Kombëtarja shqiptare U-18 ka zhvilluar sot një miqësore, ku ka testuar 29 lojtarë të përzgjedhur nga trajneri i këtij ekipi Ardi Behari, të vitlindjes 2005. Lojtarët, të cilët aktivizohen me klube të kampionatit shqiptar u paraqitën sot në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz nën urdhrat e trajnerit Behari.
Duke parë listën e lojtarëve të publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, ajo që të bie në sy është mungesa e e futbollistëve nga Shkodra, ku në këtë listë të parë të testimit të vitlindjen 2005 nuk ka asnjë të tillë. Të pranishëm për të ndjekur miqësoren e sotme ishin edhe trajneri i Kombëtares U-19, Armando Cungu, trajneri i Kombëtares U-17, Ervin Bulku, trajneri i Kombëtares U-15, Armand Damo dhe përfaqësues të Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF.
Grupi u nda në dy formacione dhe zhvilluan një miqësore, ku stafi teknik i përfaqësueses U-18 pati mundësinë të testonte të gjithë lojtarët për të monitoruar gjendjen e tyre. Ndeshja u fitua nga formacioni i veshur me të zeza me rezultatin 2-0 me gola të shënuar nga Marku dhe Guci, teksa u aktivizuan të gjithë futbollistët e ftuar për këtë miqësore. Një pjesë e mirë e këtyre lojtarëve janë aktivizuar më parë me Kombëtaren U-17 dhe elementët që kanë spikatur gradualisht do të vëzhgohen për të kaluar në Kombëtaren U-18 dhe U-19.
Për trajnerin Ardi Behari një miqësore e tillë është mjaft e vlefshme pasi i shërben stafit teknik që të jetë i përditësuar me ecurinë e elementeve më të spikatura të kampionatit shqiptar. Sipas teknikut, miqësore të tilla apo edhe seanca stërvitore me elementët e perspektivës së kësaj moshe do të zhvillohen në mënyrë periodike, në mënyrë që çdo lojtar të ketë mundësi të tregojë vlerat kohë pas kohe.
“Zhvilluam një miqësore me lojtarë të vitlindjes 2005, një pjesë e mirë e të cilëve janë aktivizuar me Kombëtaren U-17 dhe gradualisht ata elementë që janë të talentuar mund të kalojnë në ekipet Kombëtare të moshave U-18 dhe U-19. Është e rëndësishme që ne të mbajmë në monitorim të vazhdueshëm të gjithë lojtarët e spikatur të kësaj grup-moshe dhe t’u japim atyre mundësi që të tregojnë vlerat. Kuptohet, kjo është një moshë delikate dhe forma e një futbollisti 16 apo 17-vjeçar mund të ndryshojë në mënyrë dinamike. Për këtë arsye do të kemi në mënyrë periodike miqësore, seleksionime apo edhe seanca stërvitore me lojtarët që do të mbajmë në vëzhgim. Kjo është gjithashtu një mënyrë e mirë për të këshilluar futbollistët për mënyrën se si duhet të punojnë, si edhe është një mundësi e mirë për t’i motivuar duke i vëzhguar nga afër në ndeshje apo seanca të tilla”, – tha Ardi Behari duke folur për Fshf.org.
Më poshtë, edhe lista me 29 lojtarët e grumbulluar nga trajneri i Kombëtares U-18, Ardi Behari për miqësoren e sotme: