Ekipi Kombëtar U-19 ka zhvilluar një seleksionim një ditor me 25 lojtarë, të cilët aktivizohen me klubet e kampionatit shqiptar. Seleksionimi është zhvilluar në Qendrën e Ekipeve Kombëtare të FSHF në Kamëz nën drejtimin e trajnerit të ekipit Kombëtar, Armando Cungu dhe stafi të tij teknik. Pjesë e këtij seleksionimi, të cilët kanë marrë vlerësime pozitive janë edhe pesë futbollistët shkodranë, Daniel Kodra, Alesio Hoxha, Luis Lera, Ildi Xhakaj, dhe Albi Shpuza, që të pestë pjesë e KF Shkodra të Superligës së moshave në kampionatin shqiptar U-19 me trajner Rudi Piraniqi.
Sipas shkodranit Cungu që drejton 19 vjeçarët kuqezi, futbolli shqiptar ka lojtarë të cilët kanë vlera, duhen evidentuar dhe duhet t’u jepet mundësia për të zbritur në fushën e lojës dhe të tregojnë se e meritojnë fanellën e Kombëtares. “Unë e shikoj me shumë kënaqësi dhe do t’i jap rëndësinë e duhur. Patjetër, lojtarët që aktivizohen në klube të huaja duhet të vijnë dhe duhet të tregojnë diferencë me lojtarët e Kategorisë Superiore. Në të kundërt, nëse nuk ka diferencë atëherë patjetër që do të preferohen lojtarë të cilët i shohim çdo ditë, i ndjekim çdo ditë dhe mund t’i vlerësojmë më mirë çdo ditë”, – tha trajneri i ekipit Kombëtar U-19.
Gjatë prononcimit të tij për faqen e FSHF-së, tekniku i kuqezinjëve 19-vjeçarë, Armando Cungu shfrytëzoi rastin për t’u bërë ftesë klubeve shqiptare, që të punojnë më shumë me talentet e reja dhe të sugjerojnë të gjithë elementët cilësorë që kanë në ekipet e tyre të moshave, në mënyrë që të mbahen në vëzhgim të gjithë lojtarët e vlefshëm për t’u grumbulluar në ekipet kombëtare. “Nuk mund të pretendoj për një muaj që të kem mundësinë dhe shansin për të parë të gjithë lojtarët që luajnë në Kategorinë Superiore. Kam parë pjesën më të madhe të lojtarëve që aktivizohen në pjesën e veriut, sikurse edhe kolegu im është përpjekur të vëzhgojë pjesën e jugut. Kjo është edhe një ftesë që i kemi bërë të gjitha ekipeve të Superiores, duke respektuar edhe trajnerët, klubet dhe institucionet e tyre për të punuar dhe për të adresuar lojtarët që janë më të mirë, më seriozë dhe më kualitativ në ekipet e tyre. Kjo është edhe arsyeja për t’i parë, vëzhguar dhe për të përzgjedhur elementët që janë më të nevojshëm për ekipin kombëtar”, – theksoi Cungu, teksa më tej foli dhe për vështirësitë me të cilat është përballur në këtë moment për shkak pandemisë dhe pamundësive për të testuar lojtarë, të cilët aktivizohen në klube të huaja.