Java e pestë e Superiores në analizën e Shkëlqim Muçës: Erzeni jo më surprizë, Tirana e forte, Partizani të rregullojë sulmin, Vllaznia fitoi por nuk luajti mirë!

Shkëlqim Muça, i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, ka analizuar javën e pestë të “Abissnet Superiore”.

Fitorja e “gjakosur” e Partizanit – “Mezi presim ndeshje ku ka shumë tifozë, por edhe kur ka, ata nuk sillen denjësisht. Janë veprime të papranueshme. Duhet të punohet më shumë në këtë drejtim. Për ndeshjen, u luftua në të gjithë sektorët e fushës. Partizani më pëlqeu në aspektin e karakterit, në aspektin e grintës. Në aspektin sulmues ka për të rregulluar, ndërsa si skuadër është e vështirë ta gjesh në vështirësi. Deri në momentin e golit, të kuqtë nuk kishin shkuar rrjedhshëm në sulm, më pas Kukësi u hap. Po rregulluan dhe veprimet sulmuese, Partizani më pas bëhet skuadër e frikshme. Kukësi ka problem shumë të mëdha, nuk është akoma skuadër. Po shikoj që vendosja e lojtarëve nuk është natyrale, për atë që ata kanë si karakteristika”.

Suksesi i Erzenit – “Skuadrat e cilësuara si të vogla, shikoj që janë shumë të organizuara. Aty duket qartë se ka dorë trajneri, aty është punuar. Përveç punës, është dhe harmonia, trajneri por dhe ata që i qëndrojnë afër skuadrës. Erzeni nuk është më surprizë. Laçi ka shumë problem, sidomos në mesfushë, nuk është më agresive. Kjo ka qenë karakteristika e tyre. Ka lojtarë të lehtë, humbasin dyluftimet. Duhet vënë dorë, duhet ndryshuar”.

Barazimi i Bylisit me Egnatian – “Përballje direkte, mes dy skuadrave që sigurisht në ndeshje të tilla duan të rrëmbejnë pikë, pasi e dinë rëndësinë. Më e favorizuar është Egnatia në këtë rast. Nuk e kuptoj ecurinë e Bylisit në shtëpi, prisja më shumë. Më mirë luan jashtë se sa në shtëpi”.

Tirana, e fortë – “Teuta pas pësimit të golit u shpërfytyrua, Tirana e kapte në befasi. Durrsakët kanë problem, sidomos në qendër të mbrojtjes. Tiranën e shikoj një skuadër shumë e fortë, pavarësisht se nuk ka marrë atë ritmin e duhur. Edhe lojtarët që kanë ardhur e kanë fuqizuar shumë, kanë eksperiencë, pak nga pak po ingranohen”.

Fitorja e Vllaznisë – “Goli i shpejtë i Vllaznisë që të administrojë lojën dhe jo të luante futboll. Kastrioti bëri më shumë, por është i varfër në sulm. Vllaznia mendoj se bëri një ndeshje jo të mirë. Bëri shumë për të administruar rezultatin, por jo për të mbyllur ndeshjen”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu