Kategoria e Parë do të zhvillojë ditën e dielë javën e parafundit nga mbyllja e sezonit të rregullt. RTSH vjen me dy përballje më interesante si Besa-Vora dhe Kastrioti-Apolonia, me të gjitha takimet që do të luhen në orën 15:00.
Java e 32-të dhe e parafundit nga mbyllja e sezonit të rregullt në Kategorinë e Parë rezervon përballje interesante. Ditën e dielë, të gjitha takimet do të luhen në orën 15:00 dhe gjithë çështja është ajo e vendit të dytë, që mbahet nga Flamurtari. Ekipi vlonjat ka një përballje të lehtë në letër ndaj Erzenit, ndërkohë Besa do të duhet të ketë marshin në maksimum sepse përballë ka Vorën, ekipi që mbylli çështjen e promocionit, por kualitetet e ekipit vorak nuk duhet të vihen në dyshim. Kjo përballje do të transmetohet në RTSH Sport.
Ndërkohë në RTSH 2, vjen për teleshikuesit takimi Kastrioti-Apolonia. Në këtë pikë të kampionatit askush nuk dëshiron të gabojë, ekipi krutan në rast fitoreje do t’i largohej zonës së Play-Out, ndikuar nga një rezultat negativ i Korabit që përplaset me Lushnjen e vendit të gjashtë, ndërkohë ekipi fierak ndodhet në vendin e shtatë me 43 pikë. Në takimet e tjera, Pogradeci luan ndaj Kukësit dhe Burreli ndaj Valbonës.
Kalendari i ndeshjeve të javës së 32-të të Kategorisë së Parë
Flamurtari – Erzeni, 13.04.2025 15:00
Besa – Vora, 13.04.2025 15:00
Burreli – Valbona, 13.04.2025 15:00
Pogradeci – Kukësi, 13.04.2025 15:00
Kastrioti – Apolonia, 13.04.2025 15:00
Lushnja – Korabi, 13.04.2025 15:00