Do të zhvillohen sot tre nga gjashtë ndeshjet e javës së katërt të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Në fushën e lojës do të përballen çiftet: Pogradeci-Skënderbeu, Burreli-Besa dhe Laçi-Korabi.
Vemendja kryesore pritet të jetë në Pogradec, në një derbi shumë interesant të qarkut Korçë, mes dy skuadrave që kërkojnë Superioren. Me vendasit që e synojnë një gjë të tillë, ndërkohë që Skënderbeu kërkon rikthimin aty ku ka luajtur me sukses prej shumë vitesh.
Kjo javë ka vënë përballë edhe Burrelin me ekipin e Besës, ndeshje e cila do të luhet në stadiumin “Liri Ballabani” në orën 16:00. Për teknikun Samuel Nikaj edhe kjo ndeshje do të jetë si të tjerat, pasi çdo kundërshtar vlerësohet njësoj.
Fakti se skuadra e Burrelit ka arritur të ketë rezultate pozitive si brenda dhe jashtë fushe, për teknikun Nikaj, tregon se ka ardhur duke u konsoliduar akoma më shumë. Megjithatë ai shton se objektivi mbetet i qartë, rezultat pozitiv në çdo takim.
Skuadra ka zhvilluar seanca të rregullta stërvitore që pas ndeshjes së javës së kaluar, ndërsa i gjithë grupi është gati për të zbritur në fushën e gjelbër.
Ndërkohë Burreli mban vendin e katërt në tre ndeshje të luajtura me një fitore, një barazim dhe një humbje, ndërsa Besa ka dy barazime dhe një humbje dhe ndodhet në vendin e dhjetë me dy pikë.
Me shumë interes pritet edhe Laçi-Korabi, një derbi verior, ku kurbinasit pritës duken favorit përballë dibranëve mysafirë.
Ndeshjet që do të luhen të premten janë: Pogradeci-Skënderbeu, Burreli-Besa dhe Laçi-Korabi.
Fastos LAMAJ