Vllaznia-Tirana, është kryendeshja e javës së tetë të Kategorisë Superiore të futbollit shqiptar. Klasikja e futbollit shqiptar do të luhet këtë të premte në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës duke nisur nga ora 17:00.
Një sidë që ashtu si edhe herët e tjera, pritet të dhurojë emocione, pasi përballen dy skuadrat më të vjetra të futbollit shqiptar.
Ndonëse, pozitat aktuale në tabelën e klasifikimit janë të kundërta, me Vllazninë kryesuese në kuotën e 16 pikëve dhe Tiranën me dhjetë pikë më pak duke u renditur në vendin e parafundit, klasikja mbetet klasike. Që do të thotë se e premtja afron një lojë të hapur nga të dyja skuadrat, të cilat kanë objektiv vetem fitoren.
Kuqeblutë për të konfirmuar formën shumë të mirë sportive që disponojnë dhe mbajtjen e kreut, ndërkohë që bardheblutë për t’iu larguar zonës së ftohtë të tabelës së klasifikimit. Bazuar në bilancin e tre sezoneve të fundit, Vllaznia ka një dominim total ndaj Tiranes, ku në 12-ndeshje ka arritur 6-fitore 4-barazime dhe 2-humbje. Ndërkohë, që kapiteni i kuqebluve Bekim Balaj që është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës, në 8-ndeshjet e fundit ndaj Tiranes ka arritur të shënoj plot 9-gola.
Vllaznia ka lënë pas entuziasmin e fitores të së shtunës së kaluar ndaj Bylisit në transfertë, dhe pas pushimit të së dielës, prej së hënës ka nisur përgatitjet anti-Tirana.
Pozitive për teknikun Edi Martini është kontigjenti më i plotë i skuadrës për këtë pragndeshje, pasi ndaj Tiranës rikthehet mbrojtësi Elmando Gjini, i cili mungoi në sfidën e kaluar ndaj ballshiotëve për arsye kartonash duke i dhënë më siguri repartit të prapavijë. Po kështu, lajme të mira ka edhe nga infermieria ku Qato, Murataj, Bismark, Dros, pritet të jenë të gatshëm për t’iu bashkuar skuadrës.
Sa i takon javës së tetë të Superiores, sektori i garave pranë FSHF-së i ka programuar të luhen në dy ditë, të premten dhe të shtunën. Përpara klasikes Vllaznia – Tirana , e programuar për orën 17:00 të së premtes, po në këtë ditë, por në orën 14:00, ballafaqohen Vora – Dinamo dhe Elbasani – Bylis në orën 17:00. Dy sfidat e tjera, Partizani-Egnatia dhe Teuta-Flamurtari, do të luhen të shtunën, duke filluar nga ora 17:00.



