Thursday, April 25, 2024

Futboll Femra- Vllaznia sfidon Tiranën AS 1-5 dhe kryeson e vetme kampionatin me 30 pikë

Lexo

Vllaznia e Shkodrës vazhdon rrugëtimin e fitoreve. Edhe në javën e 10-të ajo e ka bërë një gjë të tillë duke mundur Tiranën AS në transfertë me rezultatin 1 me 5. Një 90-të minutësh ku spikati shqiptarja e Kosovës, Zylfije Bajramaj, autore e tre golave në këtë ndeshje, përkatësisht në minutën e 6-të, 30-të dhe të 81-të, ndërkohë që dy golat e tjerë për skuadrën kuqeblu i shënuan Megi Doçi në minutën e 40-të dhe Ersi Lufo në minutën e 68-të. Ndërkohë, golin e vetëm për skuadën vendase Tirana AS e shënoi Troka në minutën e dhjetë duke fiksuar barazimin e përkohshëm për skuadrën kryeqytetase, sepse e gjithë ndeshja përfundoi me avantazhin e Vllaznisë që drejtohet nga trajnerët Nikolin Leka dhe Arben Parmeza me rezultatin 1 me 5. Tre pikëshi i marrë në kryeqytet bën që Vllaznia të kryesojë renditjen me një bilanc shumë pozitiv, 10 ndeshje-10 fitore-30 pikë.

Një sfidë shumë interesante ka qënë ajo e luajtur sot në fushën sportive “Murlani-Barbullush”, në mes ekipit vendas Juban Danja-Murlani dhe Kinostudios nga Tirana. Juban Danja-Murlani me trajner Elis Legata arriti të fitojë me rezultat të pastër, 3-0 duke konfirmuar se me investimet më të fundit në këtë skuadër, e ardhmja pritet të jetë shumë më positive. Shkodranet hapin serinë e golave me Matilda Tanushi, e cila gjeti golin që në minutën e 20. Në pjesën e dytë, Vasa shënon dopietë, në minutën e 77-të dhe 84-tët, duke regjistruar rezultatin 3-0. Me këtë fitore, Juban Danja-Murlani pozicionet në vendin e katërt me 21 pikë, ndërkohë që Kinostudio me 15 pikë renditet e gjashta në klasifikim.

Skuadra tjetër shkodrane e futbollit të femrave, AAS është mundur në fushën e saj nga Teuta e Durrësit me rezultatin 1-3. Durrsaket iu gëzuan golit të Habilit në minutën e 20-të, e cila kaloi në avantazh skuadrën e Teutës. Vajzat e AAS tentuan të gjejnë rrjetën, por pjesa e parë u mbyll në favor të Teutës. Në pjesën e dytë ishin sërish vajzat e bregdetare që gjetën golin me Pucën në minutën e 50-të dhe më pas Kallabaci trefishoi rezultatin. Golin e nderit për shkodranet e shënoi Papaj në të 75. Pavarësisht tentativave dhe lojës sulmuese, rezultati nuk ndryshoi dhe u mbyll në favor të Teutës, 1-3. Durrsaket e shohin tashmë veten në vendin e tetë, me pikë të barabarta me AAS, që me këtë humbje zbresin në vendin e nëntë.

Derbi myzeqar është mbyllur në favor të Apolonisë, me rezultatin 0-6. Një ndeshje e fortë nga të dyja ekipet, me golin e parë që erdhi në fundin e pjesës së parë, në të 45-tën me Gashin. Në pjesën e dytë, L.Gashi shënon dopietë, në minutat 50 dhe 75. Klea Hamonikaj mendon për skuadrën, duke shënuar edhe tre gola të tjerë në minutat 78, 79 dhe 85. Apolonia shënon fitoren e radhës, duke mos vënë në diskutim vendin e dytë në klasifikim ndërsa lushnjaret vazhdojnë me ecurinë negative, me 3 pikë pas dhjetë javëve kampionat.
Partizani ka shpërthyer në gola në Bilisht. Një ndeshje e lehtë për të kuqet e kryeqytetit, të cilat fituan në transfertë 0-13 duke regjistruar kështu fitoren e radhës dhe renditen në vendin e shtatë, me 15 pikë ndërsa Bilishti e sheh veten në vendin e fundit me 0 pikë.

Ndeshja e fundit e kësaj jave ishte ajo mes Tiranës dhe Skënderbeun, që fiksoi rezultatin 9-0. Dopieta e Kamberit në minutat 4 dhe 16 hapi serinë e golave për Tiranën. Në minutën e 19, Aliaj trefishon rezultatin ndërsa në të 31 Kodra regjistron golin e katërt për Tiranën. Në të 43, nga pika e bardhë e penalltisë, Metalla shënon për skuadrën e saj, duke mbyllur kështu pjesën e parë me rezultatin 5-0. Në pjesën e dytë, tiranaset gjejnë edhe katër gola të tjerë me Goron (53), Gjonin (60), Metallën (65) dhe Xhindolen (73). Mbyllet me rezultatin 9-0 kjo ndeshje, e cila mban Tiranën në vendin e tretë, dy pikë larg Apolonisë dhe pesë pikë larg kampioneve të Vllaznisë.

Pas javës së dhjetë, renditja e skuadrave është si më poshtë:

Vllaznia 30 pikë
Apolonia 27 pikë
Tirana 25 pikë
Juban Danja 21 pikë
Tirana AS 19 pikë
Kinostudio 15 pikë
Partizani 15 pikë
KF Teuta 9 pikë
AAS 9 pikë
Skenderbeu 6 pikë
Lushnja 3 pikë
Bilisht Sport 0 pikë

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img