Saturday, November 23, 2024

Kled Dibra, shkodrani besnik i një dekade me lezhjanët e Besëlidhjes

Lexo

Shkodra dhe Lezha, si dy qytete fqinje me njëra tjetrën kanë një traditë bashkëpunimi të kahershme në fushën e sportit dhe konkretisht atë të futbollit. Natyrisht, që për vete nivelin dhe potencialin që disponon Vllaznia, futbollistët shkodranë kanë qënë më të kërkuar nga Besëlidhja për të veshur fanelen e këtij ekipi. Por, në të njëjtën kohë, jo të pakët kanë qënë edhe futbollistë cilësorë lezhjanë, të cilët Vllaznia i ka preferuar t’i ketë në gjirin e saj. Shembujt janë të shumtë nga të dy palët, si futbollistë, por dhe në rang trajnerësh, por, për të mos shkuar larg, le të ndalemi tek brezi i tanishëm ku konkretisht për sezonin futbollistik 2020-2021 pjesë e Beslidhjes së Lezhës janë tetë futbollistë shkodranë, duke filluar nga Kled Dibra, dhe për të vijuar me emra të tillë të njohur, si Erind Selimaj, Arenc Dibra, Arsen Hajdari, Stiv Shaba, Samet Hepaj, Elvis Rrustemaj, Samet Ruqi, Enio Marku.

Veriu Sport, u ndal në këtë shkrim, pikërisht tek Kled Dibra, shtatlarti i repartit të prapavijës, futbollisti më jetëgjatë i periudhës së fundit në radhët e Besëlidhjes, për të cilin ky sezon futbollistik është i 10-ti radhazi që mbron ngjyrat e klubit të futbollit lezhjan. Një futbollist ky i dalë nga ekipet zinxhir të Vllaznisë, ku falë aftësive të tij në repartin e prapavijes nuk i kanë munguar ofertat për të luajtur me ekipe të tjera të futbollit shqiptar, madje edhe jashtë vendit, por që Kledi ka preferuar t’i qëndrojë besnik Besëlidhjes. Një besnikëri të tillë, Kledi e pohon për Veriu Sport se vjen nga ngrohtësia dhe korrektesa që ka gjetur në qytetin e Lezhës. “Komuniteti i këtij qyteti dhe kryesisht tifozëria na japin ngrohtësinë dhe respektin e duhur duke qënë një mbështetje më shumë për ne që të japim më të mirën në fushën e lojës”, thotë Dibra, që më pas ndalet edhe tek drejtuesit, të cilët janë shumë korrekt me futbollistët në zbatimin e kontratës. “T’ju them të drejten, ajo që më ka nxitur më shumë të jem kaq gjatë pjesë e Beslidhjes ka të bëjë me korrektesen e drejtuesve dhe konkretisht të presidentit Gjok Ndoka. E kam fjalën për anën financiare, e cila për shumë futbollistë të klubeve të tjera ka qënë jo pak problem, ndërsa për mua personalisht, por edhe kolegë të tjerë futbollistë të Besëlidhjes ka qënë OK. Mund të them se marrëveshjet mes dy palëve, presidenti Ndoka i zbaton në mënyrën më korrekte duke e likujduar sportistin në kohën dhe diten e duhur, sipas asaj që parashikon kontrata”, shprehet Dibra duke e konsideruar këtë një element shumë pozitiv në marrëdhëniet mes palëve.

Vëllezërit Dibra

Besnik tek Besëlidhja nuk është vetem Kledi, pasi së bashku me të në gjirin e lezhjanëve aktivizohet edhe vëllai i tij, Arenc Dibra, një futbollist ky që më herët ka qënë pjesë edhe e Vllaznisë së Superiores, ndërkohë që në vijim iu përgjigj pozitivisht ofertes së presidentit Ndoka. Arenci, edhe ky shtatlartë si i vëllai i tij, në ndryshim nga Kledi që luan në mbrojtje, ai është pjesë e repartit të sulmit. Falë një dëmtimi që kaloi gjatë periudhës së fundit, Arenci i mungoi jo pak skuadrës, por fatmirësisht ka ardhur në kohë rikuperimi i tij duke iu bashkuar skuadrës në këtë sezon futbollistik duke qënë ndër pikat kryesore të sulmit lezhjan.

Kampionati

Kampionati Kombëtar i Kategorisë së parë, ndeshjet e të cilit startuan në mesjavë regjistruan fitoren e parë të Beslidhjes, e cila falë dy golave të Geges dhe një të Hoxhës mundi me rezultatin 3 me 1 Voren. Një fitore kjo e merituar për lezhjanët, po që sipas, Dibres goli i pësuar në limit të takimit nga miqtë me autor Beshiraj nuk duhej të ndodhte, pasi erdhi nga një neglizhim total i skuadrës. Për javën e dytë, Besëlidhja do të jetë mysafire në Tiranë për t’u ndeshur me Partizanin B, takim i cili do të luhet në orën 14.00 të së shtunës në kompleksin sportiv Peze. Kapiteni Dibra bën të ditur se Besëlidhja udhëton për fitore edhe në këtë ndeshje, ashtu siç do të bëjë edhe në takimet e tjera në vazhdim.

Objektivat

Si një skuadër e tradites duke qënë në shumë kampionate të mëparshme pjesë e Superliges, Besëlidhja e viteve të fundit vazhdon të konkurojë në kategorinë e parë të futbollit shqiptar. Ka tentuar disa herë të kualifikoehet në Superligë por nuk ia ka arritur qëllimit. E fundit ishte përballja me Vllazninë në ndeshjen suplementare të sezonit të kaluar, sfida e cilës u luajt në stadiumin “Loro Boriçi” ku fitorja 3 me 1 e kuqebluve i mbajti ato në Superiore. Në vijim të prononcimit të tij për Veriu Sport, kapiteni lezhjan Kled Dibra thotë se objektivi i Beslidhjes vazhdon të jetë Superliga. Realisht për grupin verior ku luan skuadra lezhjane, kalimi i Dinamos në këtë grup e shtuar akoma më shumë konkurencen për këtë objektiv. Ndërkohë që së bashku me Dinamon vlerëson edhe ekipet e tjera rivale, Burreli, Korabi dhe Erzeni, Dibra është i mendimit se skuadra e tij Besëlidhja është më lart se të tjerat, duke qënë ajo pretendetja kryesore për objektivin Superiore.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img