Kombëtarja e Italisë U-19 është shpallur kampione e Europës. Ka ndodhur kjo mbrëmjen e sotme, në Maltë aty ku është luajtur ndeshja finale Portugali-Itali, e Kampionatit Evropian të kategorisë së 19 vjeçarëve.
Në 45 minutat e para të kësaj ndeshje më dominues janë shfaqur italianët të cilët arrijnë të gjejnë shumë shpejt golin e avantazhit. Gol, në të cilin përcaktues ishte edhe futbollisti me origjinë shqiptare Luis Hasa, i cili në minutën e 19-të, pas një manovre fantastike në krahun e majtë përcjell një kros të përpiktë në zonë, të cilin e shfrytëzon më së miri Kajode, që duke fituar duelin ajror me mbrojtjen portugeze e dërgon topin në rrjetën kundërshtare.
Mesfushori 19 vjeçar Hasa, që është pjesë e Juventusit, në total regjistroi 4 asiste dhe shënoi një gol, duke u shndërruar në një hero për kombëtaren U-19 të Italisë, ndërkohë që në finale e sotme u zgjodh edhe lojtari më i mirë i ndeshjes teksa u vlerësua me notën 8 nga “Flashscore”.
Duke vijuar me komentin e ndeshjes, pjesa e dytë ka parë një lojë më të hapur, me të dyja skuadrat që kërkonin golin që mund të ndryshonte shumëçka, pasi portugezët kërkon të barazonin shifrat, kurse italianët të siguronin fitoren. Dhe rastet nuk kanë munguar, por ajo që ka munguar ka qenë finalizimi, kjo edhe për meritë të gardianëve përkatës të portës. Megjithatë, në mbyllje të 90-të minutave të kohës së rregullt dhe ato 5 shtesë, rezultati mbetet po ai i pjesës së parë, ku Italia mund Portugalinë 1-0 dhe kurorëzohet kampione e Europës për kategorinë e moshës U-19.