Në konferencën e shtypit dhënë paraditën e sotme në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi” për pragndeshjen e turit të parë të Conference League, Shiroki Brijeg-Vllaznia, përkrah trajnerit Thomas Brdariç ishte edhe kapiteni Erdenis Gurishta. Për shiritin e kuqebluve, kjo është ndeshja e parë zyrtare ndërkombëtare e një kompeticioni të tillë që ai luan si mbajtës i shiritit të kapitenit të Vllaznisë. Ndaj, ai me të drejtë e konsideron një pjesëmarrje të tillë si një ëndërr të të gjithë sezonit të kaluar që tashmë u bë realitet.
“Ndeshjet e Europës janë ndryshe, kënaqësi që marrim pjesë në Europë pas dhjetë vitesh. Kemi ëndërruar gjithë sezonin dhe e kemi merituar. Besoj se do bëjmë një paraqitje dinjitoze, por duhet të presim ditën e enjte. Nuk duhet të flasim në konferenca, duhet të flasim në fushë.”, thotë fillimisht Gurishta, ndërkohë që më pas flet edhe për kundërshtarin. “Kemi parë shumë video të tyre. Normalisht që nuk i njohim shumë, por kanë cilësi, kanë disa lojtarë me shumë kualitete. Gjithsesi, edhe ata kanë dobësitë e tyre dhe besoj se do i godasim në pikat e dobëta të tyre. Do jetë një kundërshtar besoj i denjë i raundit të parë, do shohim edhe ne veten ku jemi. Besoj se mundësitë janë shumë të mira që ta kalojmë turin.”
Sa i përket ndryshimeve te Vllaznia, Gurishta thotë se janë larguar disa lojtarë të rëndësishëm, por skuadra po riformatohet përsëri. “Fituam Kupën, dolëm në vend të dytë me pikë të barabarta me vendin e parë, kështu që ata lojtarë kanë pasur shumë merita. Besoj se po afrohen shumë lojtarë të mirë. Duhet pak kohë të ambientohen dhe të përshtaten me ekipin. Besoj se kjo Vllazni do të jetë shumë e fortë, ndoshta më e fortë se sezonin e kaluar.”, thotë Gurishta.
Me shpreën e një rezultati pozitiv të ndeshjes së parë, ndeshja e dytë pas një jave në Shkodër pritet të kthehet në festë. “Kjo është dëshira pozitive, të gjithë mezi po presim të hapen stadiumet. Të paktën me aq sa lejohet, 30% e stadiumit, dhe të kemi tifozerinë e zjarrtë që na nevojitet për të kaluar turin”, shton Gurishta, që më pas flet edhe për gatishmërinë e mbrojtësit Fangaj, i cili ka lënë pas dëmtimin, gjë që taqshmë e shton edhe më shumë rivalitetin për krahun e djathtë të prapavijës. “Çdo lojtar me cilësi dhe kualitet është një vlerë e shtuar për ekipin. Dihen vlerat e Fangajt, ai ka pasur një dëmtim që i shkoi shumë gjatë. Na vjen keq, pasi ishte në formë në atë moment. Dëmtimi e la pas, i duhet pak kohë të ambientohet me ekipin. Ai është i mirëseardhur në ekip, çdo lojtar ka vendin e vet”,- përfundoi konferencën për shtyp kapiteni i kuqebluve, Erdenis Gurishta.