Shqipëria U-17 ka zhvilluar këtë të hënë ndeshjen e parë miqësore të planifikuar për muajin shtator ndaj Maqedonisë së Veriut në stadiumin e Strugës e që ka përfunduar me rezultatin 3-3.
Një sfidë tepër e fortë dhe shumë emocionuese për kuqezinjtë e drejtuar nga Ervin Bulku që barazuan rezultatin në minutën e fundit të shtesës, pikërisht në të 95-tën me kapitenin Adi Kurti.
Ervin Bulku hodhi në fushë për këtë sfidë miqësore të parë këtë formacion: Amarildo Dervishi (GK), Albi Koleci, Adi Kurti (C), Alion Damini, Egert Selmani, Klaus Kashari, Jordi Jaku, Glenis Belloj, Dejvi Metaj, Ariel Krajka, Devi Duro; teksa gjatë takimit bëri edhe disa ndryshime, duke provuar disa lojtarë.
Nuk nisi mirë kjo miqësore për 11-shen e besuar nga Bulku, që pësuan gol që në minutën e dytë të kësaj përballje të vështirë. Nuk vonon shumë barazimi nga djemtë kuqezi, që kombinohen mirë me njëri-tjetrin, me Dejvi Metaj që kroson nga e majta dhe e dërgon topin brenda zonës kundërshtare, aty ku gjendet mjaft mirë Adi Kurti që godet topin me kokë e barazon rezultatin e lojës në minutën e 14-të.
9 minuta më vonë, arbitri i ndeshjes akordon një 11-metërsh për maqedonasit, pas një prekje me dorë në zonën tonë nga mbrojtësi Albi Koleci. Rivalët e shfrytëzojnë mjaft mirë këtë mundësi, duke marrë sërish avantazhin e ndeshjes. Pavarësisht tentative të kuqezinjve, pjesa e parë mbyllet me rezultatin 2-1, teksa me nisjen e fraksionit të dytë, Bulku bëri dy zëvendësime, duke hedhur në fushë Boden e Malaj, për Duron e Selmanin. Kundërshtarët shënojnë edhe golin e tretë në minutën e 74-t.
Pas këtij rezultati, sfida u bë më e rrezikshme nga të dyja krahët, por ekipi i Ervin Bulkut arrin të zhvillojë një lojë të mirë. Tekniku shqiptar freskoi skuadrën, duke hedhur në edhe lojtarët e tjerë të grumbulluar për këtë test.
Pak minuta para fundit, Shqipëria arrin të gjejë sërish rrugën e rrjetës me sulmuesin Flavio Sulejmani, teksa në minutën e fundit të shtesës, pikërisht në të 94-tën, kapiteni Adi Kurti realizoi edhe golin e barazimit për skuadrën dhe golin e dytë personal për këtë sfidë.
Dy ditë më vonë, më 14 shtator, Shqipëria do të zhvillojë edhe miqësoren e dytë ndaj Maqedonisë së Veriut në ‘Elbasan Arena’.