Saturday, November 23, 2024

Kampionatin Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Lexo

Kombëtarja shqiptare e femrave ka nisur që prej ditës së shtunë grumbullimin për dy ndeshjet zyrtare kualifikuese ndaj Kosovës dhe Belgjikës, të vlefshme për Kampionatin Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”. Trajneri Armir Grima, në një prononcim për fshf.org ka folur në lidhje me këto dy sfida, ku ka theksuar se skuadra do të japë maksimumin në këtë fushatë të re eliminatoresh, teksa u ndal te ndeshja e parë që do të luajnë ndaj Kosovës, duke thënë se detyra kryesore e ekipit është të marrë tre pikëshin.

Pavarësisht grupit të vështirë, ku Shqipëria është shortuar në grupin F, së bashku me Norvegjinë, Poloninë, Belgjikën, Kosovën dhe Armeninë, Grima u shpreh optimist dhe besimplotë se ekipi i krijuar prej tij mund t’ia dalë. Në fund, ai bëri një thirrje për të gjithë tifozët, duke i ftuar të mbështesin vajzat kuqezi në sfidën e ditës së enjte (16 shtator) ndaj Kosovës, që do të luhet në “Elbasan Arena” duke nisur nga ora 19:00. Më 21 shtator, Kombëtarja e femrave do të luajë ndaj Belgjikës në transfertë.

Objektivi i skuadrës në këto eliminatore – Normalisht, duke parë grupin e vajzave, duke parë edhe ekipet me të cilat do të ndeshemi, besoj që është grup i fortë. Na presin ndeshje të forta, por gjithmonë besimi te këto vajza është maksimal. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të vazhdojmë me atë rritje që ka pasur Kombëtarja e femrave këto vitet e fundit.

Kosova? – Realisht, nuk do kisha pasur dëshirë ta kishim Kosovën në grup. Do të ishte më mirë të ishte një grup tjetër, megjithatë, futbolli është i tillë dhe ajo që ne presim nga kjo ndeshje dhe ajo që ne kemi objektiv është normalisht fitorja, me të gjithë respektin maksimal dhe duke njohur maksimalisht mirë ekipin e Kosovës. Duke ditur që është një ekip me elementë pozitivë dhe ato kanë pasur një rritje këto vitet e fundit, por detyra dhe pikësynimi ynë kryesor është që të fitojmë ndeshjen. Pastaj, me radhë ndeshjet e tjera.

Gjendja e ekipit pas pushimeve – Mendoj që na kanë shërbyer mirë rezultatet pozitive të Vllaznisë, optimizmi i atyre rezultateve dhe paraqitja mjaft e mirë që bëri Vllaznia besoj që është edhe një ogur i mirë edhe për Kombëtaren tonë dhe do të jetë një motiv më shumë për vajzat për të vazhduar me këto rezultate dhe t’i fillojmë mbarë eliminatoret me fitore.

Mundësitë për t’u kualifikuar? – Jam shumë optimist, duke pasur besimin e plotë te vajzat, te grupi. Kemi vajza që po rriten dita-ditës dhe normalisht, kur rriten nga ana sportive, do të presim edhe rritjen e rezultateve në fushën e lojës. Shpresoj shumë që të jemi një surprizë e bukur te ky grup.

Tifozët në stadium – Realisht, ne Elbasanin e kemi fatsjellës në ndeshjet tona eliminatore. Besoj që, tifozët nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë. Ne iu garantojmë që do të shohin një ekip të bukur, një futboll të bukur dhe besoj se ardhja e tyre në stadium do të jetë një motiv më shumë për ne për të arritur rezultatet pozitive.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img