Shtatë gola, protesta nga tifozët dhe dy lojtarë që lënë fushën në mënyrë demonstrative, në një kohë që nuk u ndëshkuan me kartonë të kuq nga arbitri kryesor. Ndeshja e së shtunës në stadiumin e Koplikut mes Veleçikut vendës dhe Ilirisë së Fushë-Krujës i ka pasur të gjitha brenda, teksa në fund me një gol në minutën e 100-të, miqtë kanë dalë me tri pikë, duke triumfuar 3-4.
Ky takim pati disa episode të papara ndonjëherë, por që në fillim habiti fakti se koplikasit preferuan që disa nga titullarët t’i ulin në stol, teksa e nisën me shumë djem të rinj. Gjithsesi, që në start shënoi Veleçiku me autor Shekajn, në minutën e 2-të.
Pjesa e parë flet për koplikasit, që edhe pse me shumë futbollistë të rinj në përbërje, arrijnë të dominojnë ndaj Ilirisë, që ka investuar shumë këtë sezon dhe pretendon ngjitjen. Gjithsesi, miqtë shpërdorojnë një penallti në fundin e pjesës së parë me Allamanin, që godet shtyllën dhe ky fraksion mbyllet 1-0.
Mirëpo, i njëjti lojtar i Ilirisë barazoi shifrat në fillimin e pjesës së dytë. Vetëm tre minuta më pas, Henri Okebugu kaloi në avantazh fushëkrujasit. Veleçiku reagon mirë në vijim, duke përmbysur gjithçka me golat e Ysolliut dhe Bzhetës për dy minuta.
Limanaj barazon në minutën e 78-të dhe në fund ndodh çudia. Veleçiku luan në minutat shtesë me vetëm 9 lojtarë, pasi titullarët Alfred Kaçaj dhe Elidon Rustemaj, largohen nga fusha në mënyrë të pabesueshme. Ata, as nuk zëvendësohen dhe as nuk ndëshkohen me karton të kuq nga arbitri Spahiu. Një episod i paparë ndonjëherë, në një kohë që Iliria arrin të shënojë golin e fitores me Tushajn.
Në fund, pas vërshëllimës së arbitrit, tifozët mjaft të irrituar kanë debatuar me drejtuesit e klubit koplikas. Ata kanë qenë shumë të irrituar me mënyrën se si u sollën pjesëtarët e stafit me përzgjedhjen e formacionit dhe vetë lojtarët në fushë në këtë ndeshje. Kjo la hije dyshimi dhe tifozët e shprehën hapur duke debatuar me drejtuesit.
Bashkim RAMEKAJ