Kastrioti-Bylis 1:0 dhe Skënderbeu-Kukësi 0:4. Këto ishin rezultatet e dy takimeve të para të javës së 17-të të Kategorisë Superiore. Përballje këto, që të dyja të zhvilluara sot në orën 13:45, të cilat do të pasohen nesër edhe tre të tjera, Apolonia-Tirana, Laçi-Teuta që luhen në orën 13:45, si dhe më pas në orën 16.45 çifti i fundit, i konsideruar si kryesfida e kësaj jave, Partizani-Vllaznia.
Krutanët e drejtuar nga trajnëri Ndreu i gëzohen fitores minimale por shumë të rëndësishme, falë atij goli të shënuar nga Daci në minutën e 51-të. Ndeshja e luajtur në stadiumin e Kamzës pati jo pak rivalitet, sepse miqtë nga Ballshi kanë luftuar fort për të gjetur të paktën një gol barazimi, të cilit realisht edhe iu ofruan jo pak herë, sidomos me shkodranin Qardaku, por në mbyllje të 90-të minutëshit, Kastrioti fiton 1-0. Me këtë tre pikësh, Kastrioti shkon në kuotën e 21 pikëve duke u renditur në vendin e 6-të, ndërsa Bylis në vend të 9 me 12 pikë.
Një Kukës i pamëshirshëm është shfaqur sot në stadiumin Skenderbeu, ku që në debutimin e parë në stolin e skuadrës verilindore, trajneri Mirel Josa nuk kursehet të shpartallojë ish skuadrën me të cilin bëri histori vetëm pak vite më parë. Ibraimi në të 5-tën minutë, dy herë Limaj, përkatësisht në minutat 7′ dhe 62′, dhe Leira në të 32-tën, janë autorët e katër golave kukësianë në portën e Skenderbeut. Një start fantastik për Josën në krye të Kukësit duke dhënë sinjalet e një rikthimi të mundshëm për këtë skuadër në elitë, ndërkohë që Ahmataj bëhet me dhimbje kokë, kur pas kësaj humbje skuadra e tij zhytet edhe më shumë në problematiken e mbijetesës në Superiore.
Java e 17-të e Superiores vijon nesër, të dielen, edhe me tre takimet e tjera me kalendarin e mëposhtëm:
E diel, më 31 janar 2021
Ora 13:45 | Apolonia-Tirana
Ora 13:45 | Laçi-Teuta
Ora 16:45 | Partizani -Vllaznia