Ka luajtur futboll me sukses deri në ekipin U-19 të Vllaznisë përkrah emrave të njohur të futbollit shkodran, dhe më pas është zhvendosur në Itali, ku krahas aktivitetit të suksesshëm privat me familjen e tij, Benard Gjekaj nuk është shkëputur asnjëherë nga pasioni i futbollit.
Fillimisht si futbollist në ekipet e ligave të ulta italiane, ndërkohë që prej një viti është bërë iniciator që të formojë në Milano, atje ku ka aktivitetin e tij privat, një ekip futbolli me emrin simbolik, Vllaznia.
Në lidhjen e drejtpërdrejtë që pati me emisionin “Studio Sport” në RTSH Shkodra, Benardi, në cilësinë e presidentit të këtij klubi, sqaron se ideja për formimin e kësaj skuadre erdhi nga dëshira dhe pasioni për të kujtuar dhe respektuar historinë dhe traditën e futbollit shkodran që lidhet me emrin e Vllaznisë.
E emërtuar dhe licencuar në struturat përkatëse juridike vendore italiane me emrin “Vllaznia L’Elite FC”, pjesë e kësaj skuadre janë shkodranë dhe shqiptar të lindur në Itali, por edhe të emigruar vitet e fundit në shtetin fqinjë.
Në krye të listës së federimit të “Vllaznia L’Elite FC”, është emri i Benard Gjekajt, jo vetëm si president, por edhe në cilësinë e një futbollisti aktiv që si kapiten skuadre vijon të kontribuojë në fushën e lojës.
Më pas, vijojnë: Gaspër Luku, Loro Kolecaj, Eraldo Mardedaj, Amarildo Gjonaj, Denis Palaj, Paulo Marku, Dennis Boci, Astrit Curaj, Gjastin Molla, Brian Izzo, Moreno Assanelli, Giacomo Stroppa, Ibrahima Sarr Papa.
Pranë kësaj skuadre janë edhe dy shkodranë të njohur, Erdis Dibra, një nga arbitrat e perspektives të Kolegjumit të Shkodrës i larguar vitet e fundit në Itali si dhe Jurgen Kojashi, që shkodranët e njohin si pjesë shumë aktive e tifozërisë kuqeblu në mbështeje të Vllaznisë, në “Loro Boriçi” dhe në të gjitha stadiumet e Shqipërisë, për të cilët presidenti Gjekaj, shprehu kënaqësinë që ato sjellin arome Shkodre në Milano.
“Vllaznia L’Elite F.C”, pjesë e kampionatit Lega Calcio a8 Milano, aktualisht kryeson kampionatin Serie A Est me 19 pikë e ndjekur nga Spartak De’Pecchi me 18 pikë dhe Vintange Soccer Milano me 16 pikë.
Duke vijuar të flasë për skuadrën e tij, presidenti Benard Gjekaj, shprehet i kënaqur jo vetëm për rezultatet pozitive dhe kryesimin në grupin ku konkuron, por edhe për atë që kjo skuadër ka krijuar një atmosfere shumë pozitive në gjirin e komunitetit shqiptare që jeton në Milano, të cilët në kohën e lirë gjejnë mundësinë të ndjekin dhe argëtohen, duke e ndjekur dhe mbështetur “Vllazninë L’Elite F.C”, në ndeshjet e saj zyrtare.
Sa i përket vazhdimësinë, presidenti Benard Gjekaj, thotë se ka gati projektin e zgjerimit të këtij klubi në përmasa më të mëdha, jo vetëm në organizim, por edhe në licencimin e konkurimit në liga më të larta të futbollit italian.
Ndër të tjera, duke pasur në mes një Vllazni kuqeblu, një në Shkodër dhe një në Milano, Gjekaj shpreh dëshirën e një bashkëpunimi me KF Vllaznia dhe personalisht me presidentin Alban Xhaferi, me të cilin, është në pritje të një takimi zyrtar dhe miqësor për të diskutuar shtrirjen e bashkëpunimit dypalësh. Përpos, KF Vllaznia, një takim dhe bashkëpunim do ta dëshironte edhe me strukturat e Bashkisë Shkodër, me zyrën e sportit, pse jo edhe me vetë kryebashkiakun Benet Beci. Takime këto, pritet të kenë në parim, idenë që “Vllaznia L’Elite F.C” në Milano, të ketë dyert e hapura për ato futbollistë shkodranë që preferojnë të zgjedhin Italinë për të jetuar dhe ushtruar aktivitetin e tyre sportiv.
Gaspër MARKU