Një gjyqtare femër në drejtimin e ndeshjes Finlandë – Shqipëri për moshën deri në 21 vjeç. Bëhet fjalë për italianen Maria Sole Ferrieri Kaputi, e cila për herë të parë në karrierën e saj merr përsipër të arbitrojë një ndeshje ndërkombëtare djemsh.
Një takim, që do të luhet të premten në ora 17:00 në “Veritas Stadium” të qytetit Turku, ndërsa kjo është sfida e tretë mes dy skuadrave. Më parë kanë luajtur së bashku në kualifikueset e Kampionatit Europian U-21 2002, atje ku Finlanda fitoi 3-0 e më të njëjtin rezultat fitoi Shqipëria në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, kjo në shtator 2001.
Për t’u evidentuar, Shqipëria e Alban Bushit është në krye të grupit E me 6 pikë pasi ka fituar 2-1 ndaj Armenisë dhe 3-2 ndaj Rumanisë, kurse Finlanda ka zero pikë.
Maria Sole Ferrieri Kaputi është 32 vjeçe dhe ka qenë pjesë e Kampionatit Botëror në Australi e Zelandë të re, atje ku ishe dy herë kryesore në ndeshjet Japoni – Kosta Rika 2-0 dhe Marok – Kolumbi 1-0, si dhe gjyqtare e katërt në ndeshjen e raundit çerekfinal Spanjë – Holandë 2-1. Për herë të fundit ka arbitruar në Serinë A, Frozinone – Verona 2-1 më 8 tetor. Përgjatë vitit 2022 ishte në finalet e Kampionatit Botëror të moshës deri në 17 vjeç për vajza ku arbitroi dy herë si kryesore dhe dy herë ishte gjyqtare e katërt.
Në ndeshjen Finlandë – Shqipëri për moshën deri në 21 vjeç do të ketë për ndihmëse Françeska Di Monte dhe Alesio Berti, kurse gjyqtarë i katërt Antonio Rapuano. Kuqezinjtë e vegjël shpresojnë të marrin maksimumin nga kjo sfidë për të pritur më pas më 17 tetor në “Egnatia Arena”, Malin e Zi.