finale.”, tha Sedloski.

Për ndeshjen e nesërme, tekniku maqedonas është më komod kur do të ketë në dispozicion dyshen e titullarëve, Gurishta-Hakaj, të cilët munguan javën e kaluar me Kukësi.

“Gurishta dhe Hakaj janë dy lojtarët tanë kryesorë. Nuk ka nevojë për të folur shumë se çfarë përfaqësojnë ata për ekipin tonë. Gëzohem që të dy ata janë kthyer. Mendoj se do të jenë në të njëjtin nivel që ishin dhe më parë.”, shton Sedloski.

Në ndeshjen e kaluar me Kukësin, tekniku i kuqbluve, hodhi në fushë për pjesën e dytë edhe shqiptaro-malazezin, Kristian Vulaj, i cili gjatë periudhës së mëparshme ka qënë në hije. Dhe, për këtë au i shpreh: “Të gjithëve do t’i jap shansin se si sillen. Gjatë proçesit stërvitor ka paraqitur një formë të mirë, prandaj e aktivizova. E kemi të dendur shpërndarjen e ndeshjeve. Më duhen shumë lojtarë në dispozicion, prandaj po i bëjmë provë edhe këto variante.”

Shorti duket favorizues për Vllazninë, por për Sedloskin, çdo ndeshje duhet të luhet, pavarësisht je në shtëpi ose jashtë. “Normalisht si pritës e shohim një avantazh. Ndeshjen e parë që kemi luajtur kundër Erzenit e kemi luajtur shumë mirë. nuk kemi qenë ashtu siç dëshiroja unë në ndeshjen me Kukësin, por çdo ndeshje ka ato uljet dhe ngritjet e veta. Të gjitha këto ndeshjet që kanë ngelur duhen luajtur në një nivel të lartë dhe çdo lojtar duhet të tregojë një nivel mbi veten.”, tha ai.

Në mbyllje, maqedonasi i pankinës kuqeblu, shpreson te fitorja ndaj Tiranës, duke u shprehur: ”Me një ndeshje të mirë, me një pozicion të mirë, do ta tregojmë të gjithën nesër në fushë. Por nuk duhet të harrojmë që përball kemi një kundërshtar mjaft të fortë, por që dhe ata kanë pikat e tyre të dobëta”.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img