Më së fundmi, pritjes i vjen fundi. Kampionati Kombëtar i futbollit për Kategorinë e Tretë të futbollit shqiptar, sezoni 2024-2025 do të nis javën e ardhshme, ku ndeshjet e xhiros së parë do të luhen me datë 17 nëntor. Ky është vendimi i marrë nga sektori i garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili ka organizuar edhe hedhjen e shortit duke përcaktuar edhe kalendarin e ndeshjeve për ekipet pjesëmarrëse që janë 16-të të tilla, të ndara në dy grupe, A dhe B.
Vemendja e opinioni sportiv shkodran dhe atij verior në përgjithësi është përqëndruar në grupin A ku konkurojnë ekipet veriore, por jo vetëm, sepse pjesë e garës në këtë grup, krahas dy ekipeve të Shkodrës, KF Shiroka dhe Olimpic Shkodra FC, si dhe Bulqiza, Klosi, janë edhe “Partizani B”, Eagle Football, Himara dhe SC UET.
Partizani B-KF Shiroka, është dueli më i rëndësishëm i javës së parë, i cili do të luhet pasditen e 17 nëntorit në stadiumin “Arena e Demave” të kryeqytetit. Një test ky shumë serioz për të dy ekipet, të cilat do të kenë rastin të shpalosin në fushën e lojës nivelin e tyre, si dhe të japin mesazhin e duhur ndaj skuadrave të tjera si pretendentë kryesorë për kualifikimin në kategorinë e dytë. Në kampin shirokas, trajneri Fatmir Axhani së abshku me dy kolegët e tij, Valmir Kurti dhe Bujar Celufaj janë duke i dhënë dorën e fundit përgatijeve për një start sa më pozitiv.
Ndërkohë, në të njëjtën ditë të 17 nëntorit 2024, do të luajë edhe skuadra tjetër shkodrane, Olimpik Shkodra FC. Futbollistët e këtij ekipi që drejtohen nga trajneri francez Raine Anton Amokrane, ndeshjen e parë do ta luajnë në Shkodër duke pritur ekipin e Klosit.
Me interes pritet edhe ballafaqimi mes dy skuadrave shkodrane, KF Shiroka-Olimpic Shkodra, të cilat në bazë të shortit, përballja e tyre do të ndodhë në javën e pestë të fazës së parë, ndeshje e cila do të zhvillohet në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës.